Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Kosovës nuk do të ketë kurrfarë mirëkuptimi ndaj keqmenaxhimit dhe neglizhencës

28 Korrik, 2008

Prishtinë, 28 korrik 2008
 
Në fjalën e hapjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar punën dhe angazhimin e kabinetit qeveritar për angazhimet që dalin nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën. Kryeministri Thaçi ka kërkuar që ritmi i punës të vazhdojë edhe në implementimin e të gjitha projekteve që do të financohen nga donacionet e premtuara në këtë konferencë.
Në këtë drejtim, Kryeministri ka kërkuar që të bashkëpunohet ngushtë edhe me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtarë në implementimin e donacioneve.
Ky proces, ka sugjeruar kryeministri Thaçi do të jetë i hapur, transparent dhe llogaridhënës.
 
Duke njohur ministrat me vizitën historike të delegacionit kosovarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se, vizita dhe takimet e delegacionit në Uashington, janë një mbështetje e fuqishme për Kosovën dhe shënojnë pikën kulmore të marrëdhënieve të Kosovës me Shtete e Bashkuara të Amerikës.
 
Kryeministri Thaçi, në fjalën e tij të hyrjes ka vlerësuar reagimet dhe demonstratat e banorëve të Mitrovicës kundër vendosjes së një kontingjenti të materialit toksik në kompleksin industrial të “Trepçës” në Mitrovicë.
Kryeministri ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët, dhe ka kërkuar angazhimin e Qeverisë që të tejkalohet kjo situatë. Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi po ashtu ka apostrofuar se kjo situatë është krijuar edhe nga neglizhenca e përgjegjësve në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe në Doganat e Kosovës, si dhe ka kërkuar nga ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe nga ministri i Ekonomisë dhe Financave që të marrin masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve.
“Qeveria e Kosovës nuk do të ketë kurrfarë mirëkuptimi ndaj keqmenaxhimit dhe ndaj neglizhencës”, është shprehur kryeministri Thaçi.
 
Duke folur për Raportet e Zyrës së Auditorit Gjeneral për shpenzimin e buxhetit nga agjencionet buxhetore, Kryeministri Thaçi ka thënë se këto raporte nuk do të mbesin letra pa vlerë. Gjetjet dhe konstatimet e këtyre raporteve do të kalojnë edhe në institucione tjera gjyqësore për hetim. Kryeministri po ashtu ka kërkuar nga ministrat që shpenzimet buxhetore të bëhen në përputhje me ligjin.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave, ka prezantuar në mbledhjen e  sotme një raport të përmbledhur të shpenzimeve nga Qeveria e Kosovës për dreka zyrtare, për ushqim dhe pije, për karburante dhe për shpenzime në udhëtime zyrtare. Raporti përfshinë periudhën gjashtëmujore, 1 janar – 30 qershor të vitit 2008. Raporti ka nxjerr në dritë të dhënën se shpenzimet e nivelit qendror të Qeverisë së Kosovës, janë 28 për qind më të ultë se shpenzimet e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.
 
Duke vlerësuar nevojën për rishikimin e sistemit tatimor dhe për të përmirësuar sistemin tatimor në Kosovë, në mbledhjen e sotme, Qeveria ka vendosur që të aprovojë nismën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për të ndryshuar sistemin tatimor të Republikës së Kosovës. Ky ndryshim do të krijojë një ambient sa më tërheqës për investimet e huaja dhe për zhvillimin e biznesit në Kosovë. Këto ndryshime bëhen, gjithashtu, duke marrë parasysh konkurrencën regjionale në politikën tatimore, që është duke sjellë norma sa më të ulëta tatimore dhe këtë fakt Kosova nuk mund ta injoroj.
 
Ministria e Drejtësisë i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që në Strategjinë Legjislative për vitin 2008 të përfshijë hartimin dhe miratimin e Projektligjit për Faljen. Projektligji do të përcaktojë procedurat sipas të cilave, beneficionin e faljes, Presidenti i Republikës së Kosovës do ta jap në raste të caktuara për një kategori të kryesve të veprave penale, individualisht. Këtë të drejtë, presidentit ia garanton edhe Kushtetuta e Kosovës, andaj Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për të hartuar dhe miratuar këtë  projektligj gjatë këtij viti.
 
Qeveria ka diskutuar dhe ka aprovuar Udhëzimin Administrativ për hartimin e projektligjeve dhe akteve nënligjore. Ky udhëzim do të bëjë unifikimin e praktikave dhe procedurave në hartimin e Projekt-akteve juridike në Kosovë. Ai do të udhëzojë dhe ndihmojë hartuesit e projektligjeve dhe akteve nënligjore gjatë procesit të hartimit, diskutimit dhe miratimit të legjislacionit. Pritet që ky Udhëzim Administrativë të rrisë efikasitetin dhe performancën e departamenteve ligjore në Qeverinë e Kosovës.
 
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka diskutuar dhe ka aprovuar edhe Udhëzimin Administrativ për promovimin e përdorimit efiçent të energjisë nga përdoruesit përfundimtar dhe shërbimet energjetike. Ky Udhëzimi Administrativ do të nxisë përmirësimin e kostos efektive të rritjes së efiçencës në përdorimin e energjisë, si dhe kursimin e saj nga konsumatorët përfundimtar. Udhëzimi do të zbatohet nga ofruesit e shërbimeve energjetike dhe masave përmirësuese të efiçencës së energjisë, shpërndarësit e energjisë, operatorët e sistemeve të shpërndarjes dhe nga kompanitë që shesin energjinë me shumicë. Nga ky rregull do të përjashtohen shpërndarësit e vegjël, operatorët e vegjël të sistemeve shpërndarëse dhe kompanitë që shesin energji me pakicë.

Last modified: 28 Korrik, 2008

Comments are closed.

×