Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë partneri juaj, zëri juaj, i cili do t’i merr vendimet në përputhshmëri me interesat tuaja

2 Qershor, 2010

Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në hapjen e Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar – Prishtina 2010

Prishtinë, 2 qershor 2010

I nderuar  kryetar Gërxhaliu,
Të nderuar ministra
Të nderuar të gjithë të pranishëm në panairin e përgjithshëm ndërkombëtar, Prishtina – 2010

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë të jem i pranishëm sot me ministrat përkatës në këtë ngjarje të rëndësishme për zhvillimin e biznesit në Republikën e Kosovës.

Ky panair parqet një rast jashtëzakonisht të volitshëm për kompanitë e bizneseve vendore dhe ndërkombëtare, që përmes komunikimit të drejtpërdrejt të njihen me prodhimet e njëri-tjetrit dhe të vendosin urat e bashkëpunimit.

Prania e kompanive dhe bizneseve të shumta nga Kosova dhe vendet tjera, është një dëshmi e qartë se tregu i Kosovës nuk njeh kufij dhe është i hapur për të gjithë individët dhe kompanitë e interesuara.

Edhe ky panair është një vendtakim ku ju si pjesëmarrës dhe mysafirë, jo vetëm që do të ekspozoni mallrat tuaja, por edhe do të vendosni kontakte bashkëpunimi me njëri-tjetrin, duke hapur në këtë mënyrë mundësi të reja të afarizmit të përbashkët.

Zhvillimi i bizneseve dhe rritja e qarkullimit të mallrave dhe parave, kanë si rezultat jo vetëm krijimin e profiteve për kompanitë e ndryshme, por edhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe kjo është e domosdoshme për qytetarët e Kosovës.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që përparimi në fushën e biznesit, të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja do të kenë impakt të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të ndërtojë një ambient sa më të përshtatshëm për veprimtaritë biznesore.

Që në ditët e para të mandatit të Qeverisë, kemi filluar me reformimin e politikave fiskale dhe tatimore, duke i bërë ato më atraktive për investitorët vendorë dhe të huaj.

Prandaj, të nderuar investitorë, i nderuar komunitet i biznesit kosovar dhe ndërkombëtar, ne sot mund të krenohemi se tatimet dhe taksat në Kosovë janë ndër më të ulëtat në rajon.

Kjo paraqet një përparësi për zhvillimin e biznesit tuaj, duke theksuar se të gjitha këto aktivitete janë duke u bazuar në dialogun e drejtpërdrejt që ka zhvilluar Qeveria e Republikës së Kosovës me bizneset e Kosovës, e në veçanti me Odën Ekonomike të Kosovës.

Veprimet konkrete, të cilat i ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe zhvillimet aktuale në ekonominë tonë, janë tregues i qartë për politikat e matura të cilat i kemi ndjekur dhe me të cilat është garantuar qëndrueshmëria fiskale dhe buxhetore, si dhe stabilitetin ekonomik të vendit tonë.

Në Kosovë është ndërtuar ambient i përshtatshëm, i sigurt dhe kreativ për biznesin.

Qeveria ka vënë në fokusin e saj investimin në infrastrukturë, si parakusht themelor për zhvillimin e biznesit dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

Rrugët që po i ndërtojmë, përmirësimi i situatës energjetike dhe lehtësirat tjera infrastrukturore, tregojnë për përkushtimin tonë për të lehtësuar aktivitetin tuaj.

Vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të lehtësuar punën tuaj, kanë qenë ide tuajat dhe ne vetëm i kemi debatuar dhe i kemi nxjerrë si vendime, të cilat kanë lehtësuar punën tuaj dhe po lehtëson angazhimet tjera, të cilat do të ndodhin.

Projektet madhore, të cilat i kemi nisur si, investimi i autostradës, dhënia me koncesion e aeroportit dhe projektet në fushën e energjisë, do të bëjnë tregun e Kosovës edhe më joshës për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.

I nderuar komunitet i biznesit,
Të gjithë të pranishëm, ju Ambasadorë,

Duke ju falënderuar për pjesëmarrjen tuaj, por edhe për partneritetin që keni treguar me institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht me Qeverinë e Kosovës, edhe pse jemi duke kaluar në një krizë të rëndë globale ekonomike dhe financiare, Kosova është shtet i ri, me mundësi të mëdha për investime.

Në Kosovë po vijnë investitorë edhe ndërkombëtarë. Ne sapo filluam projektin madhor të një investimi mbi 700 milionë euro për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merade, me koncorsiumet më të fuqishme ndërkombëtare.

Kemi interesim të theksuar në të gjitha investimet, të cilat i kemi në agjendën tonë për këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Pra, Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë partneri juaj, do të jetë zëri juaj, i cili do t’i merr vendimet në përputhshmëri me interesat tuaja.

Edhe ardhja e investitorëve të huaj, është shembulli më i mirë se në Kosovë ka siguri, besim dhe klimë për investime.

Pavarësisht nga zhvillimet globale, nga Kosova asnjë investitorë i huaj nuk është larguar. Ka zvogëluar kapacitet prodhuese të punës, por asnjë investitorë nuk është larguar që e dallon nga të gjitha vendet tjera të rajonit.

Duke ju falënderuar për hapjen e këtij panairi, ju përshëndes dhe ju falënderoj për të gjitha!

Last modified: 2 Qershor, 2010

Comments are closed.