Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Raporti i punës për vitin 2008 është një prezantim real i punës që lidhet edhe me përgjegjësitë kushtetuese të Qeverisë së Kosovës

30 Janar, 2009

Prishtinë, 30 janar 2009
 
Në mbledhjen e vetë të rregullt, të 52-tën me radhë, Qeveria e Kosovës, ka aprovuar Strategjinë Afatmesme të Punës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka aprovuar vendimin për themelimin e Komisionit për Menaxhimin e Fondit për Mbështetje të Mediave Minoritare, Multietnike dhe Grupeve Tjera të Veçanta si dhe është informuar për planin e punës për vitin 2009 të Këshillit Kombëtarë të Shkencës.
 
Në hyrje të mbledhjes, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se prezantimi i Raportit të punës njëvjeçare të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës ka qenë një prezantim real dhe një përmbushje e përgjegjësive kushtetuese të Qeverisë së Kosovës ndaj Kuvendit të Kosovës. Ai ka falënderuar angazhimin e anëtarëve të kabinetit qeverisës në sqarimet dhe mbështetjen e raportit në Kuvend. Kryeministri ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, për të vazhduar me përkushtim në përmbushjen e objektivave dhe ka theksuar angazhimin në hartimin e Studimit të fizibilitetit në rrugën drejt integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
 
Qeveria ka aprovuar Strategjinë afatmesme të punës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në të cilën janë identifikuar objektivat për reformimin e pushtetit lokal dhe decentralizimin, decentralizimin fiskal, ngritjen e kapaciteteve dhe modernizimin e shërbimeve të administratës komunale, rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendim marrje dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve të administratës komunale për qytetarët e Kosovës.
 
Në mbledhjen e sotme, Qeveria i ka rekomanduar Agjensionit Kosovarë të Prokurimit dhe Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik që të shqyrtojë vendimin për përjashtim nga procedurat e prokurimit për ambasadat dhe misionet diplomatike të Kosovës për furnizim me mallra dhe shërbime. Qëllimi i këtij vendimi është që të krijohen parakushte për funksionalizimin punës së ambasadave dhe misioneve diplomatike të Kosovës, deri në zgjidhjet adekuate ligjore për këtë çështje.
 
Bazuar në Rregulloren e Fondit për Mbështetjen e Mediave Minoritare, Multietnike dhe Grupeve Tjera të Veçanta, e cila është miratuar më herët, Qeveria ka marr vendim për themelimin e Komisionit për Menaxhimin e këtij Fondi. Vendimi përcakton strukturën dhe institucionet që do të nominojnë anëtarët e vet në këtë e komision.
 
Gjithashtu në mbledhjen e sotme, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ka prezantuar informatën për Planin e punës 2009 për Këshillin Kombëtarë të Shkencës, i cili është krijuar në pajtim me Ligjin për veprimtarin kërkimore-shkencore në Kosovë.

Last modified: 30 Janar, 2009

Comments are closed.