Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria , e bindur se përmes zhvillimit të sektorit privat do të sigurojë qëndrueshmëri ekonomike, ulje të papunësisë në aspekt afatgjatë

4 Tetor, 2010

Prishtinë, 4 tetor 2010

Në vazhdim po e japim të plotë fjalimin e kryeministrit Thaçi:

Të nderuar ministra Shala dhe Zharku,

Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit,

Zonja dhe Zotërinj,

Kam kënaqësinë që sot jam pjesëmarrës në këtë takim të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik te vendit tonë.

Fillimisht, më lejoni t’ju përshëndes për iniciativën e ndërmarrë me qëllim të intensifikimit të komunikimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm në mes të Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit të biznesit kosovar.

Sot ndihem tepër mirë që ai partneritet ka arritur të intensifikohet në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe komunitetit të biznesit.

Aleanca Kosovare e Biznesit për vite me radhë ka dëshmuar përkushtimin ndaj promovimit të produkteve vendore, dhe për këtë dua t’ju shpreh një përgëzim të veçantë.  

Promovimi i prodhimeve vendore mbetet një ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ne fuqishëm mbështesim zhvillimin e sektorit privat.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur se vetëm përmes zhvillimit të sektorit privat do të mund të sigurojë qëndrueshmëri ekonomike, ulje të papunësisë në aspekt afatgjatë.

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të bëjë një përmbledhje të progresit të arritur në Kosovë gjatë viteve të fundit  në fushën e zhvillimit ekonomik.

·Kosova ka vazhduar të shënoj rritje ekonomike, dhe që nga shpallja e pavarësisë kjo rritje ka qenë mesatarisht rreth 5%, me investime të shtuara private dhe publike. Rreth 400 milion euro u investuan në projekte kapitale gjatë vitit 2009 me qëllim të përmirësimit së infrastrukturës për të lehtësuar rritjen e bashkëpunimit tregtarë në rajon dhe më gjerë.

·Pakoja fiskale për periudhën 2010-2013 parasheh investime në vlerë prej 2.4 miliard në sektorët prioritar të programit të Qeverisë, të cilat kryesisht janë të fokusuar në infrastrukturë rrugore dhe ngritje të kapaciteteve njerëzore.

·Rritja ekonomike e shënuar dy vitet e fundit në masën më të madhe i atribuohet rritjes dhe zhvillimit të sektorit privat. Shifrat e fundit nga hulumtimi i AKB-së së bashku me Ministrinë e Punës, tregojnë që në vitin 2009 punësimi në ndërmarrjet privatë në Kosovë është rritur për 12.6 për qind.

·Ky është trend mjaft inkurajues dhe tregon rezultate konkrete.  Njëkohësisht, ky studim tregon se pagat mesatare në këto ndërmarrje për vitin 2009 janë rritur për 18.2 për qind.

·Qeveria e Republikës së Kosovës veçse ka dëshmuar se është e hapur ndaj investimeve private dhe e aftë që të udhëheq proceset shumë transparente për futjen e sektorit privat në infrastrukturën tonë. 

·Si rezultat i një procesi të tillë shumë transparent dhe të kujdesshëm të koncensionimit të Aeroportit të Prishtinës dhe angazhimit të një nga kompanive më të mëdha dhe më me renome në botë për ndërtimin e autostradës, ne kemi ngritur kredibilitetin tek investitorët e mëdhenj dhe mesazhin për partneritet në mes të investitorëve ndërkombëtarë dhe partneritetin e investitorëve lokal.

·Gjithashtu, së shpejti do të ndodh edhe privatizimi i telefonisë mobile, projekti i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, si dhe Privatizimi i Distribucioni dhe Shpërndarjes së Energjisë. Ne do të sigurojmë investitorë shumë të fuqishëm sepse kemi krijuar klimë  të sigurt, transparente dhe të konkurrencës së lirë për biznesin në Kosovë.

·Potencialet ekonomike të Kosovës janë të shumta duke pasur parasysh që vendi gjendet në fazën e zhvillimit me mundësi të larta investuese. Shteti ynë është shteti më i ri në botë, por është shtet i mundësive të mëdha, mundësi të cilat duhet ti shfrytëzojmë bashkërish. Falë rezervave natyrore, Kosova ka përparësi krahasuese në prodhimin e energjisë elektrike, dhe në nxjerrjen e shumë mineraleve. Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret përfshirjen e investitorëve privat në zhvillimin dhe shfrytëzimin e këtyre mundësive në funksion të zhvillimit ekonomik.

·Paralelisht me uljen e taksave direkte Qeveria ka përpiluar politika për të siguruar qëndrueshmërinë fiskale, dhe për këtë arsye së fundmi Qeveria ka nënshkruar marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, nga e cila marrëveshje Qeveria ka përfituar 108.9 milion euro.

·Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje u mundësua pranimi i fondeve nga Komisioni Evropian të dedikuara për projekte zhvillimore në Kosovë.

·Kosova është pranuar në procesin ‘Para-anëtarësim’ dhe vazhdon të pranojë përkrahje nga BE-ja nëpërmjet fondit për procesin e para-anëtarësimit.

·Në këtë periudhë ne jemi shumë të hapur ndaj të gjitha propozimeve dhe rekomandimeve që dalin nga sektori privat për ndryshimin e politikave të Qeverisë, të cilat, në praktikë ju mundësojnë juve, të nderuar komunitet i biznesit, të konkurroni me shtetet e rajonit. 

·Qëllimi i këtij organizimi është që gjatë kësaj jave të promovohen produktet kosovare. Unë jam i përkushtuar dhe ju thërras të gjithëve që promovimi i produkteve Kosovare të mos mbetet vetëm gjatë kësaj jave, mirëpo të jetë mision yni i përbashkët në vazhdimësi.

Dëshiroj edhe një herë të ritheksoj se partneriteti ynë, mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe komunitetit të biznesit, vetëm sa do të forcohet, kultivohet dhe afirmohet.

Vetëm me partneritet me politika të përbashkëta, ne do të kemi sukses.

Ju faleminderit!

Last modified: 4 Tetor, 2010

Comments are closed.