Prishtinë, 03 mars 2010
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 112-të, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi ka diskutuar Strategjinë Legjislative që del nga Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2009.
“Sfidat që dalin nga Raporti i Progresit për ne janë shumë të rëndësishme dhe janë pjesë e planit të punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Janë prioritete të angazhimeve tona të përbashkëta”, ka thënë në hapje të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi, duke kërkuar nga ministrat që të njoftojnë
për gjendjen dhe zotimet që do ti marrin për përshpejtimin dhe hartimin e ligjeve për procedim në Kuvendin e Kosovës, duke porositur që këto projektligje duhet të procedohen deri në qershor të këtij vitit.
Më tutje kryeministri Thaçi ka pohuar se është bërë një progres që ka ndikuar në thellimin e reformave, duke porositur që ligjet të jenë të hartuara mirë dhe të kujdesemi që ketë të bashkëpunim me Komisionet përkatëse në Kuvend.
“Në strategjinë legjislative kemi inkorporuar ligjet që dalin si nevojë e domosdoshme nga Raporti i Progresit të vitit të kaluar. Kërkohet bashkëpunimi me, shoqërinë civile, mekanizmat ndërkombëtarë, grupet e interesit, mediet” – theksoi kryeministri Thaçi.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi duke raportuar nga Zyra e kryeministrit ka veçuar katër projektligje, ai për personat e pagjetur, për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për qasje në dokumentet zyrtare, dhe ai për parandalimin e materieve nukleare dhe besojmë që shumë shpejt do të dërgohen në Kuvend para datës 1 qershor, ka thënë z. Kuçi.
Më pas ministrat e Qeverisë së Kosovës kanë raportuar para kryeministrit Hashim Thaçi për të arriturat e tyre gjatë kësaj periudhe për hartimin e legjislacionit që janë rekomanduar nga raporti i progresit i Komisionit Evropian për vitin 2009/2010.
Kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë ka përshëndetur miratimin e Planit të Punës së Kuvendit dhe ka kërkuar, që të përshpejtohen afatet e parashtrimit në Kuvend deri më 30 qershor 2010, të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për qasjen ë dokumente zyrtare, për lirinë e anëtarësimit në organizatat joqeveritare, ai për energjinë elektrike, projektligji për bankën qendrore, projektligji për këshillin gjyqësor e prokuroria, projektligji për prokurorinë publike, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e kodit penal, projektligji për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Qeveria ka mbështetur emërimin e z. Ylber Hysa, koordinator i Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës.
Në bazë të propozimit të zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, Qeveria sot ka ndarë një shumë prej 50 mijë euro për organizimin e manifestimit të Epopesë së UÇK-së, që mbahet 5,6 dhe 7 mars nën përkujdesjen e kryeministrit Hashim Thaçi.
Last modified: 3 Mars, 2010