Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Programi i Qeverisë – bazë për Kosovën, shtet të qytetarëve, të zhvilluar, në përputhje me parimet demokratike

18 Prill, 2008

Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi, me rastin e paraqitjes së Programit të Qeverisë, në njëqind ditshin e kabinetit qeveritar.
 
Prishtinë, 18 prill 2008
 
Programi qeveritar paraqet bazat për Kosovën shtet të qytetarëve, të zhvilluar, në përputhje me parimet demokratike, të një ekonomie të lirë dhe të qëndrueshme, të një mjedisi shumetnik dhe të përkushtuar qartë në drejtim të proceseve euroatlantatike.
 
Republika e Kosovës po kalon në fazën e tranzicionit dhe në këtë program jemi fokusuar në artikulimin e kërkesave imediate të kësaj faze.
 
Qeveria paraqet këtë program duke u bazuar në mundësitë dhe potencialet e saja dhe të vendit tonë. Ky program ka për qëllim menaxhimin e këtyre mundësive, zhvillimin strategjik të vendit tonë dhe krijimin e një pozite të favorshme në politikën ndërkombëtare.
 
Ky program parqet përkushtimin e qeverisë në konsolidimin e institucioneve, komplementimin e legjislacionit, konsolidimin e administratës publike në përputhje me standardet evropiane, si dhe vënien e rendit dhe të ligjit në tërë territorin e Kosovës.
 
Ky program synon t’u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të qytetarëve tanë, përmes një politike të përgjegjshme dhe transparente, që do ta shpie Kosovën drejt një rritjeje të shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.
 
Ky program do të rris mirëbesimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e ndershëm dhe korrekt për të gjithë, brenda dhe jashtë Kosovës, duke ofruar partneritet, drejtësi, arsim më cilësor, investime të sigurta, që do të krijojnë vende të reja të punës dhe përmirësim të mirëqenies së të gjithë qytetarëve.
 
Ky program mund të realizohet me bashkëpunimin e ngushtë me gjithë aktorët politikë, përfshirë edhe shoqërinë civile, komunitetin e biznesit, institucionet akademike dhe partnerët ndërkombëtarë.
 
Në këtë program prioritetet janë të shprehura në katër shtylla kryesore:
 
Rritja ekonomike,
 
Implementimi i statusit,
 
Qeverisja e mirë,
 
Zbutja varfërisë dhe stabiliteti social.
 
Këto prioritete janë rezultat i një procesi të gjatë të konsultimit të qeverisë brenda përbrenda me komunat dhe me shoqërinë civile.
 
Synimi i qeverisë është që këto prioritete të jenë të përballueshme dhe të qëndrueshme në aspektin fiskal. Kostoja e tyre do të përcaktohet me kornizën afatmesme të shpenzimeve, si dhe me mundësinë e aplikimit të projekteve konkrete në Konferencën e Donatorëve.
 
Këto prioritete përcaktojnë seriozitetin tonë për të filluar me çështje konkrete dhe sfiduese për zhvillimin e ekonomik dhe social të Kosovës.
 
 
Rritja ekonomike
 
Zhvillimi ekonomik do të realizohet përmes intensifikimit të investimeve, privatizimit dhe ristrukturimit të ndërmarrjeve publike, shtimit të aftësisë konkurruese dhe rritjes së eksportit në ekonomi.
 
Kapacitetet ekzistuese energjetike dhe infrastruktura e dobët rrugore paraqesin barriera në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por edhe sundimi i ligjit dhe sektori financiar, të cilët ende janë në zhvillim.
 
Jam i bindur se potenciali resurseve natyrore që ka Kosova dhe shfrytëzimi i tyre do të rris zhvillimin ekonomik, do të ul shkallën e papunësisë, do të përmirësojë kushtet sociale dhe do të zvogëlojë varfërinë.
 
Ky program ofron mundësinë për krijimin e një ambient të përshtatshëm për tërheqjen investimeve të huaja, dhe që të jemi konkurrues me vendet e regjionit.
 
Investimet kualitative, me qëllim të rritjes së produktivitetit, në veçanti në sektorin e energjetikës, infrastruktura rrugore, ngritja e cilësisë së arsimit, politikës dhe tregut adekuat financiar, sundimi i plotë i ligjit, do të jenë mundësi tjera të këtij programi.
 
