Prishtinë, 18 shkurt 2009
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, është zhvilluar mbledhja e parë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pas kremtimit të përvjetorit të parë të shpalljes së Pavarësisë, që është mbledhja e 56-të e rregullt.
Kryeministri Thaçi ka shprehur falënderimin për manifestimet e qeta dhe dinjitoze kudo në Kosovë, që është vlerësuar si meritë qytetarëve dhe e të gjitha institucioneve të Kosovës.
Kryeministri Thaçi ka shprehur edhe falënderimin për të gjithë liderët botëror që kanë përgëzuar institucionet dhe popullin e Kosovës në përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës.
“Tentimi i sabotimit dhe prishjes së imazhit të manifestimeve dinjitoze të popullit të Kosovës, që është bërë nga mbeturinat e manifestimeve në Gazimestan kanë dështuar edhe kësaj radhe” është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
Në fjalën e hapjes, kryeministri Thaçi ka njohur kabinetin qeveritar edhe me ftesën e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, për presidentin dhe kryeministrin e Kosovës që ta vizitojnë Uashingtonin dhe të takohen me Sekretaren e Shtetit të SHBA-ve, znj.Hilari Klinton.
“Kjo është edhe një dëshmi për vazhdimin e mbështetjes së SHBA-ve për Kosovën edhe nga administrata e presidentit Obama. Relacionet e Kosovës me SHBA-të, janë relacione të miqësisë së përjetshme” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur ofertën e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, për të dhënë në shfrytëzim portin e Shëngjinit, për Kosovën. Kjo ofertë, ka vlerësuar kryeministri Thaçi, duhet të përcillet me nënshkrim të marrëveshjes dhe do të ndikojë pozitivisht për ekonominë e Kosovës, Shqipërisë dhe krejt rajonit.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin e aplikimit të arkave fiskale, që do të rris efikasitetin e vjeljes së tatimeve në Kosovë dhe do të bëjë regjistrimin fiskal të pagesave për të gjitha bizneset, që operojnë me para të gatshme në Kosovë.
Qeveria ka marrë vendim edhe për ndarjen e mjeteve për Komisionin për Demarkacionin e Kufirit, si dhe ka ndarë mjete edhe për pagesën e qirasë për familjet e zhvendosura nga pronat e tyre në veri të Mitrovicës. Mjetet e ndara për pagesën e qirasë për familjet e zhvendosura nga pronat e tyre në veri të Mitrovicës, për vitin 2009, janë 360 mijë euro, dhe do të ndahen për 300 familje me gjendje të vështirë sociale.
Bordi i drejtorëve të PTK-së, ka kërkuar që t’i lejohet që PTK të zgjerojë veprimtarinë e vet në regjion, dhe Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të aprovojë këtë kërkesë. Ky vendim do t’i mundësojë që Posta dhe Telekomi i Kosovës të involvohet në tregun regjional.
Qeveria ka miratuar edhe Udhëzimin Administrativ që do të rregullojë përfaqësimin e komunave në Bordet e Ndërmarrjeve Publike Lokale, si dhe ka aprovuar Rregulloren për kompensimin e anëtarëve të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike qendrore sipas një rangimi të tyre në tri kategori.
Last modified: 18 Shkurt, 2009