Prishtinë, 2 dhjetor 2008
Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për media, pas Takimit të 15-të të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit.
Agjenda për Integrime Evropiane është prioriteti kryesor për Qeverinë e Republikës së Kosovës
Qeveria dhe Komisioni Evropian ka mbajtur takimin plenar të Mekanizmit Percjellës të Stabilizim Asocimit, i cili është një proces i rregullt i komunikimit të institucioneve të Republikës së Kosovës me strukturat e Bashkimit Evropian
Është shqyrtuar Raporti i Progresit dhe janë nxjerrë përfundime të përbashkëta të Qeverisë dhe Komisionit Evropian për t’u implementuar në vitin 2009
Janë trajtuar çështje të rëndësishme, që nga kriteret Ekonomike, Politike dhe Standardet Evropiane
Raporti i Progresit është në një vijë me interesat dhe angazhimet e Republikës së Kosovës për luftën kundër korrupsionit, ngritjen e standardeve evropiane, sundimin e ligjit etj.
Komunikimi i rregullt dhe vlerësimi i të arriturave në Kosovë nga ana e BE-së janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme për vendin tonë. Ky bashkëpunim trason rrugën më të shpejtë dhe të sigurt drejt anëtarësimit në BE.
Qeveria ka themeluar strukturat dhe mekanizmat, të cilat do të koordinojnë procesin e integrimit evropian.
Qeveria do t’i përkrahë maksimalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme këto struktura dhe mekanizma.
Do të angazhoj gjithë kabinetin tim qeveritar dhe institucionet tjera për plotësimin e kritereve për anëtarësim në BE.
Vetë procesi i Integrimit Evropian është shumë i rëndësishëm për ne, ngase gjatë këtij procesi Republika e Kosovës përqafon parimet demokratike, rrit standardin dhe përmirëson jetën e qytetarëve të saj.
Përkushtimi i BE-së ndaj Republikës së Kosovës është pasqyruar në mënyrë konkrete në Konferencën e Donatorëve, ku BE dhe vendet anëtare të saj janë donatorët më të mëdhenj për zhvillimin e Kosovës.
BE ka përcaktuar në mënyrë të qartë perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Republikën e Kosovës qysh në Samitin e Selanikut të vitit 2003.
Përkushtimi i BE-së ndaj Kosovës është manifestuar në mënyrë të qartë edhe me vendimin e BE-së për fillimin e studimit të fizibilitetit vitin e ardhshëm dhe që pritet të përfundojë në vjeshtën e vitit 2009.
Studimi i fizibilitetit do të hapë rrugën për një fazë shumë të rëndësishme të nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim në BE, të cilat në rend të parë janë në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, të cilët e meritojnë një standard më të mirë të jetesës.
Last modified: 2 Dhjetor, 2008