Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën “Kosova – progresi në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian
Prishtinë, 28 maj 2010
I nderuari z. Daviddi,
Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë,
I nderuari kryeprokuror i Shtetit, z. Kabashi,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe medieve,
Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të sindikatave të
Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni t’ju përshëndes në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në këtë konferencë jashtëzakonisht të rëndësishme të diskutohet për Kosovën në rrugën e integrimit evropian.
Kam nderin të hap konferencën “Kosova – progresi në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, e cila shënon një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës, në veçanti kur ky takim po mbahet pas kthimit të ministrit Beqaj nga takimet jashtëzakonisht të suksesshme në Bruksel, me mesazhe optimiste dhe shpresëdhënëse, ku për Kosovën po hapet perspektiva e sigurt integruese dhe Kosova po hyn ën agjendën integruese evropiane.
Bashkëpunimi i rregullt në mes të Institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shoqërisë civile e medieve në këtë proces me interes nacional është i pazëvendësueshëm.
Shoqëria civile ka kontribuuar jo vetëm përmes përvojës e ekspertizës së tyre në kuptimin e kapaciteteve, por edhe që me zëri e vet, ka sjellë një freski dhe një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm për plotësimin e këtij procesi.
Në prill të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim të themelojë Ministrinë e Integrimit Evropian, me çka kemi demonstruar përkushtimin e qartë politik për intensifikimin e procesit të integrimit evropian.
Të nderuar të pranishëm,
Ky avancim institucional përkon me avancimin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, i cili ka rezultuar nga Studimi i fizibilitetit për Kosovën.
Kjo ka iniciuar dy procese nga të cilat do të sjellin dobi të drejtpërdrejta dhe të prekshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës: Marrëveshja Tregtare mes Kosovës dhe BE-së dhe procesi i Liberalizimit të Vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Me këtë, Bashkimi Evropian ka treguar vullnetin e saj për ta trajtuar Kosovën njëjtë sikurse vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor të cilat janë në procesin e integrimit evropian.
Me këtë njihet dhe mirëpritet përkushtimi, puna dhe arritjet që kemi bërë të gjithë së bashku, si institucionet në nivel qendror dhe lokal, ashtu edhe shoqëria civile, mediet, në rrugën tonë drejt BE-së.
Në këtë kontekst, është me rëndësi të theksohet se pjesë kyçe e dialogut në kuadër të procesit të Integrimit Evropian është edhe dialogu i rregullt me shoqërinë civile, përmes Nën-Komitetit për Shoqëri Civile në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit.
Ky mekanizëm do t’u mundësojë për herë të parë juve, shoqërisë civile, që të përfshiheni rregullisht në dialog të drejtpërdrejtë, si me institucionet e Republikës së Kosovës ashtu edhe me Komisionin Evropian, duke i dhënë kështu rrugë zyrtare dhe institucionalizuar kontributin tuaj të çmueshëm në të gjitha reformat institucionale e strukturore nëpër të cilat do të kalojë vendi ynë deri në anëtarësimin e plotë në familjen evropiane.
Unë personalisht dhe Qeveria që drejtoj jemi sinqerisht të interesuar dhe përkushtuar që ky dialog të jetë shumë i hapur, i sinqertë dhe produktiv, në mënyrë që vërtet të ndihmojë në transformimet fundamentale në të cilat ka hyrë e tërë shoqëria kosovare në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Prandaj, duam dhe ju ftoj që përfshirja juaj në këtë proces të jetë sa më përmbajtjesore, në mënyrë që së bashku t’i japim një cilësi të re tërë procesit.
Në fillim të këtij viti, Këshilli Ministror për Integrim Evropian, që funksionon si forum kyç i nivelit politik dhe pjesë kyçe e strukturave të reja ndër-institucionale për integrim evropian, ka miratuar dhjetë Prioritete Strategjike për vitin 2010.
Këto prioritete fokusojnë përpjekjet e institucioneve tona në adresimin e sfidave më urgjente të identifikuara nga Komisioni Evropian në Raportin e tij të fundit të Progresit për Kosovën, pra:
1. Ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e rolit institucional të Qeverisë në fushën e Integrimit Evropian;
2. Reformimin e administratës publike;
3. Reformimin e sistemit gjyqësor;
4. Luftimin e korrupsionit;
5. Prokurimin publik;
6. Liberalizimi i vizave;
7. Mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve;
8. Garantimin e lirisë së shprehjes;
9. Bashkëpunimin rajonal; dhe
10. Luftimin e ekonomisë jo-formale.
Me themelimin dhe funksionalizimin e shpejtë të Ministrisë së Integrimit Evropian, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një hap kyç në avancimin dhe fuqizimin e rolit koordinues të saj në procesin e Integrimit Evropian, si në nivelin politik ashtu edhe atë teknik.
