Prishtinë, 14 prill 2009
Deklarata e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me sulmet e fundit ndaj vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjithë bota demokratike dhe populli i Kosovës e dinë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime. UÇK ka zhvilluar luftë të drejt, të pastër, ka respektuar konventat ndërkombëtare. Është një fushatë me pretendime denigruese për luftën tonë të drejt, për shtetin tonë të ri që po ndërtojmë, për sukseset që po arrijmë dhe në prag të mbajtjes së procesit të Hagës lidhur me pavarësinë e Kosovës.
Por, e vërteta dihet, është vetëm një e vërtetë: Serbia është ajo që ka kryer gjenocid në Kosovë. Prandaj, çdokush që pretendon për të rikthyer gjërat prapa do të jetë i dështuar. Ne i kemi dhënë mbështetje gjithmonë drejtësisë, i kemi besuar gjithmonë drejtësisë dhe mbi këtë bazë UÇK dhe populli i Kosovës ka dalë fitues, siç ka dalë në Hagë, por edhe në Kosovë.
Ka pasur shpifje prej më të ulëtave ndaj UÇK-së, por vlera e UÇK-së është vlera e popullit të Kosovës, është vlera e pavarësisë, e shtetit, është vlera e integrimit të Kosovës në NATO dhe në BE.
Nuk janë të rastësishme këto shpifje që ndodhin pikërisht tani, në kulmin e suksesit të shtetit të Kosovës, këtij suksesi të gjithanshëm dhe në momentet e integrimit të Shqipërisë në NATO. Këto shpifje janë me qëllime denigruese për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në Shqipëri apo në Kosovë. Nuk është përzgjedhur rastësisht Kukësi për t’i përfshirë të dy vendet tona, për t’i sulmuar të dy vendet tona, për të sulmuar paqen dhe progresin euroatlantik të Kosovës dhe Shqipërisë.
Po ju siguroj dhe garantoj se siç ka ndodhur edhe më herët, shpifjet e tilla, sulmet e tilla, prej më të ulëtave do të jenë të dështuara. Çdo luftëtar i lirisë dhe populli i Kosovës është krenar me përpjekjet për liri, për shtetin e Kosovës dhe për këtë frymë integruese euroatlantike.
Shqiptarët janë në rrugë të drejt, janë në rrugë të sigurt, kanë një perspektivë të sigurt, e cila po përshëndetet edhe nga SHBA, BE-së edhe prej NATO-s. Sot Shqipëria është në NATO, NATO është në Kosovë dhe jo çdo kush i gëzohet këtij suksesi, sepse shqiptarët janë bërë faktor të stabilitetit në rajon. Dëshiroj edhe një herë të potencoj se vlerat e UÇK-së janë vlera të gjithë shqiptarëve, prandaj këto sulme qëllimkëqija ndodhin në kohen e progresit të jashtëzakonshëm dhe historik të shqiptarëve.
Last modified: 14 Prill, 2009