Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi pret ambasadorin e ri të Holandës në Republikën e Kosovës, Vos Kamb: Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret praninë e investitorëve dhe të biznesit holandez në Kosovë

25 Shtator, 2008

Prishtinë, 25 shtator 2008

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi u takua sot me ambasadorin e ri të Holandës në Republikën e Kosovës, z. Henk Vos Kamb.

Kryeministri Thaçi falënderoi ambasadorin holandez për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për kontributin e Holandës, si pjesë e rëndësishme e bashkësisë ndërkombëtare, dhënë Kosovës në fushën politike, ushtarake dhe ekonomike.

Kryeministri Hashim Thaçi shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për thellimin e raporteve të ngushta bilaterale me Holandën, në fushat e interesit të përbashkët.

Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret praninë e investitorëve dhe të biznesit holandez në Kosovë, – theksoi në takim kryeministri Thaçi.

Në takimin me ambasadorin e Holandës në Republikën e Kosovës, kryeministri Thaçi gjithashtu shtroi domosdonë që Bashkimi Evropian të flaës me një zë për Kosovën, posaçërisht në lidhje me nismën e Serbisë në OKB.

Nga ana e tij ambasadori holandez në Kosovë z. Henk Vos Kamb përcolli mesazhet e mbështetjes për Republikën e Kosovës nga Qeveria e Holandës.

Qeveria e Holandës do ta mbështesë Kosovën në aspektin zhvillimor, në veçanti në forcimin e sektorit privat. Gjithashtu, ne do të ndihmojmë edhe në procesin e rëndësishëm të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, sidomos në aspektin e integrimeve evropiane, – u shpreh ambasadori Van Kamb.

Në takimin me kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi, ambasadori i Holandës premtoi edhe mbështetje në fushën e arsimit, duke dhënë bursa për studime postdiplomike për studentët nga Republika e Kosovës, si dhe ofroi mbështetje për trajnimin e shërbyesve civilë të Kosovës nga ekspertë holandezë. 

Last modified: 25 Shtator, 2008

Comments are closed.

×