Zonja dhe zotërinj
Shikuar në përgjithësi, kjo është kyçe për llogaridhënie më të mirë në të gjitha nivelet, si brenda institucioneve ashtu edhe karshi shoqërisë civile dhe publikut të gjerë kosovar.
Ministria e Integrimit Evropian tashmë ka vendosur mekanizmat dhe posedon kapacitetet humane për të vënë në funksion edhe teknikisht tërë këtë proces.
Sa i përket reformimit të administratës publike, tashmë kanë hyrë në fuqi dy ligje kyce, ai për Shërbimin Civil të Kosovës dhe ai për Pagat e Shërbyesve Civilë, të cilët do të kontribuojnë në shpejtimin e reformës, duke i dhënë kështu shtytje Agjendës Evropiane të Republikës së Kosovës në aspektin e kapaciteteve institucionale.
Përveç kësaj, ministritë përkatëse dhe institucione të tjera publike po punojnë në implementimin e rekomandimeve të dala nga procesi i rishikimit funksional, proces kyç ky në kuadër të kësaj reforme.
Hapi tjetër menjëherë pas funksionalizimit të strukturave të reformuara institucionale, do të jetë hartimi i Planeve Zhvillimore Strategjike nga ana e të gjitha ministrive, të cilat do të përbëjnë forcën shtytëse të tërë reformave strukturore që kërkon procesi i integrimit evropian, i cili është cdo ditë në intensifikim e sipër.
E tërë kjo reformë, për të cilën do të diskutojë më gjerësisht Ministrja e Administratës Publike, znj. Tahiri, bazohet në Strategjinë për Reformën e Administratës Publike, në hartimin e së cilës ka qenë përfshirë aktivisht edhe shoqëria civile.
Edhe reforma e gjyqësorit përbën prioritet kyç të Agjendës Evropiane. Krahas kompletimit të kornizës ligjore për implementimin e reformës së gjyqësorit, e cila kornizë pritet të hyjë në fuqi brenda këtij viti, procesi i emërimit dhe ri-emërimit është duke përparuar sipas planeve.
Prandaj, vitin tjetër presim të kemi një gjyqësor plotësisht funksional, gjë që ka rëndësi fundamentale për të gjitha prioritetet strategjike, e në veçanti për luftimin e korrupsionit, reformimin e sistemit të prokurimit publik dhe plotësimin sa më të shpejtë të kritereve për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.
Gjithashtu dua të theksoj se në përpjekjen tonë të vazhdueshme në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërtuar kapacitete të mjaftueshme për tu dëshmuar si bartëse e luftës ndaj korrupsionit, pra për sundimin e ligjit me rolin e tyre lehtësues mbështetës të mekanizmave ndërkombëtarë, në veçanti të EULEX-it.
Unë besoj fuqishëm në zotimin e institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës, se janë të gatshme t’i marrin përgjegjësitë që të jenë në vijën e parë në luftë kundër së keqes në Kosovë.
Nën koordinimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të gjitha institucionet përkatëse kanë punuar intensivisht që nga fundi i vitit të kaluar në implementimin e Planit të Veprimit për Liberalizimin e Vizave.
Në tërë këtë proces, i cili do të diskutohet më në hollësi nga Ministri, z. Rexhepi, duhet çmuar mbështetja e vazhdueshme, si financiare ashtu edhe me ekspertizë, e ofruar nga ana e Komisionit Evropian dhe Shtetet Anëtare të BE-së institucioneve të Kosovës.
Së shpejti kjo mbështetje do të demonstrohet qartë kur Kosova do të marrë nga Komisioni Evropian Udhërrëfyesin zyrtar për Liberalizimin e Vizave, kurse përparimi në këtë aspekt do të bëhet edhe më i prekshëm për qytetarin me fillimin e lëshimit të pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës.
Në maj kemi pranuar pyetësorin për marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian, që krahas procesit të liberalizimit të vizave përbën një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Për këtë do të jenë të angazhuara me kapacitete të plota strukturat qeveritare, për t’u përgatitur para arritjes së grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian për çështje të tregtisë, dhe pyetësorit për marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian.
Zonja dhe zotërinj,
Duke ju falënderuar edhe njëherë për pjesëmarrjen në këtë Konferencë, dëshiroj të ritheksoj se vetëm në këtë mënyrë të re të bashkëpunimit konkret me tërë akterët e shoqërisë ne mund të reflektojmë më shumë progres në procesin e sigurt dhe meritor në Integrimit Evropian.
Procesi i integrimit do të shndërrohet në përfitime të drejtpërdrejta të shoqërisë tonë, në zhvillimin ekonomik, në përmirësimin e infrastrukturës dhe në reforma të gjithëmbarshme, që përmirësojnë jetën e secilit qytetar të Republikës së Kosovës.
Ju faleminderit!
Last modified: 28 Maj, 2010