Prishtinë, 26 shtator 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është kthyer sot nga vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me personalitete të larta shtëtërore të SHBA-ve, të BE-së, si dhe me burrështetas nga shumë vende tjera të botës. Pas kthimit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kryeministri Thaçi ka mbajtur një konferencë për media. Në vazhdim po e prezantojmë deklarimin e z.Thaçi:
Të nderuar gazetarë, dëshiroj të theksoj edhe një herë se së bashku me presidentin dhe ministrin e Jashtëm kemi zhvilluar një vizitë shumë të suksesshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kemi zhvilluar takime të shumta me interes për procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe njohjeve të reja që do të vijnë.
Në të njëjtën kohë kam zhvilluar takim edhe me shefen e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Baroneshën Catherine Ashton, me të cilin kam zhvilluar bisedë, kemi shkëmbyer ide për zhvillime në Kosovë, në rajon për bashkëpunimin ndër fqinjësor të Kosovës me gjitha vendet fqinje, duke përfshirë këtu edhe Serbinë.
Në të njëjtën kohë kemi diskutuar për Raportin e Progresit dhe për domosdoshmërinë që edhe për Kosovën të përmbyllet procesi i liberalizimit, sepse ne kemi përmbushur tanimë kriteret e nevojshme demokratike, politike, ekonomike dhe në legjislacion. Ishte një vullnet shumë i mirë i shprehur prej Baroneshës për progresin e arritur të institucioneve të vendit dhe të shoqërisë sonë edhe për ndërtimin e vendit demokratik dhe shumetnik. Do të thotë: do të vazhdojmë me procesin konsolidues të shtetit dhe integrues në të njëjtën kohë në strukturat e NATO-së e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, kemi zhvilluar takim me zëvendëssekretarin e Shteti të Amerikës, z. Shtajnberg dhe z. Gordon me të cilat kemi biseduar për bashkëpunimin bilateral mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-të. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin fuqishëm, zhvillimet në Kosovë, progresin e arritur, afirmimin i cili është duke u ndodhur në Republikën e Kosovës dhe mund të konkludoj se është një mbështetje edhe e BE-së, edhe e SHBA-ve për rrjedhat në Kosovë, edhe për procesin konsolidues dhe forcues e integrues të shtetit të Kosovës.
Edhe SHBA-të, edhe BE do të vazhdojnë të jenë prezentë në Kosovë, por edhe në të njëjtën kohë kemi biseduar për hapat integrues të Kosovës sa ma shpejtë edhe në NATO dhe BE, por edhe marrëdhëniet bilaterale të forcohen dhe të arrihet një marrëveshje bilaterale në të gjitha sferat me SHBA-të, si një raport specifik dhe i veçantë i shtetit tonë.
Ndërsa, takime të tjera të veçanta dhe me interes, që kemi zhvilluar, janë takimet bilaterale me udhëheqës të shteteve të ndryshme, që për fokus kanë pasur avancimin e procesit të njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës. Kemi zhvilluar takime të shumta me presidentë, kryeministra, mbretër, gjithashtu me ministra të jashtëm, mund të them lirisht prej katër anëve të botës. Shumica e këtyre shteteve janë në proces të njohjes së pavarësisë, në veçanti pas prezantimit të opinionit të GJND-së dhe Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sepse tanimë gjithçka është e qartë. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është konfirmuar plotësisht në përputhshmëri me drejtën ndërkombëtare.
Ndërsa, në pritje nga Presidenti Klinton, kemi takuar edhe shumë burrështetas të ndryshëm nga gjithë bota, takime bilaterale edhe me Presidentin Klinton edhe në njëjtën kohë edhe me ish-sekretaren amerikanë të shtetit, Olbrajt si dhe me shumë shumë liderë të tjerë edhe nga bota, por edhe nga rajoni.
Ndërsa, në Samitin e liderëve të Ballkanit për këtë vit gjithashtu jemi takuar me të gjithë kryeministrat dhe presidentet e rajonit dhe ministrat e Jashtëm prezent në këtë samit, me përjashtim të Serbisë. Por, gjithë rajoni ishte bashkë me përjashtim të bojkotit nga Serbia.
Dëshiroj të theksoj se Republika e Kosovës është përfaqësuar jashtëzakonisht dinjitetshëm në kuptimin më afirmativ të mundshëm shtetëror dhe gjithë janë duke shikuar me vëmendje më të madhe zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Është opinion mund të them në përgjithësi edhe botëror se pavarësia e Kosovës, ndërtimi i shoqërisë multietnike në Kosovë, qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, do të thotë angazhimet tona të vlerave euroatlantike, janë ato që janë duke dërguar një mesazh shumë të mirë para gjithë botës se për Kosovën do të ketë progres të mëtutjeshëm dhe integrim edhe në NATO, edhe në BE, edhe në OKB.
Kryeministri Hashim Thaçi është përgjigjur edhe në interesimin e medias lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese
Dëshiroj të theksoj se kjo është një çështje serioze, është çështje legale dhe jo vetëm e interpretimit politik. Ne presim vendimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese, dhe më pas do të marrim vendime dhe qëndrime në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe nevojet e shtetit dhe shoqërisë kosovare.
Last modified: 26 Shtator, 2010