Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Një Kosovë ekonomikisht e qëndrueshme me shoqëri multi-etnike, në rrugën e saj drejt integrimit evropian – objektiv kryesor i Qeverisë sonë

29 Maj, 2008

Prishtinë, 29 maj 2008
 
I nderuar Z. Pierre Mirel
Të nderuar përfaqësues të Komisionit Evropian,
I nderuar z.Ryker
Të nderuar përfaqësues të Zyrave Diplomatike
Të nderuar kolegë nga institucioneve të Republikës së Kosovës
Zonja dhe Zotërinj
 
 
Kam kënaqësinë të hapi takimin e radhës (14) të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit.
 
Me lejoni të ju shpreh mirëseardhje të gjithëve në emër të Qeverisë së Kosovës.
 
Sot jemi mbledhur për të diskutuar progresin e arritur dhe sfidat me të cilat po ballafaqohemi në implementimin e agjendës Evropiane për Kosovën. Së fundi kemi qenë dëshmitar të një dinamike të shtuar në procesin e integrimit Evropian. Në këtë frymë është intensifikuar edhe dialogu politik dhe teknik me Komisionin Evropian. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti në bashkëpunim me Komisionin Evropian kemi organizuar 1 takim plenar të STM-it dhe 2 takime sektoriale.
 
Për më tepër takimet sektoriale për Qeverisjen e Mirë dhe Ekonomi janë duke organizuar dhe do të mbahen gjatë muajit Qershor 2008. Dëshiroj të theksoj rëndësinë e fillimit të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian për Kosovën që paraqet një përkushtim të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për të identifikuar sfidat në fushat e caktuara dhe përmirësuar funksionimin e institucioneve tona duke përfituar nga ekspertiza dhe rekomandimet e ekspertëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
 
 Misioni i fundit i kësaj natyre në sistemin gjyqësor në Kosovë tregon gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të avancuar këtë fushë duke synuar efikasitet dhe pavarësi për sistemin gjyqësor në Kosovë. Në këtë kontekst, ne garantojmë që rekomandimet që dalin nga misionet vlerësuese do të merren parasysh dhe do të adresohen në tërësi.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Në tetë muajt e fundit, Kosova ka kaluar nëpër një periudhë shumë të rëndësishme për vendin dhe rajonin. Më 17 Nëntor 2007 janë mbajtur zgjedhjet qendrore dhe lokale. Duhet të krenohemi me rrjedhën e zgjedhjeve të mbajtura në mënyrë demokratike dhe pa incidente. Komplimentet janë pranuar nga faktori ndërkombëtar për pjekurinë politike Kosovare gjatë procesit të zgjedhjeve dhe që kanë rezultuar me krijimin e një Qeverie multi-etnike.
Shpallja e Pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës më 17 Shkurt 2008  paraqet një datë historike dhe një fazë të re për popullin e Kosovës. Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga 21 shtete anëtare të Bashkimit Evropian reflekton përqafimin e vlerave perëndimore për liri dhe demokraci të popujve në mbarë botën si dhe të drejtën e popujve për tu vetë-qeverisur dhe për të krijuar ambient ku mbizotëron sundimi i ligjit.
 Ftojmë edhe vendet tjera të BE-së të përcjellin këtë praktikë dhe të binden në shoqërinë e pjekur dhe demokratike Kosovare dhe të njohin realitetin e ri të krijuar në Kosovë.
 
Pavarësia e Kosovës për neve nuk është vetëm një aspiratë shekullore, por është përkushtim i jonë për të krijuar kushte më të mira për secilin qytetar të Kosovës. Ky përkushtim është dëshmuar më miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe e cila Kushtetutë vlerësohet nga më të avancuarat në mbarë botën duke marrë parasysh të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e minoriteve.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës duke dëshmuar pjekurinë e saj politike, insiston në bartjen e të gjitha përgjegjësive nga misioni i Kombeve të Bashkuara tek institucionet vendore në përputhshmëri me Planin e propozuar nga Presidenti Ahtisari dhe me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 15 Qershor 2008, Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme të qeverisë tërë territorin e Kosovës dhe të krijoj një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, një ambient ku sundimi i ligjit mbizotëron dhe ku mirëqenia e qytetarit të Kosovës është e garantuar.
 
