Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi prezanton detaje të prioriteteve strategjike të qeverisë: Viti 2009 do të jetë vazhdim i suksesit

10 Shkurt, 2009

Prishtinë, 10 shkurt 2009
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për gazetar ka shpalosur detaje të prioriteteve strategjike për të ardhmen e Kosovës.
 
Fillimisht kryeministri Thaçi ka thënë se ditëve të fundit, ka përcjell një mesazh të rëndësishëm tek qytetarët e Kosovës.

“Nëpërmjet këtij mesazhi, kam dashur të sqaroj edhe më tepër mënyrën se si do ta çojmë Kosovën përpara drejt realizimit të objektivave tona, drejt rritjes së transparencës dhe përgjegjësive tona shtetërore”ka thënë kryeministri Thaçi.
 
Në vazhdim po japim në tërësi prezantimin e kryeministrit Thaçi në konferencën për gazetarë.
 
Plani im dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës bazohet në planin gjithëpërfshirës të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pra për Planin e Punës 2009, i cili është fokusuar edhe në prioritetet strategjike për të ardhmen e Kosovës; krijimin e mundësive për investime kapitale; që nënkupton krijimin e infrastrukturës dhe krijimin e vendeve të reja të punës, të paguara më mirë, vazhdimin dhe modernizimin e infrastrukturës së Kosovës, duke vazhduar për të ndërtuar rrugë të reja dhe duke riparuar ato të vjetrat; vazhdimin e zotimit tonë për të ngritur arsimimin në nivel të standardeve të Evropës; investim edhe më të madh për të përmirësuar sistemin e dobët shëndetësor, duke ndërtuar edhe hapësira për rekreacion, parqe të pastra për familjet tona.
 
Edhe përkundër faktit që Kosova ka shumë programe dhe mundësi reale për zhvillim, jam më se i sigurt se realizimi i këtyre prioriteteve strategjike, do të përmbushë një qëllim që e kemi të gjithë, një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Pra, krijimi i vendeve të reja të punës gjatë kësaj krize globale ekonomike, është një detyrë me sfida të mëdha.
 
Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë është duke u përballur me këtë sfidë në mënyrë të suksesshme.
 
Përkundër rrethanave shumë të vështira gjatë vitit 2008, kemi realizuar dhjetëra projekte kapitale, duke krijuar mijëra vende pune, duke rritur produktin vendor në 6.1 për qind sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.
 
Javën e kaluar kemi prezantuar Planin e Punës së Qeverisë së Kosovës për vitin 2009, një plan i përgjithshëm ky i punëve, por prioritetet strategjike i kemi prezantuar edhe në formë tjetër që kemi menduar se duhet të fokusohemi me tërë potencialin që kemi, në veçanti e ritheksoj, krijimin e mundësive për investime kapitale, krijimin e vendeve të punës, modernizimin e infrastrukturës së Kosovës.
 
Por, prioritete më të rëndësishme do të jenë, arsimi, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore dhe krijimi i një ambienti shumë më të pastër.
 
Viti 2009 do të jetë vazhdim i suksesit, si vend, si popull, si institucione, para së gjithash si Qeveri dhe obligimet që kemi marrë para qytetarëve dhe jemi të vetëdijshëm se duhet dhe mund të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë.
 
Prandaj, unë jam këtu përsëri për të punuar dhe kam kërkuar, siç kam kërkuar në vazhdimësi, ide, edhe nga ekspertë me renome botërore, në politikat ekonomike, siç është Dr.Davide Clane, që ai të vazhdojë me këshillat edhe për mua si kryeministër, si dhe për Qeverinë e Kosovës, për mënyrën se si do të mund të vazhdojmë me rritjen tonë ekonomike, kur dihet se për vitin 2008 kemi pasur një rritje 6 për qind.
 
Dr.Clane, është ish-president i Bankës së Izraelit, njeri shumë i zgjuar dhe një këshilltar i besueshëm, prandaj Dr.Clane ju lus që të shprehni mendimet tuaja para opinionit publik dhe përkushtimet tona të vazhdueshme si Qeveri e Republikës së Kosovës
 
Në vazhdim këshilltari ndërkombëtar i Kryeministrit Thaçi për çështje ekonomike , Dr.Davide Clane ka qartësuar gjerësisht Prioritetet strategjike, Mirëmbajtjen e qëndrueshmërisë , Ngushtimin e dallimeve sociale, Sfidat dhe Prioritet për rritje.
 
Në fund kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe këshilltari i tij Dr.Davide Clane u janë përgjigjur shumë pyetjeve të gazetarëve lidhur me zbatimin e këtij plani.

Last modified: 10 Shkurt, 2009

Comments are closed.