Sektori i bujqësisë është i rëndësishëm dhe ka vëmendje të veçantë në këtë program, që do të mundësojë rivitalizimin e tij dhe ndikimin direkt në uljen e papunësisë.
 
Pra, me qëllim të rritjes ekonomike, qeveria e Kosovës do të koncentrojë angazhimet e veta në energji dhe miniera, transport, sundim të ligjit, edukim cilësor, bujqësi, politika tatimore dhe sektor financiar.
 
Energjia dhe minierat
 
Furnizimi cilësor dhe i qëndrueshëm paraqet parakusht të zhvillimit të gjithëmbarshëm të Kosovës dhe premtim mandator të kësaj qeverie.
 
Ky program mundëson një politikë të shëndoshë energjetike, mbështet mjedisin biznisor dhe tërheq investimet e huaja.
 
Ky program parashikon zhvillim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të Kosovës në shfrytëzimin e burimeve natyrore, nëpërmjet nxjerrjes dhe përpunimit dhe shtimit të vlerës në tregjet ndërkombëtare, duke siguruar ndjeshëm punësimin në industri.
 
Ky program mundëson masa të nevojshme strukturore dhe organizative për një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, në përputhje me qasjet dhe praktikat ndërkombëtare, në mënyrë që të sanohet sektori elektroenergjetik, duke e shndërruar atë në një sektor që jo vetëm furnizon, por edhe mbështet fuqishëm zhvillimin e vendit.
 
Në planin afatshkurtër dalja nga kriza energjetike parashihet në tri faza.
 
Duke involvuar edhe kapitalin privat, Kosova mund të fillojë marrëveshje për koncesion ose privatizim, përmes një procesi transparent, mirë të menaxhuar, që do t’i sillte përfitime të shumëfishta Kosovës.
 
Në planin afatgjatë, synim i qeverisë është procesi i ndërtimit të Termocentralit C, projekt ky që do të përcjellë dinamikën kohore të vendosur me asistencë teknike nga Banka Botërore, AER dhe USAID dhe me forma të avancuara të ofertimit transparent dhe konkurrues, duke marrë parasysh ndikimet sociale dhe ambientale.
 
Në drejtim të prodhimit të energjisë elektrike, përveç formave që kanë për bazë linjitin, do të hulumtohen potenciale tjera të përfitimit energjisë, sikur janë hidrocentralet në Zhur etj., apo edhe centralet me erë.
 
Në sektorin minerar, do të mundësohet shfrytëzimi efikas dhe transparent, krijimi i një ambienti të përshtatshëm dhe tërheqës për investime dhe planifikimi e zhvillimi i këtij sektori me standarde evropiane, mjedisore dhe sociale.
 
 
Transporti dhe telekomunikacioni
 
Ky program mundëson një infrastrukturë që do t’i mundësojë Kosovës që të jetë pjesë e integrimeve rajonale e evropiane.
 
Këto investime do të jenë të orientuara në ndërtimin autostradave, rrugëve të reja, zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugëve ekzistuese, rregullimin e kadastrit të rrugëve, si dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
 
Vëmendje të veçantë ka edhe transporti hekurudhor, në të cilin parashihet investimi, përmirësimi dhe rivitalizimi i infrastrukturës hekurudhore ekzistuese. Po ashtu parashihet  ndërtimi i infrastrukturës së re, investimi në zhvillimin e shërbimeve dhe sigurisë në transportin hekurudhor.
 
Në fushën e aviacionit do të kemi mundësi në investim, modernizim dhe zhvillim të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Do të ketë rritje të operacioneve ajrore të navigacionit, do të bëhet aftësimi i aeroportit të Gjakovës për qëllime komerciale dhe si aeroport alternativ, dhe, po ashtu do të krijohet njësia e helikopterëve.
 
Telekomunikacioni do të reformohet me legjislacion dhe teknologji. Do të konsolidohet operatori publik i telefonisë. Do të rritet, zgjerohet dhe përmirësohet shërbimi telefonik, postar dhe ai i internetit, përmes formave të veçanta, ose të kombinuara të financimit publik dhe atij privat.
 
 
Arsimi
 
Në këtë program dhe në priritetet e qeverisë, arsimi është pjesë e rëndësishme e çdo strategjie zhvillimore dhe investim fatgjatë në kapitalin njerëzor.
 
