Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Pavarësia e Kosovës është kurorëzim i vullnetit gjithëpopullor dhe vizionaritet për realizimin e shtetkrijimit

16 Shkurt, 2013

Prishtinë, 16 shkurt 2013

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi, në pritjen e organizuar nga presidentja e Kosovë, Atifete Jahjaga

E nderuara Presidente e Kosovës, znj. Jahjaga,
I nderuari president Nishani
I nderuar Kryetar  i Kuvendit, z. Krasniqi,
I nderuari z. Zbogar
E nderuar zëvendësmabasadore e SHBA-së
Të nderuar ambasador të shteteve të Bashkimit Evropian
Të nderuar deputetë, Ministra,
Të nderuar të gjithë ju përfaqësues të spektrit kosovar
Zonja dhe zotërinj,
Qytetarë të Republikës së Kosovës

Më 17 shkurt 2008 u themelua shteti i Kosovës me aktin më të lartë historik, juridik dhe politik, me Deklaratën e Pavarësisë.

Më 17 shkurt 2008 në gjeografinë politike të Evropës u lind një shtet i ri.

Kosova mori atributin më të lartë të organizimit politik, krijimin e shtetit të pavarur.

Ky akt madhështor, origjinal dhe i papërsëritshëm i vullnetit të popullit ishte kryevepër e synimeve, idealeve, përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të gjeneratave të tëra.

Por, këtë akt të jashtëzakonshëm e bëri madhështor fakti që u njoh, u mbështet dhe u përkrah nga shtetet më të rëndësishme të demokracisë botërore.
Pesë vjet më parë Kosova tregoi thellësinë dhe qëndresën e  saj historike.

Në botën e sotme bashkëkohore, edhe lindja e shtetit është akt që mund të përcillet medialisht.

Me 17 shkurt 2008 bota ishte pranishme në Kosovë.

Kosova ishte e pranishme në botë.

Mediet botërore transmetonin  emocionet e qytetarëve tanë, krenarinë, gëzimin, solemnitetin dhe entuziazmin e fitores.

Kosova me shekuj ishte radhitur nga ana e lirisë, nga ana e qëndresës, dhe në një moment po zyrtarizohej gjithçka.

Po institucionalizoheshin përpjekjet heroike të shekujve të shkuar.

Po institucionalizohej  lufta e pareshtur për liri.

Po institucionalizohej flijimi i dëshmorëve.

Po institucionalizohej rezistenca e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Prandaj  sot,  shprehim nderim institucional dhe respekt të thellë për nënat, baballarët, motrat, vëllezërit, prindërit, të rinjtë, të rejat, pleqtë dhe fëmijët që ranë për lirinë e Kosovës

Nderojmë të gjithë qytetarët që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Pavarësia e Kosovës është kurorëzim i vullnetit gjithëpopullor dhe vizionaritet për realizimin e shtetkrijimit.

Lufta e drejtë e UÇK-së dhe e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe orientimi vizionar për çlirim bëri që Kosova ta ketë mbështetjen e botës së përparuar dhe demokratike.

Bota demokratike e mbështeti Kosovën në krizën më të thellë ekzistenciale, në vitet 1998- 1999.

Prandaj, sot, në Pesë vjetorin e Pavarësisë shprehim mirënjohje të thellë për miqtë tanë, SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe gjithë botën demokratike, që ndihmoi dhe përkrahu Kosovën, që vazhdon ta ndihmojë edhe sot.

Zonja dhe zotërinj

Brenda një periudhe pesëvjeçare Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve.

Që nga shtatori i vitit që shkoi Kosova hoqi Mbikëqyrjen e Pavarësisë, duke u bërë shtet me përgjegjësi të plotë për veten dhe ardhmërinë e saj.

Që nga periudha e pasluftës e deri tani Kosova, nga miqtë e saj,  me të drejtë  konsiderohet si storje e suksesshme e shtetndërtimit.

Kosova ka shënuar rritje ekonomike dhe zhvillim të infrastrukturës, duke përmirësuar standardin e jetesës për të gjitha kategoritë shoqërore.

Kosova është njohur nga rreth 100 shtete.

Tashme Kosova është anëtare e FMN-së, Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Zonja dhe zotërinj,

Brenda një periudhe 14 vjeçare Kosova realizoi dy objektiva të mëdha historike:

Çlirimin dhe Pavarësinë.

Kosova mbi të gjitha është shtet që prodhon paqe, fqinjësi të mirë dhe stabilitet në rajon.

Kosova, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-ve, ka nisur procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me besimin që së shpejti Pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga ky vend fqinj.

Kosova është në rrugë për përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në institucionet euroatlantike në BE, NATO, dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në Pesë Vjetorin e Pavarësisë të gjithë ne besojnë në realizimin edhe të këtij objektivi!

Urime përvjetori i pestë i Pavarësisë së Kosovës! Urime të gjithë juve! Urime qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës!

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.