Prishtinë, 4 mars 2010
Fjala e kryeministrit Hashim Thaçi në takimin e Task Forcës Anti – Korrupsion
I nderuari z. Kermabo,
I nderuari zëvendëskryeministër,
Të nderuar ministra,
I nderuari z. Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme,
I nderuari z. Kabashi kryeprokuror i shtetit
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të jem sot pjesë e këtij takimi në kuadër të punës sonë të përbashkët në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimin e institucioneve të vendit.
Në kuadër të ndërtimit të një shoqërie demokratike, forcimit të rendit dhe ligjit, përfaqësimit të drejtë të vullnetit të popullit të Kosovës në procesin e ngritjes dhe zhvillimit të institucioneve funksionale dhe llogaridhënëse, Qeveria e Republikës se Kosovës e identifikon korrupsionin si një nga sfidat më të mëdha në procesin e zhvillimit të vendit.
Korrupsioni si formë e krimit të organizuar, përbën një shqetësim të madh për të gjitha shoqëritë demokratike të vendeve të civilizuara.
Kësisoj, Qeveria e Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së vendit, ka ndërmarrë të gjitha hapat konkretë në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e tij.
Deri më tani, kemi arritur në hartimin e strategjisë dhe planin e veprimit kundër korrupsionit, hartimin e ligjit kundër korrupsionit dhe ligjeve tjera kundër krimeve ekonomike, ngritjen e vetëdijësimit të opinionit publik nëpërmjet formave të ndryshme edukuese dhe krijimin e mekanizmave për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.
Si pjesë e përkushtimit tonë, Qeveria ka mbështetur procesin e krijimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë, si dy mekanizma profesionalë, të pavarur dhe kompetentë për të luftuar korrupsionin.
Njëkohësisht, ne ju kemi ofruar mbështetje të plotë EULEX-it dhe gjithë faktorëve të tjerë relevant, që jo vetëm të jenë të pakompromis në luftën kundër korrupsionit, por ndonjëherë edhe të jenë bartës në luftimin e kësaj dukurie.
Ky vullnet i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka për qëllim të fuqizojë instalimin e një mentaliteti qeverisës, të bazuar në vlerat demokratike të transparencës dhe llogaridhënies dhe të minimizojë mundësitë e përfitimeve të jashtëligjshme të çdo personi zyrtar.
Përkundër vullnetit dhe përkushtimit të pakompromis të Qeverisë së vendit për të luftuar dhe parandaluar këtë dukuri devijante, ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se lufta kundër korrupsionit nuk është kompetencë dhe përgjegjësi ekskluzive e pushtetit ekzekutiv.
Në këtë drejtim, ne kemi pritur dhe presim një punë shumë më efikase të gjyqësorit të vendit dhe agjencive kompetente respektive.
Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës, duke qenë e pakënaqur me nivelin e luftimit të korrupsionit nga të gjitha institucionet përgjegjëse, ka vendosur të luajë rolin proaktiv dhe të ndërmerr hapa konkret duke shprehur kështu paluajtshmërinë e premtimit të dhënë nga Qeveria dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës për Zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në mbledhjen e 26 Shkurtit, Qeveria ka aprovuar vendimin për krijimin e një departamenti të veçantë për anti-korrupsion në kuadër të mbështetjes së forcimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ky departament i veçantë për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, paraqet një strukturë të përbashkët profesionale të përbërë nga 5 prokurorë vendor dhe 3 prokurorë që vijnë nga radhët e EULEX-it.
Qeveria e Kosovës do të vejë në dispozicion të këtij departamenti të gjitha resurset dhe mbështetjen për funksionimin e tij, duke angazhuar kështu 30 hetues policorë të specializuar për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilët do të angazhohen në mbështetje të këtij departamenti.
Po ashtu, ky departament i veçantë do të përbëhet edhe nga 5 ekspertë vendor në fushën e tatimeve dhe shpëlarjes së parave.
Qeveria e Kosovës do të ofrojë gjithë mbështetjen financiare për funksionalizimin e këtij departamenti, duke përfshirë këtu trajnimin e tyre në qendrat më profesionale evropiane dhe duke u siguruar prokurorëve të këtij departamenti mbrojtje të afërt fizike, për ata personalisht dhe për familjarët e tyre.
Në kuadër të bashkëpunimit tonë të vazhduar që kemi me Misionin e EULEX-it, ne kemi marrë mbështetjen e tyre të plotë për angazhimin dhe kontributin e tyre në funksionalizimin dhe efikasitetin e këtij departamenti.
Ne kemi nevojë të veçantë, për eksperiencën më të mirë evropiane në luftën kundër korrupsionit dhe ne besojmë se EULEX-i mund të jap kontribut tejet të rëndësishëm në këtë drejtim.
Për aq sa kemi nevojë për eksperiencën evropiane, po aq kemi nevojë për përkushtimin e plotë të prokurorëve kosovarë. Më gëzon fakti që këtë punë të përbashkët, po e nisim me një grup të ri të prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët sapo janë dekretuar nga Presidenti i Kosovës dhe besoj se kanë vullnetin, guximin dhe energjinë e plotë për zbatimin e misionit të shenjtë që kanë para vetes.
Zonja dhe Zotërinj,
Ne jemi të vetëdijshëm se ky proces do të jetë i gjatë dhe jo i lehtë, por jemi mbledhur këtu për të shprehur gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shfrytëzoj rastin, t’u bëj thirrje medieve, shoqërisë civile, grupeve tjera me ndikim në shoqëri dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që të jenë mbështetës së kësaj iniciative të Qeverisë dhe të punojnë në ngritjen e vetëdijesimit të opinionit publik për bashkëpunim me institucionet e rendit dhe drejtësisë në paraqitjen e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Edhe njëherë shpreh kënaqësinë time për të prezantuar rrugëtimin, vizionin dhe punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftën kundër korrupsionit, ndërsa pres nga të gjithë Ju që të shprehni të njëjtin vullnet dhe angazhim për funksionimin dhe suksesin e këtij grupi në luftimin e korrupsionit.
Ju faleminderit.
Last modified: 4 Mars, 2010