Ne dëshirojmë ti tregojmë gjithë botës se pavarësia jonë nuk është dhe nuk do të jetë kërcënim për fqinjët tonë dhe për regjionin e gjerë, por përkundrazi, do të jetë faktor stabiliteti dhe kontribuues në Agjendën Evropiane.
 
Qeveria e Kosovës gjatë muajve të kaluar ka pas dinamik të shtuar në procedimin e ligjeve që rezultojnë nga Plani i Ahtisarit dhe me krenari mund të konkludojmë  se shumica e këtyre ligjeve tani janë miratuar dhe jemi të përkushtuar që këto ligje të mos mbesin teori, por të zbatohen në tërësi me qëllim të garantimit të një ambienti të drejtë dhe ligjor dhe ku shërbimet do të jenë sa ma afër gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dëshirojmë që Kosova të jetë një shembull për rajonin dhe më gjerë në përqafimin e vlerave demokratike dhe Evropiane.
 
Programi i Qeverisë 2008-2011 paraqet bazën për një Kosovën shtet i qytetarëve të saj, i zhvilluar në përputhshmëri me principet demokratike, me një ekonomi të qëndrueshme, mjedis multi-etnik, me përkushtim të plotë kundrejt integrimit Evropian dhe Euro-Atlantik, përmes zbatimit të kritereve dhe me standardet më të larta të përgjegjësisë dhe transparencës.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur , bazuar në Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që të angazhohet dhe të punojë me përkushtim për zbatimin e objektivave strategjike dhe politikave shtetërore, dhe për të siguruar një pozitë të favorshme në rrjedhën e politikës ndërkombëtare. 
 
 
Përveç përkushtimit për integrim në BE, Qeveria do të vazhdojë me konsolidimin e institucioneve qeveritare: kompletimin e legjislacionit dhe luftimin e korrupsionit si dhe krimit të organizuar. Qeveria gjithashtu do të vazhdojë me konsolidimin e administratës publike drejt një stabiliteti institucional në përputhje me standardet Evropiane.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës e dalë nga zgjedhjet, është e vendosur që t’u përgjigjet të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, dhe t’u shërbejë qytetarëve si pjesë e një politike të matur, përgjegjëse dhe transparente e cila do ta shpie Kosovën drejt një zhvillimi të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik për të gjithë qytetarët e saj. Qeveria është e përkushtuar që të krijoj një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.
 
Një Kosovë ekonomikisht e qëndrueshme me shoqëri multi-etnike, në rrugën e saj drejt integrimit Evropian, dhe për të arritur standardet më të larta të përgjegjësisë dhe transparencës, paraqet objektivat kryesore të Qeverisë sonë. Dhe për këtë Qeveria i ndan priroritetet në katër shtylla: Zhvillim Ekonomik, Zbatimi i marrëveshjes për zgjidhjen e statusit, Qeverisje të mirë, dhe Zvogëlim të varfërisë dhe rritja e stabilitet social.
 
Këto prioritete rrjedhin nga procesi I konsultimeve me komuna dhe ministri si dhe me shoqërinë civile. Shpenzimet e këtyre prioriteteve do të përcaktohen me Kornizën Afat-mesme të shpenzimeve. Qëllimi i Qeverisë është që ti bëjë këto prioritete të arritshme edhe në aspektin financiar si dhe të qëndrueshme nga pikëpamja fiskale. Këto prioritete përbëjnë platformën e punës së Qeverisë dhe në të njëjtën kohë do të shërbejnë edhe për Konferencën e Donatorëve për Kosovë.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Kosova, edhe pse në nëntë vitet e fundit ishte në proces të shtet-krijimit dhe themelimit të institucioneve të qëndrueshme demokratike, nuk e ka lënë anash bashkëpunimin me Komisionin Evropian në kontekst të Partneritetit Evropian. Intensifikimi i këtij bashkëpunimi do të vazhdoj në vitet në vijim, sidomos duke pas parasysh qëllimin dhe vizionin e Kosovës që një ditë të jetë pjesë e integruar e familjes Evropiane. Ne jemi të vetëdijshëm që procesi i integrimit Evropian nuk është i lehtë.
 