Programi i qeverisë për arsim bazohet në dije, ekonomi dhe punësim dhe është fokus i përbashkët ndërsektorial i tërë qeverisë. Këtu përfshihet cilësia në arsim, qeverisja më cilësore, lidhjet arsimit me zhvillimet ekonomike dhe shoqërore, avancimi i gjendjes materiale dhe ngritja e kapaciteteve për punë kërkimore dhe shkencore.
 
Sundimi i  ligjit
 
Sigurimi i një vendi, ku sundon ligji me kompeltim dhe harmonizim të sistemit juridik, me një sistem gjyqësor dhe prokurorial të pavarur dhe të paanshëm dhe ngritjen e kushteve për të punësuarit në këtë sistem si dhe bashkëpunimi me agjensionet tjera vendore dhe ndërkombëtare në luftimin e krimit të organizuar, që kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe imazhit të Republikës sonë, dhe përpshpejtimin në integrimet euroatlantike, janë prioritet mbi prioritete, dhe qeveria jonë do të angazhohet maksimalisht.
 
Me këtë program synojmë të kemi një ambient të sigurt në tërë territorin e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ky program mundëson krijimin e planeve për menaxhimine situatave emergjente.
 
Pajisja e qytetarëve me dokumente civile të shtetit të Kosovës do të jetë preokupim i menjëhershëm i qeverisë.
 
 
Politikat tatimore do të shqyrtohen me qëllim të përmirësimit të shkallës konkurruese në raport me vendet e regjionit, pa rrezikuar qëndrueshmërinë buxhetore të Kosovës.
 
Normat tatimore do të jenë stimuluese për biznesin dhe do të shqyrtohen problemet administrative të identifikuara. Krejt kjo bëhet me qëllim të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe që sistemi tatimor të ndihmojë efiçencën ekonomike.
 
Në sektorin finaciar do të angazhohemi për zvogëlimin e interesave, që janë relativisht të larta dhe jo shumë stimuluese për investimet.
 
Ky program mundëson krijimin e një ambienti të sigurt për bizneset bankare, duke forcuar autoritetin mbikëqyrës të këtij sistemi dhe duke konsoliduar sistemin banker, që shkon në dobi të biznesit.
 
 
Implementimi i statusit
 
Shteti funksional dhe demokratik dhe implementi i plotë i Marrëveshjes së Statusit do të jetë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, si dhe krijimi i institucioneve të reja në nivel qendror dhe atë lokal.
 
Në këtë drjetim do të krijojmë misione diplomatike në botë, forcën e sigurisë, si force profesionale dhe të transformuar edhe nga TMK, si dhe institucionet tjera që kanë të bëjnë nga fusha e sigurisë, minoriteteve, decentralizimit etj.
 
Integrimi i komuniteve dhe kthimi i të zhvendosurve
 
Ky program mundëson përkrahjen konkrete të zhvillimit dhe të integrimit të bashkësive etnike, përkrah edhe financimin e kthimit të qëndrueshëm, individual dhe të organizuar, si dhe angazhimin dhe koordinimin e fondeve shtesë, përveç të atyre të buxhetit të Kosovës për kthim dhe integrim të komuniteteve. Në këtë fushë do të bashkëpunojmë me institucionet qendrore dhe ato lokale, me ato vendore dhe ndërkombëtare, me OJQ-të dhe shoqërinë civile.
 
Politika e Jashtme e Republikës së Kosovës është përfshirë në këtë program, duke paraparë përshpejtimin e procesit të njohjes së shtetit të Kosovës, thellimin e marrëdhënieve të veçanta me SHBA-të, shtetet e BE-së shtetet fqinje dhe vendet tjera, ndërtimin shërbimit diplomatik dhe konsullor të Kosovës, anëtarësimin e plotë të vendit tonë në organizatat dhe institucionet kryesore politike, ekonomike dhe financiare ndërkombëtare, mbrojtjen e interesave të qytetarëve tanë në botën e jashtme si dhe afirmimin e identitet të Kosovës në botën e jashtme.
 
Qeverisja e mirë është një nga preokupimet e qeverisë sonë. Përcaktimi i qartë i kompetencave dhe përgjegjësive në të gjitha fushat dhe veprimtaritë, shërbimet e mira dhe transpartente, llogaridhënia për shpenzimin e parasë publike, reforma në administratën publike dhe veprime tjera që sigurojnë qeverisjen e mirë, janë pjesë e këtij programi.
 
