Prishtinë, 19 janar 2010
Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në këtë konferencë shtypi
Të nderuar përfaqësues të medaive,
Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë një numër i konsiderueshëm i palëve të interesuara në projektin energjetik “Kosova e Re”.
Palët e interesuara vijnë nga radhët e investitorëve shumë të fuqishëm ndërkombëtarë rajonal dhe vendor, nga institucionet financiare, prodhuesit e pajisjeve, kompanitë konsultuese dhe përfaqësuesit e institucioneve vendor dhe ndërkombëtare.
Në listën e investitorëve të interesuar për konferencën ndërkombëtare dhe projektin “Kosova e Re”, ndodhen kompani shumë të fuqishme nga vendet e ndryshme të botës, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vendet e Bashkimit Evropian dhe të Evropës Perëndimore, nga India, Kina, etj.
Numri i pjesëmarrësve në këtë konferencë është indikatorë i fuqishëm për atë se çka mund të pritet përmes procesit të shprehjes së interesit për projektin “Kosova e Re”.
Kjo konferencë po mbahet në momentin kur procesi i privatizimit të rrjetit të distribuimit të energjisë, është në rrugë shumë të mbarë
Tani po ndodh procesi i ri-strukturimit të projektit madhor “Kosova e Re”.
1. Kjo po ndodhë për shkak të rregullave të reja në tregun global në sektorin e energjisë.
2. Kriza financiare botërore ka ndikuar në kapacitetin investiv të investitorëve potencialë
3. Si adoptim me politikat dhe angazhimet e reja ambientale në nivel global
Qeveria e Republikës së Kosovës është duke e zhvilluar projektin në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, Komisionin Evropian dhe USAID-in.
Në këtë projekt, si pjese e konsultimeve të nevojshme, janë të përfshirë edhe komuniteti lokal, shoqëria civile, si dhe ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Ky projekt ka rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për stabilitetin e sektorit të energjisë, si dhe për krijimin e një hapësirë për punësim të qëndrueshëm.
Vlera investuese e këtij projekti pritet të jetë fillimisht ndërmjet 700 milionë dhe 1 miliardë euro.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbrojë të drejtën e aksioneve në sektorin e energjisë dhe në gjithë sektorët e tjerë strategjik.
Projekti do të realizohet sipas kritereve më të larta ambientale, në përputhshmëri edhe me angazhimet globale në këtë fushë.
Qeveria e Republikës së Kosovës garanton se procesi do të jetë i qartë, transparent, legal dhe i hapur.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të respektojë agjendën e paraparë që projekti të finalizohet gjatë këtij viti.
Ndërkaq ministrja Justina Shiroka- Pula ka thënë se në kuadër të kompanive që kanë shprehur interesim të vijnë në këtë konferencë që mbahet me 20 dhe 21 janar 2010, janë mbi 50 pjesëmarrës. Në kuadër të këtyre pjesëmarrësve, janë investitorë të rinj, investitorë, të cilët kanë qenë në konzorciume paraprake. Tani do t’i kemi disa kompani, të cilat nuk i kemi pasur deri më tani, pra, ato të Indisë dhe të Kinës.
Sa i përket sektorit të energjisë, përpos projektit termocentrali “Kosova e Re”, ne jemi duke bërë përgatitje për një konferencë të investitorëve ndërkombëtar dhe vendor për projektin e hidrocentralit i Zhurit dhe për 18 hidrocentrale të vogla, është shprehur Znj. Shiroka –Pula.
Last modified: 19 Janar, 2010