Prishtinë, 22 korrik 2010
Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është përgjigja më e mirë që i është dhënë botës për të drejtën e Kosovës si shtet legjitim dhe legal, si shtet i konsoliduar dhe funksional, thekson kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi nga Uashingtoni, ku po qëndron për një vizitë zyrtare, duke theksuar se kjo është një përgjigje e drejtë historike ndërkombëtare ndaj padrejtësive historike që janë bërë ndaj Kosovës.
Kryeministri Thaçi falënderon gjithë mbështetësit e Kosovës dhe thekson se opinioni i GJND-së paraqet një ditë historike për Republikën e Kosovës.
Sot Kosova funksionon, do të funksionojë si shtet njëherë e përgjithmonë, sepse e ka edhe bekimin e të drejtës ndërkombëtare, e ka pasur edhe më herët, por sot është rikonfirmuar. Kështu që kjo është një fitore historike për Kosovën dhe rajonin, e në të njëjtën kohë ne do të vazhdojmë me punën tonë për një vend të mundësive të barabarta për të gjithë dhe për integrim në NATO, OKB dhe strukturat tjera euroatlantike, thotë z.Thaçi.
Kryeministri Thaçi potencon se Kosova e ka ndërtuar bazën e saj legale dhe legjitime, ngase drejtuesit e institucioneve të saj kanë qenë të bindur për të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe sovran.
Vendimi për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt vetëm u rikonfirmua, u legalizua, u rilegjitimua përsëri edhe nga opinioni i GJND-së, kështu që edhe ky është një moment historik, sepse opinioni i GJND-së u jep mundësi gjithë vendeve që kanë hezituar ta njohin Kosovën që ta marrin këtë hap. Ky vendim ka hequr gjithë dilemat, shprehet kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Me dhënien e këtij opinioni, kryeministri Thaçi thekson se rriten angazhimet për qeverisje të mirë dhe efikase, për vënie të ligjshmërisë në tërë territorin e vendit, për ndërtimin e raporteve të mira dhe hapet mundësia për perspektivë të Kosovës si atdhe të të gjithë qytetarëve pa dallime etnike.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi u dërgon mesazh gjithë qytetarëve të Kosovës për festë dinjitoze të këtij vendimi. Askush nuk duhet të ndjehet si humbës, por të gjithë duhet ta ndjejnë këtë opinion si diçka që forcon shtetin
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e konsideron vendimin e sotëm si një sukses që duhet t’i dedikohet popullit të Kosovës dhe gjithë atyre njerëzve që kanë punuar dhe janë sakrifikuar në periudha të ndryshme për shtetin e Kosovës.
Last modified: 22 Korrik, 2010