Kryeministri Thaçi: Republika e Kosovës po paraqitet në GJND shumë suksesshëm dhe me dinjitet të lartë

4 Dhjetor, 2009

Prishtinë, 4 dhjetor 2009

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e 97-të të qeverisë theksoi se Republika e Kosovës po paraqitet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë shumë suksesshëm, me dinjitet të lartë dhe me argumente të bollshme, si dhe në përputhshmëri të plotë me vendimin e Kuvendit të Kosovës për shpalljen e Kosovës, shtet të pavarur dhe sovran

Kryeministri Thaçi në vazhdim e cilësoi prezantimin në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, si një prezantim shumë argumentues të së drejtës dhe të vërtetës për shtetin e Kosovës, një prezantim shumë i përgatitur nga ministri i Punëve të Jashtme, Hyseni dhe nga ekipi vendor dhe ndërkombëtar, që do të ketë edhe reflektimet e drejtpërdrejta në vendimmarrje.

Shteti i Kosovës vazhdon të besojë në drejtësinë ndërkombëtare, ne kemi shpallur pavarësinë në përputhshmëri të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me vullnetin e qytetarëve të Kosovës – u shpreh kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast ka falënderuar të gjitha shtetet të cilat e kanë mbështetur Kosovën, me një prezantim të respektimit të plotë të vendimeve legjitime të institucioneve kosovare dhe të vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar Plani Strategjik i Kosovë për HIV/AIDS 2009-2013. Plani synon parandalimin e përhapjes së HIV-it dhe mbajtjen e ultë të shkallës së prevalencës nën 5%, në mesin e grupeve të konsideruara në rrezik nga HIV, si dhe zbutjen e ndikimit të HIV dhe AIDS tek  personat e prekur nga ky virus.

Në fushën e energjisë, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Projektligjin për Energjinë; Projektligjin për Energji Elektrike dhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë.

Me Projektligjin për Energjinë, përcaktohen parimet dhe rregullat e përgjithshme, përmes të cilave drejtohen aktivitetet në sektorin e energjisë në Republikën Kosovës.

Projektligji për Energjinë Elektrike, i cili u miratua sot, përcakton rregullat e përbashkëta për kryerjen e aktiviteteve të prodhimit, bartjes, shpërndarjes, furnizimit, dhe qasjes në interkonektorë; organizimin e qasjes ndaj sistemit të bartjes dhe sistemit të shpërndarjes, si dhe për funksionimin dhe qasjen ndaj tregut të organizuar të energjisë elektrike. Ky Projektligj zëvendëson Ligjin për Energjinë Elektrike nr. 2004/10 i cili është në fuqi.

Ndërsa, Projektligji për Rregullatorin e Energjisë, rregullon funksionimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, si agjenci e pavarur e Republikës së Kosovës, e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, sipas nenit 119.5 dhe 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Këto tri projektligjet janë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, të harmonizuara edhe me autoritetet dhe këshillat ndërkombëtare”, ka thënë ministrja e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, Justina Pula – Shiroka me rastin e miratimit të këtyre projekligjeve.

Sot është miratuar edhe vendimi i propozimit të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit për caktimin e kompensimit të anëtarëve të Bordit të Autoritetit të Aviacionit  Civil.

Qeveria në mbledhje ka miratuar edhe Projektligjin për Mjekësinë Ligjore dhe Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

Projektligji për Mjekësinë Ligjore rregullon procedurën për kryerjen e ekzaminimeve mjekoligjore nën autoritetin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Ndërsa, Projektligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje rregullon fushën e marrëdhënieve familjare me theks te veçantë mbron dhunën në familje me anë të masave të posaçme ligjore, krijimin e mekanizmave adekuat për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, si dhe rregullon trajtimin e kryerësve të dhunës në familje dhe për lehtësimin e pasojave.

Qeveria e Republikës së Kosovës, gjithashtu mori vendim për ndarjen e 300 mijë eurove për rindërtimin e shtëpive në veri të Mitrovicës.

Last modified: 4 Dhjetor, 2009

Comments are closed.