Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Progresi i madh i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, si rezultat i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm

19 Shkurt, 2010

Në vazhdim po japim thekse nga kolumnja e kryeministrit Thaçi në EUOBSERVER.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, Republika e Kosovës është një shtet më i konsoliduar, me institucione stabile dhe efektive, me qeverisje të mirë, sundim të rendit dhe ligjit, respektim afirmativ të komuniteteve, sipas standardeve më të larta, të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Institucionet e Kosovës presin opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke ditur që drejtësia është në anën tonë dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Kosova është një rast sui generis dhe progresi i madh i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, si rezultat i pavarësisë së Kosovës është po ashtu i pakthyeshëm.

Unë dua ta shfrytëzoj këtë rast si kryeministër që të bëj thirrje tek të gjitha shtetet që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, që ta bëjnë këtë. Njohja e Pavarësisë së Kosovës nuk është një veprim kundër Serbisë, apo ndonjë vendi tjetër, nuk është precedent; në fakt është një akt në favor të vullnetit të popullit të Kosovës dhe në favor të paqes dhe stabilitetit të përhershëm në rajonin e Ballkanit.

Kosova dhe Serbia po synojnë integrimet evropiane, por unë besoj fuqishëm që Evropa nuk mund t’i pranojë mosmarrëveshjet e mbetura nga shtetet kandidate të reja potenciale. Prandaj, Kosova do të jetë e përgjegjshme dhe Serbia duhet të jetë e përgjegjshme. Serbia nuk duhet t’i cenojë standardet dhe vlerat evropiane në marrëdhëniet e saj me Kosovën dhe ajo duhet të jep llogari për rrezikimin e perspektivës evropiane, dhe investimit të fuqishëm të BE-së në këtë perspektivë të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë përvjetor, si në çdo përvjetor, ne ndalemi dhe shikojmë tek e kaluara dhe i nderojmë ata që sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit – dëshmorët e Kosovës. Dita e Pavarësisë është kurorëzim i rrugëtimit të tyre, dhe i rrugëtimit të gjatë të të gjithë neve për liri dhe pavarësi. Sot ne mendojmë për të ardhmen, ne mendojmë për evropianët tanë të rinj, dhe si ne duhet të punojmë pa rezervë që ata të jenë qytetarë të barabartë të Bashkimit Evropian.

Kolumna e plotë e kryeministrit Thaçi.

Last modified: 19 Shkurt, 2010

Comments are closed.