Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Republikës së Kosovës ka gatishmërinë dhe zotimin për mbështetje të plotë të biznesit vendor dhe për krijimin e ambientit të mirë për biznes privat në Kosovë

7 Tetor, 2010

Prishtinë, 07 tetor 2010

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i Integrimeve Evropiane, Besim Beqaj ka vizituar sot komunën e Pejës. Fillimisht kryeministri Thaçi është ndalur në fabrikën e birrës “Peja”, ku është pritur nga presidenti i kësaj kompanie z. Ekrem Lluka. 

“Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është një kënaqësi e madhe që të vizitojë një nga bizneset më të fuqishme në Republikën e Kosovës, një nga bizneset më të suksesshme në shtetin tonë të ri, një biznes që ka investuar shumë në krijimin e vendeve të reja të punës, biznes që na bërë të ndihemi mirë dhe krenar secilin nga ne, me suksesin, siç është fabrika e birrës në Pejë”, theksoi z. Thaçi, duke shtuar se kjo kompani është një sukses i një bashkëpunimi të ngushtë të komunitetit të biznesit vendor dhe atij slloven.

Kryeministri Thaçi tha se kjo është një nga fabrikat më të suksesshmet në rajon, është sukses i prodhimit vendor. “Unë personalisht dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka pasur gatishmërinë dhe zotimin për mbështetje të plotë të biznesit vendor, për krijimin e ambientit të mirë për biznes, në një angazhim transparent dhe mbështetës në këto përkushtime”, theksoi kryeministri Thaçi. Me këtë rast, Kryeministri ka vizituar edhe ambientet e prodhimit të fabrikës së birrës “Peja” dhe ka promovuar idenë për festën e birrës që do të kremtohet për çdo vit duke filluar nga viti i ardhshëm.

Më pas kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit dhe para studentëve dhe pedagogëve të këtij institucioni të lartë arsimor ka mbajtur një ligjëratë. Z. Thaçi ka premtuar se Universiteti Publik i Pejës “Haxhi Zeka” do të hapet tetorin e vitit të ardhshëm. Kryeministri Thaçi ka eliminuar çdo mundësi që hapja e këtij universiteti të shumëpritur në rajonin e Pejës, të varet nga pushteti i ri qendror që do të krijohet pas zgjedhjeve të parakohshme, që supozohet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.

Në Kuvendin Komunal të Pejës , kryeministri Hashim Thaçi është pritur nga kryetari i kësaj komune z. Ali Berisha i cili ka njoftuar kryeministrin lidhur me projektet zhvillimore të kësaj komune.

Kryeministri Thaçi ka përgëzuar udhëheqjen komunale  dhe kryetarin Berisha për punët që i ka kryer gjatë kësaj periudhe. “Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe komunës së Pejës për implementimin e projekteve të përbashkëta”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se nevojat e njerëzve janë edhe më të mëdha, por po punojmë bashkërisht që t’i realizojmë ato projekte dhe ti arrijmë ato objektiva që janë të përbashkëta për një rritje të mirëqenies sociale të qytetarëve dhe në të njëjtën kohë dëshiroj të theksoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë në të gjitha sferat e bashkëpunimit institucional.

“Z. Berisha është përballur me sfida të shumta, sfida këto që është duke i kaluar me sukses, por edhe mbështetja e Qeverisë, do të vazhdojë të jetë në përputhshmëri me interesa e qytetarëve të Pejës”, theksoi Kryeministri.

Kryetari Berisha ka thënë se ky takim i sotëm është kontribuues në drejtim të rritjes së angazhimeve dhe komunikimeve të ndërsjella, për një angazhim më të madh edhe të komunës së Pejës, por edhe Qeverisë në mbështetje të shumë projekteve që ka nevojë kjo komunë.

Po sot, kryeministri Thaçi ka takuar përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta

me seli në Pejë. Z. Thaçi ka pohuar se është kënaqësi e veçantë që të takojë bashkëluftëtarët e tij , përfaqësuesit e shoqatave  të dala nga lufta, të veteranëve, të familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve.

Z. Thaçi ka njoftuar për ligjin të cilin Qeveria ka proceduar  në Parlamentin e Kosovës, Ligjin për vlerat e luftës i cili rregullon njëherë e përgjithmonë të drejtën e luftëtarëve të lirisë të UÇK-së, të veteranëve të familjeve të tyre, të dëshmorëve dhe invalidëve. Kryeministri konfirmoi vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për gjithë invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve për 50 për qind nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

“Ky ligj legalizon përkujdesjen shtetërore për veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës e në të njëjtën kohë edhe kthen, apo kultivon dinjitetin e njerëzve që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës, për shtetin e saj, që për mua në një formë a formë tjetër të gjithë qytetarët e vendit janë çlirimtarët e Kosovës dhe do të vazhdojmë që të punojmë në interes të të gjithë qytetarëve të vendit”, theksoi kryeministri Thaçi.

Në mesditë kryeministri Thaçi me bashkëpunëtorët ka pasur një drekë pune me komunitetin e biznesit, organizuar nga z. Ekrem Lluka ku është biseduar për çështjet e zhvillimit dhe investimeve për përparimin e biznesit në komunën e Pejës. Kryeministri Thaçi me këtë rast u ka premtuar biznesmenëve pejan se Qeveria e Kosovës edhe në të ardhmen do të jetë në krah të tyre dhe do të mbështesë pa rezervë biznesin privat si mundësi e madhe e gjenerimit të vendeve të reja të punës.  

Duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me rigjykimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Gjykatën e Hagës, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës,  Hashim Thaçi ka deklaruar : Z. Haradinaj gjendet padrejtësisht në Hagë dhe unë besoj në drejtësinë ndërkombëtare, por besoj fuqishëm në pafajësinë e z. Ramush Haradinaj.

Last modified: 7 Tetor, 2010

Comments are closed.