Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi prezantoi vizionin e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen e vendit tonë para ministrave të jashtëm të BE-së

23 Mars, 2008

Prishtinë, 29 mars 2008
 
Në ambientet e Qendrës së kongreseve në Bërdo të Sllovenisë, Kryeministri i Qeverisë se Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri z. Hajredin Kuçi, patën takime të veçanta me shumë diplomatë dhe ministra të  jashtëm të vendeve te BE-së.
Fillimisht kryeministri Thaçi është takuar me ministrin e  jashtëm slloven dhe  kryesues i radhës së Bashkimit Evropian, Dimitrij Rupel, pastaj me përfaqësuesin e lartë të Politikës së Jashtme të BE-se, Havier Solana, Komisionarin për Zgjerim Oli Rehn, Kryesuesin e Komisionit Evropian, Baroso.
 
Gjate ditës kryeministri Thaçi është takuar edhe me ministrin e jashtëm britanik, Dejvid Miliband, me atë francez, Bernard Kushner, atë suedez Karl Bild, pastaj me atë të Shqipërisë, Lulëzim Basha, të Maqedonisë, Antonio Milloshovski dhe disa ministra të jashtëm të vendeve të tjera evropiane.

Zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe raportet e BE-së me Rusinë, ishin në qendër të vëmendjes së takimit joformal të ministrave të jashtëm të BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pretendojnë të anëtarësohen në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO.
 
Në fjalën e tij, e cila u prit me interesim të posaçëm nga ministrat e jashtëm të BE-së dhe të vendeve të Ballkanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës,  z. Hashim Thaçi, informoi lidhur me zhvillimet aktuale në vendin tonë pas shpalljes dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës shtet i pavarur e sovran.
 
“Institucionet e shtetit më të ri në Evropë dhe në botë, me përkushtim të madh po angazhohen për respektimin e ligjit, luftimin e krimit e të korrupsionit në vend, dhe krijimin e kushteve që të gjithë qytetarët, pa dallim të realizojnë të drejtat e tyre sipas standardeve më të larta evropiane”, theksoi z. Thaçi.
 
Kryeministri Thaçi, në mënyrë të veçantë potencoi përpjekjet e Qeverisë që e udhëheq ai për fuqizimin  e institucioneve legjitime dhe sundimin e ligjit e të rendit në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Ai shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjitha vendet fqinje: me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
 
Kryeministri kosovar apeloi që komuniteti serb të pranojë realitetin e ri, të mos mendojnë për izolim, por për integrim në jetën institucionale të shtetit të Kosovës. Z. Thaçi pohoi se qytetarët e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare janë kundër çdo përpjekje për ndarjen e Kosovës. Ai kërkoi mbështetje më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare për rimëkëmbjen e ekonomisë, hapjen e perspektivës për punësim më të madh të rinisë dhe prosperitet në të gjitha sferat e jetës, si parakusht për integrim në strukturat e Bashkimit Evropian.
 
Kryeministri Thaçi theksoi se ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian mbështetën vizionin e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen e vendit tonë, përpjekjet për vendosjen e shtetit ligjor dhe të drejtësisë në tërë territorin e Kosovës dhe kundërshtuan në mënyrë të fuqishme planin e Beogradit për ndarjen e Kosovës dhe destabilizimin e rajonit.

Last modified: 23 Mars, 2008

Comments are closed.