Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori amerikan në Kosovë Kristofer Dell kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në fushën e arsimit të lartë në Kosovë që ka për qëllim krijimin e një programi për lidership transformues.
Në vazhdim po japim të plotë fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi
Faleminderit shumë i nderuari ambasadori Dell
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës
Përfaqësues të medieve
Sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Republikën e Kosovës, për qytetarët e Kosovës.
Kapitalet njerëzore është një nga imputet më të rëndësishme të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës dhe të çdo vendi.
Prandaj, për të ngritur mirëqenien sociale dhe materiale të qytetarëve, Qeveria e Kosovës, krahas prioriteteve tjera do të angazhohet që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë qasje edhe më të avancuar në arsimin e lartë cilësor.
Përmirësimi i cilësisë së arsimit është prioritet strategjik i Qeverisë së Republikës së Kosovës. si i tillë është identifikuar edhe në kuadër të Platformës Reformatore të Zhvillimit Ekonomik si dhe në kuadër të Planit Strategjik për Arsim 2011-2016.
Duke u bazuar në rëndësinë e kapitalit njerëzor, sot në këtë ditë të rëndësishme për Kosovën, ne emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nënshkrova një Memorandum Mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për themelimin e Fondit për Arsim.
Edhe njëherë, falënderoj Ambasadorin Dell për kontributin e tij personal në angazhimin për formimin e këtij fondi për arsimin.
Ky fond është pjesë përbërëse e partneritet tonë për përkrahjen e programeve për reformimin e arsimit të Republikës së Kosovës.
Qëllimet kryesore të këtij fondi do të jenë:
• Përforcimi i lidhjes mes institucioneve të arsimit të lartë në Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, me qëllim të ofrimit të mundësive për shkollimin e liderëve kosovarë të profileve të ndryshme.
• Përforcimi i kapacitete vendore për të përkrahur mundësitë e shkollimit dhe përmes kësaj për të vazhduar me shkollimin e lidershipit profesional në Kosovë në mënyrë të qëndrueshme
• Themelimi i një iniciative publiko-private të udhëhequr nga kosovarët për të përkrahur me bursa akademike dhe praktika profesionale në të ardhmen.
Në këtë fond Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndaj 10 milionë euro për një periudhë 10 vjeçare. Kësaj shume do t’i shtohen edhe mbi 10 milionë euro nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të ofroj ndihmë të plotë USAID-it që të jetë partneri zbatues i kësaj iniciative.
Për këtë iniciativë, Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështetur nga SHBA-së po realizon përgjegjësitë e saja për të krijuar mundësi për një shkollim më cilësor për qytetarët e saj.
Përmes kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës po krijon mundësi për të ardhme më të ndritur, për një mirëqenie më të lartë sociale dhe materiale për qytetarët e Kosovës.
Edhe njëherë, shfrytëzoj rastin që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës, të falënderoj Qeverinë e SHBA-së, ambasadorin Dell, për përkrahjen e tyre në themelimin e këtij fondi për arsim, si dhe për përkrahjen e jashtëzakonshme në të gjitha fushat, për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës.
Last modified: 20 Korrik, 2012