Prishtinë, 17 mars 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar Odën Ekonomike të Kosovës, ku është pritur nga kryetari i saj, Besim Beqaj me bashkëpunëtorë. Në takim është diskutuar për gjendjen ekonomike në vend dhe perspektivat e zhvillimit të ekonomisë dhe biznesit në Kosovë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Fianacave, Ahmet Shala dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ka vizituar Odën Ekonomike të Kosovës, ku është pritur nga kryetari i saj, Besim Beqaj me bashkëpunëtorë.
Në takimin me drejtuesit e OEK-ut, kryeministri Thaçi ka diskutuar për gjendjen ekonomike në vend dhe perspektivat e zhvillimit të ekonomisë dhe biznesit në Kosovë.
Duke folur për krizën globale ekonomike, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se edhe Kosova nuk është vend i izoluar në botë dhe ndikimi i krizës globale është i pritshëm, por në proporcion me kapacitetet e ekonomisë së vendit tonë.
“Reflektimi i krizës ekonomike globale do të arrijë edhe tek ne, por nuk ka vend për panik dhe dramatizim të gjendjes”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat që të përballet me të gjitha zhvillimet në këtë drejtim. Në këtë drejtim, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi, presim edhe mbështetjen aktive të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Kryeministri Hashim Thaçi ka folur edhe për angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për anëtarësim në mekanizmat financiar dhe ekonomik ndërkombëtarë, që do të kontribuojë në përmirësimin e klimës për zhvillimin e biznesit në Kosovë.
Në takim me drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës është diskutuar edhe për mbarëvajtjen e implementimit të marrëveshjeve regjionale dhe ndërkombëtare, dhe pozitën e ekonomisë kosovare në këto procese.
Në mënyrë të veçantë është theksuar zbatimi i marrëveshjes së CEFTA-s, dhe mosrespektimi i saj nga disa vende të rajonit, që është duke e dëmtuar prodhimin dhe eksportin e prodhimeve kosovare.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndërtuar një klimë të përshtatshme për zhvillimin e biznesit në Kosovë.
Last modified: 17 Mars, 2009