Zbutja evarfërisë dhe stabiliteti social në këtë program ofrohet si prioritet i përhershëm dhe afatgjatë, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve në pensionet dhe sfera tjera sociale si dhe në shëndetësi. Ndihma sociale për familjet e varfëra është qëllim kryesor që mbahet nga një sistem i mbrojtjes sociale, për persona që nuk mund t’i ndihmojnë vetvetes e familjes. Qeveria do t’u ndihmojë me garantimin e të ardhurave minimale për jetesë me dinjitet. Këtu përfshihet edhe kujdesi shëndetësor dhe shkollimi i fëmijëve që jetojnë në varfëri.
 
Për individët dhe grupet me novoja urgjente, ky program ofron përkujdesjen e nevojshme, duke respektuar, përmbushur dhe mbrojtur të drejta e tyre.
 
Vazhdimi i sigurimit të pagesave të pensioneve dhe shikimi i mundësive për harmonizim me vlerën e shportës së ushqimit, si dhe pagesa e pensionit suplementar për kontributdhënësit në ish – sistemin e kaluar, parashihet në këtë program.
 
 
Shëndetësia
 
Krijimi i sistemit të qëndrueshëm për sektorin shëndetësor dhe munëdisimi i përmirësimit të gjendjes shëndetësore të popullates, janë pjesë e këtij programi, duke ofruar mundësinë që profesionistët shëndetësorë të shpërblehen për ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor.
 
Aplikimi i ligjit të sigurimeve shëndetësore dhe përshtatja e tij me mundësitë reale të implementimit janë pjesë e këtij programi.
 
Politikat tjera qeveritare
 
Zhvillimi i sketorit privat përms strategjisë si dhe investimet e huaja direkte, ato të turizmit, zhvillimi industrial, mbrojtja e konsumatorëve si dhe ndërtimi shoqërisë konkurrente me vendet e rajonit dhe ato të BE, janë pjesë e këtij programi. Ky program parasheh zotimin e qeverisë për organizimin e pushtetit lokal në përputhje me Kartën Evropiane për qeverisje lokale.
 
Mbrojtja e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, që përfshin ajrin, ujin dhe tokën dhe zhvillimi i bazës ligjore dhe zbatimi i normave ndërkombëtare, do të jenë pjesë që do të sjellin cilësinë e planifikimit hapësinor, duke e orientuar zhvillimin e infrastrukturës dhe aktiviteteve urbane e rurale, që garantojnë mbrojtjen e ambientit jetësor, furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm, përmirësimin e sitemit të ujërava të zeza dhe trajtimin e mbeturinave.
 
Barazia gjinore është obligim i politikave tona dhe e legjislacionit ekzistues, i cili do të respektohet.
 
Kultura
 
Kujdesi i mjaftueshëm për kulturën dhe komunitetin artistik do të jenë permanente, përmes investimeve në projekte artistike dhe kulturore dhe rimëkëmbjen e jetës kulturore, përfshirë edhe investimet dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ku do të jetë edhe mbështetja e institucioneve të kulturës në nivel qendror dhe atë komunal.
 
Fokusimi në mbështetjen e sportit dhe ndërkombëtarizimin e tij, krijimi i kushteve për sportistët e Kosovës, janë pjesë e këtij programi. Struktuara e re e popullatës është një pozicion shumë sfidues dhe prasheh politika multisektoriale, duke dhënë mundësi të favorizimit të rinisë kosovare dhe bashkëpunimi me nivelin qendror dhe lokal, atë vendor dhe ndërkombëtar, si dhe bashkëpunim me OJQ-të.
 
Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, do të krijojë një mundësi për zhvillim të shumanshëm të Kosovës, duke lehtësuar dukshëm hartimin e politikave zhvillimore të vendit.
 
Diaspora jonë e fortë dhe numerikisht e madhe ka nevojë që të ketë përkujdesjen e qeverisë dhe krijimin e mundësive për hartimin e politikave që lehtësojnë komunikimin e tyre me vendin dhe të informohen njerëzit jashtë vendit për zhvillimet në Kosovë.
 
Këto ishin disa pika të shkurtëra të Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në periudhën 2008 – 2011, të cilin në formë të shkruar e keni marrë me kohë. Ky program është evolutiv dhe do t’i përshtatet nevojave zhvillimore të kohës.
 
Me kënaqësi pres vlerësimin tuaj, sugjerimet të cilat do t’i inkorporojmë dhe do ta bëjmë më cilësor për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Last modified: 18 Prill, 2008

Comments are closed.

×