Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Republika e Kosovës mirëpret investimet turke ne Kosovë

13 Janar, 2009

Prishtinë, 13 janar 2009
 
Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Forumin Turk të Biznesit
 
I nderuar zoti ministër i jashtëm Babacan (babaçan)
Të nderuar anëtarë të delegacionit turk
Të nderuar biznismenë,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
 
Kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës.
 
Kam gjithashtu kënaqësinë e veçante që shoh këtu shumë biznesmenë – ky forum duhet të konkretizohet me sa më shumë kontakte konkrete midis Jush, pasi që ju jeni motori i zhvillimit të shoqërisë në dy vendet tona.
 
Që nga viti 1999 e deri më tani Qeveria e Turqisë dhe populli i saj vazhdon të jetë një mbështetës i fuqishëm në aspektin politik, ushtarak dhe financiar. Me në këtë rast, e falënderoj Qeverinë dhe popullin turk për pjesëmarrjen ne Konferencën e Donatoreve ku ka ndarë 30 milion euro për Kosovën.
 
Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga me tepër se 53 shtete reflekton mbështetjen që shteti i ri i Kosovës gëzon ne arenën ndërkombëtare si dhe të drejtën legjitime te qytetarëve të Kosovës për të krijuar kushte për jetë të lirë dhe dinjitoze.
 
Kosova është një shtet i ri me spektër të gjerë të nevojave për zhvillim.
 
Qeveria jonë ka identifikuar prioritetet kryesore, midis një shkalle të gjerë të prioriteteve zhvillimore, që do ta nisin Kosovën në rrugën e rritjes ekonomike dhe prosperitetit. Ato janë:
 
– vendosja e sundimit të plotë të ligjit dhe luftimi i korrupsionit kudo që paraqitet;
– shfrytëzimi i resurseve tona natyrore për prodhim të energjisë;
– përmirësimi i rrjetit tonë të transportit;
– përmirësimi i cilësisë së arsimimit;
– zvogëlimi i varfërisë dhe krijimi i stabiliteti social, dhe
– investimi në bujqësi dhe zhvillimin rural.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka bërë progres të dukshëm në krijimin e një ambienti të favorshëm për biznes.
 
Ekonomia e Kosovës është zhvilluar në mënyrë të konsiderueshme prej gjendjes së në të cilën ishte pas luftës në 1999. Politikat dhe administrata tatimore janë të mira; baza tatimore është e gjerë dhe niveli i taksave është i ulët.
 
Ne kemi ulur edhe me tej taksat në mënyre qe Kosova të jetë edhe më atraktive për investitorët e huaj. Taksat e të hyrave të korporatës aktualisht janë 10%. Ekziston regjim liberal i tregtisë me një strukturë të tarifës modeste. Ka një themel të mirë për sistem financiar. Përdorimi i valutës Euro ka ndihmuar që inflacioni të mbahet në nivel të Evropës.
 
Gjatë këtyre viteve Kosova ka bërë progres të dukshëm për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, që reflektohet në një rritje të qëndrueshme ekonomike prej 5 për qind, ruajtje të nivelit të inflacionit dhe rritje të të ardhurave vjetore për kokë të banorit.

Kosova ofron mundësi të shumta investimi:

  • Pasuri me resurse natyrore: lignit, plumb, zink, nikel dhe tokë pjellore të pëlleshme
  • Popullatë e re dhe e motivuar (70% nën moshën 35 vjeçar)
  • Qasje e lirë në tregun e Bashkimit Evropian dhe tregjeve të vendeve fqinje
  • Kornizë ligjore moderne dhe në harmoni me atë të Bashkimit Evropian
  • Valutë zyrtare : Euro

Për këtë arsye ne kemi krijuar një ambient të përshtatshëm për investime duke i ofruar investitorëve të huaj:
 

  • Trajtim kombëtar (Investitori i huaj trajtohet sikurse investitori vendor)
  • Garantim për përdorimin e pakufizuar të të hyrave
  • Procedurë e lehtë dhe e thjesht e regjistrimit të biznesit (brenda një dite)

 
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë është duke u zbatuar ndërmjet dy shteteve tona, megjithatë bashkëpunimi edhe ne fusha te tjera duhet intensifikuar edhe me tej.
 
Republika e Kosovës mirëpret investimet turke ne Kosovë.
Kosova ka nevojë për investimet e juaja, andaj jeni te mirëseardhur dhe do ta keni mbështetjen time te pakursyer.
 
Shpreh bindjen time se ky forum do të rezultojë shume i frytshëm.
 
Më lejoni në fund të shpreh edhe një herë kënaqësinë time për takim me ju dhe për bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Turqinë.
 
Ju faleminderit.

Last modified: 13 Janar, 2009

Comments are closed.