Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Propozim rezoluta e Serbisë për Kosovën, do t’i kthehet bumerang Beogradit, njohjet e reja për Kosovën e pavarur dhe sovrane do të jenë kundërpërgjigja më e mirë

9 Tetor, 2008

Prishtinë,  9 tetor 2008
 
Në një Konferencë të përbashkët për shtyp, menjëherë pas miratimit të propozim rezolutës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti Fatmir Sejdiu, kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje me këtë zhvillim dhe kanë vlerësuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe shteti kosovarë do të gëzojë njohje të reja.
 
Kryeministri Hashim Thaçi është shprehur se Kosova nuk ka pritur dhe nuk pret në të ardhmen asnjë nismë pozitive nga Serbia dhe ka theksuar se realiteti i njohjeve të reja për Kosovën e pavarur do të vazhdojë. Deklarimet e vendeve, që ende se kanë njohur pavarësinë, gjatë debatit u deklaruan se kjo rezolutë nuk do t’i pengojë për të njohur pavarësinë e Kosovës
 
“Realiteti i njohjeve të reja për Kosovën e pavarur dhe sovrane do të jetë kundërpërgjigje më e mirë ndaj Beogradit, i cili shumë shpejt do të befasohet  dhe nervozohet nga njohjet e reja  që do të pasojnë për pavarësinë e Kosovës. Me këtë nismë Serbia i ka vënë vetës rreth qafës një barrë të madhe, e cila do ta pengojë atë në integrimin në strukturat evropiane dhe në fund kjo do të kthehet si bumerang Serbisë” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, dhe është shprehur se kjo ide për aq sa është e keqe për Kosovën, po aq do t’i kthehet si bumerang vetë Beogradit.

Last modified: 9 Tetor, 2008

Comments are closed.

×