Prishtinë, 4 prill 2013
Pas kthimit nga Brukseli, ku ka zhvilluar takimin e tetë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media.
Në vazhdim, po e prezantojmë deklarimin e Kryeministrit Thaçi para gazetarëve
Mbrëmë vonë ka përfunduar edhe raundi i tetë i takimeve, të udhëhequra nga baronesha Ashton, për çka dëshiroj të falënderoj baroneshën Ashton për udhëheqjen brilante të këtij procesi. Dua të falënderojë SHBA-të për garancën që kanë prezantuar në këtë proces. Në të njëjtën kohë dua të falënderoj të gjitha vendet e Bashkimit Evropian për mbështetjen dhe qëndrimin e tyre unik në përpjekjet e baroneshës Ashton për të gjetur një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dëshiroj të falënderoj edhe NATO-n për mbështetjen dhe të EULEX-it për mbështetjen në këtë proces.
Dëshiroj të falënderoj gjithë spektrin politik kosovar, mbështetës të këtij procesi. Falënderoj nga zemra qytetarët e Republikës së Kosovës për durimin, besimin dhe mbështetjen që kanë pasur për delegacionin e Kosovës.
Siç e dini, mbrëmë ka përfunduar takimi në orët e vona. Delegacioni i Kosovës ka qenë i gatshëm për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që nga 4 marsi.
Edhe takimi i djeshëm ka qenë takim i gjatë dhe mund të them edhe i rëndë. Me prezantime të argumenteve dhe kundër-argumenteve nga të dyja palët dhe me sugjerimet plotësuese të baroneshës Ashton.
Të nderuar përfaqësues të medieve dhe qytetarë të Republikës së Kosovës,
Mund të them me përgjegjësi kushtetuese, ligjore dhe qytetare se ka një pajtueshmëri të plotë të qëndrimeve të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian.
Pala serbe, siç e dini ka kërkuar kohë për konsultime shtesë. Arritja e marrëveshjes nuk është vetëm në të mirën e Kosovës, vetëm në të mirën e një komuniteti, është në të mirën e fqinjësisë së mirë, është në të mirën e të gjithë qytetarëve, është në të mirën e evropianizimit të gjithë rajonit.
Por, dua të theksoj se pavarësisht nga të gjitha vështirësitë aktuale, procesin nuk mund ta shpallim si të përmbyllur apo të dështuar. Shpresojmë se Serbia do të reflektojë, të pranojë realitetin dhe me këtë edhe marrëveshjen.
Jam shumë i vetëdijshëm dhe e di se nuk ka zgjidhje të lehta për asnjë vend dhe për asnjë lider. Por, secili nga ne, qoftë në Prishtinë apo në Beograd duhet të shikojë drejt së ardhmes, të mos mbesim peng i së kaluarës dhe të dominojë arsyeja dhe guximi për vendim dhe arritje të marrëveshjes.
Edhe sa i përket asociacionit të komunave, dua të potencoj se ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Asociacioni i komunave më shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, apo legjislative dhe nuk do të jetë ndonjë pushtet i tretë.
Ndërsa, në të njëjtën kohë, sistemi i drejtësisë do të jetë unik, sipas ligjeve kosovare në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Kosova do ta ketë një sistem policor me një zinxhir komandues. Policia do të funksionojë sipas ligjeve kosovare dhe sipas vijës institucionale të Kosovës.
Do të ndodhë shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të sigurisë dhe do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Me krijimin e kushteve do të organizohen edhe zgjedhjet lokale në tri eventualisht në katër komunat veri, zgjedhje këto që do të organizohen dhe menaxhohen me ftesën e institucioneve të Republikës së Kosovës nga OSBE-ja dhe pastaj certifikimi i rezultatit zgjedhor do të bëhet nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës.
Pas përfundimit të zgjedhjeve, nga kryetarët e zgjedhur të komunave mund të formohet ai asociacion i komunave më shumicë serbe.
Last modified: 3 Prill, 2013