Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi priti ministrin e Drejtësisë të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Alibeaj: Shqipëria dhe Kosova, si shtete të pavarura, do të jene pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s

25 Shtator, 2008

Prishtinë,  25 shtator 2008
 
            Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi, ka pritur sot ministrin e Drejtësisë të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me të cilin është biseduar për bashkëpunimin  në mes të dy vendeve. Në takim ka marrë pjesë edhe ministrja e Drejtësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Nekibe Kelmendi.
          
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se bashkëpunimi i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë është i gjithanshëm dhe do të thellohet vazhdimisht. Ky bashkëpunim, është shprehur kryeministri Thaçi, do të shtrihet edhe nëpër të gjitha strukturat institucionale dhe shtetërore të dy vendeve. Në këtë funksion edhe Ministritë e Drejtësisë të të dy vendeve do të përcaktojnë modalitete dhe format e bashkëpunimit.
          
 “Bashkëpunimi mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, është duke u thelluar në të gjitha segmentet institucionale. Bashkëpunimi ynë bilateral vetëm sa do të thellohet. Në këtë drejtim nuk do të ketë hezitime dhe dilema. Kemi përkrahjen edhe të komunitetit ndërkombëtar. I gjithë ky bashkëpunim po ndodh në rrafshin edhe të integrimeve ndërkombëtare dhe euroatlantike. Shqipëria dhe Kosova si shtete të pavarura, do të jene pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
          
Nga ana e tij, ministri shqiptar i Drejtësisë z.Enkelajed Alibeaj ka theksuar se vizita e tij do të konkretizohet me format e bashkëpunimit në mes të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe atij në Kosovë dhe kjo do të rris efikasitetin e luftimit të dukurive negative ne të dy vendet tona.

Last modified: 25 Shtator, 2008

Comments are closed.

×