Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi prezanton strategjinë e perspektivës demokratike integruese për veriun e Mitrovicës

16 Janar, 2010

Prishtinë, 16  janar 2010

Kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.  Me këtë rast z. Thaçi ka falënderuar qeverinë e këtij vendi fqinj dhe kryeministrin Milo Gjukanoviq dhe është shprehur për marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Malin e Zi dhe me të gjitha vendet e rajonit.

Qeveria në takimin e sotëm ka diskutuar Strategjinë për Veriun e Kosovës, të prezantuar nga kryeministri Hashim Thaçi.

“Ka ekzistuar nevoja për një strategji të re aktive, një strategji kjo e cila është në pajtim me dokumentin e Ahtisarit, Kushtetutën e Kosovës dhe në marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, e cila do të reflektojë perspektivë demokratike integruese për veriun e Mitrovicës, në mënyrë që të forcohet sovraniteti i shtetit tonë dhe respektimi i integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe zgjerimi i funksionalizimit të ligjshmërisë në çdo cep të Republikës së Kosovës dhe përmirësimi i situatës ekonomike gjithashtu”, ka thënë kryeministri Thaçi,

Strategjia përfshin  rekomandime dhe orientime për katër fushat kryesore; së pari fuqizimin e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, reformimin e pushtetit lokal apo decentralizimin me themelimin e komunës së veriut, adresimi i qeverisjes vendore në tri komunat, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan si dhe përmirësimin e situatës sociale dhe ekonomike, ka thënë z.Thaçi.

Kryeministri Thaçi më tutje ka theksuar se në përputhshmëri me kushtet, rrethanat dhe realitet që do të krijohen, Qeveria e Kosovës do të mund të krijojë fond të veçantë për çështjen e përmirësimit të gjendjes sociale dhe ekonomike në veri të Mitrovicës.

“Vitin e kaluar kemi investuar rreth 8 milionë euro në atë pjesë, ndërsa sivjet mund të shtohet edhe me fond i veçantë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të cilën do të kemi edhe mbështetjen ndërkombëtare” ka potencuar kryeministri.

Kryeministri Thaçi ka kërkuar përfshirjen e  të gjithë faktorëve  relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të kemi sukses të plotë dhe njëherit ka falënderuar në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës gjithë komunitetin ndërkombëtar për angazhimin dhe mbështetjen në këtë proces.

Ministrja Justina Shiroka – Pula para kabinetit qeveritar sot ka prezantuar përgatitjet për Konferencën e investitorëve për Energji që do të mbahet me 20 dhe 21 janar 2010 në Prishtinë.

“Ftesa e shprehjes së interesit është publikuar dhe afati është deri më 29 janar 2010”, ka thënë znj. Shiroka- Pula , duke shtuar se qëllimi i konferencës është joshja dhe ofrimi i të gjitha informatave plotësuese për investitorë. Deri më tani janë regjistruar 30 investitorë të njohur me renome ndërkombëtare, dhe pritet që deri më datën 20 të kemi edhe numër  më të madh të këtyre investitorëve. Kompanitë kryesore vijnë nga SHBA, Gjermania, Turqia, Zvicra dhe Maqedonia.

Kryeministri Thaçi ka pohuar se do të ketë një angazhim të koordinuar dhe të harmonizuar në përputhshmëri me standardet më të larta perëndimore… para së gjithash me kriteret e BE. 

“Është jashtëzakonisht inkurajues interesimi dhe siguria e të gjithë këtyre investitorëve nga 30 shtete më të fuqishme botërore për të marrë pjesë në këtë konferencë të investitorëve  dhe për të investuar në Republikën e Kosovës. Kjo është një qasje e drejtë, por edhe një klimë dhe ambient i krijuar, për sigurinë për të investuar në Republikën e Kosovës”, është shprehur z. Thaçi.

Në mbledhjen e sotme te Qeverisë, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj ka raportuar për përgatitjet në lidhje me hapjen e Universitetit të dytë Publik në Prizren. Kryeministri Thaçi ka përkrahur veprimet e MASHT-it për Universitetin e Prizrenit dhe ka premtuar mbështetjen e plot të Qeverisë për këtë institucion të lartë të arsimit në Kosovë.

Qeveria ka përkrahur propozimin e MPJ që në Strategjinë Legjislative për vitin 2010 të përfshihet edhe ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Shërbimet Diplomatike dhe Konsullore.

Qeveria ka përkrahur iniciativën e Departamentit të  Mjekësisë Ligjore, Zyra për Persona të Zhdukur e Ministrisë së Drejtësisë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare në mars të këtij viti për persona të zhdukur.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka akorduar një ndihmë prej 50 mijë euro për Haitin pas termetit që ka ndodhë në këtë vend. Kryeministri Thaçi po ashtu ka propozuar që nëse ka nevojë një ekip i prestarëve të FSK-së do të angazhohet për të ndihmuar qytetarët e Haitit. 

Last modified: 16 Janar, 2010

Comments are closed.