Njëkohësisht ne jemi të vetëdijshëm që ky mision nuk është i pamundur. E tëra varet nga intensiteti dhe dinamika e institucioneve tona për tu reformuar dhe në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës është me së e përkushtuar. Ne zotohemi që të gjitha obligimet që dalin nga Partneriteti Evropian do të përmbushen në afat sa më të shpejtë. Këtë e kemi dëshmuar edhe me hartimin dhe zbatimin e Planeve të Veprimit të Partneritetit Evropian.
 
Jemi të përkushtuar në përmbushjen e të gjitha obligimeve të Partneritetit Evropian në kohë. Në muajt e kaluar, prioritet i Qeverisë së Kosovës ka qenë hartimi i Planit të Veprimit për Partneritet Evropian, të tretin me radhë si dhe miratimin e Planit për Integrim Evropian 2008-2010 për themelimin e strukturave të avancuara për implementimin sa më efikas të veprimeve që dalin nga ky plan-veprim.
 
Transpozicioni i Legjislacionit Evropian ka filluar edhe pse jemi të vetëdijshëm që kuantiteti i punës është shumë i madh dhe që do të kemi nevojë të aplikojmë acquis Evropiane në mënyrë korrekte. Qëllimet tona janë implementimi, ndërtimi i institucioneve dhe ngritja e kapaciteteve të administratës në bazë të njohurisë sonë. Roli i Parlamentit është më se i nevojshëm, dhe ne do të jemi bashkëpunëtor dhe të hapur për asistenca të llojeve të ndryshme.
 
Qeverisa së bashku me anëtarët e Bashkimit Evropian dhe me Komisionin Evropian dhe shërbimet e tij është duke punuar në partneritet për të ngritur kapacitetet e ministrive të linjës po ashtu. Ne jemi të vetëdijshëm që ministritë e Linjës duhen të jenë në gjendje të ballafaqohen me presionet e shumë prioriteteve konkurruese.
 
 
Zbatimi i asistencës në dispozicion nga të gjithë donatorët multilateral dhe bilateral dhe posaçërisht përgatitja e zbatimit efikas të instrumentit IPA është esencial. Administrata e Kosovës për herë të parë është involvuar drejtpërdrejt në procesin e Programimit IPA 2008. Ne presim që në ciklet e ardhshme të programimit do të kemi edhe më shumë përgjegjësi dhe do të mund të e udhëheqim procesin vet shumë shpejt, natyrisht përmes partneritetit të plotë me shërbimet e KE-së.
 
Ne jemi të vetëdijshëm që hapi i ardhshëm/sfida e Kosovës në procesin e Anëtarësimit në Bashkimin Evropian është të ju bindim juve, Komisionin Evropian dhe shtetet Anëtare, për gatishmërinë dhe përkushtimin e fuqishëm politik (dhe kuptimin real të nivelit të ngritur), për të hyrë në fazën e ardhshme të procesit, të fillojë hapja e Studimeve të Fizibilitetit dhe Negociatave MSA dhe më vonë të hapen negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në linjë me procedurat e rregullta.
 
Fuqizimi i partneritetit me Komisionin Evropian mirëpritet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Me kalimin nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Delegacion të Komisionit Evropian, ne jemi të bindur në përkushtimin dhe angazhimin më gjithëpërfshirës të Komisionit Evropian në proces të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe përsëris besimin e institucioneve tona në ekspertizën dhe rekomandimet e Komisionit Evropian në ndërmarrjen e reformave institucionale.
 
 
Zonja dhe Zotërinj,
 
 
Bashkëpunimi rajonal është në qendër të politikës së Kosovës së RE, Parlamentit dhe Qeverisë. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë dhe sfidat që na presin. Ne kemi treguar dhe do të vazhdojmë të tregojmë që jemi të hapur dhe dëshirojmë t’i zgjedhim të gjitha çështjet që na presin (që disa i kuptojnë si probleme). Ato nuk janë të lehta dhe mund të mos jetë e lehtë për tu zgjedhur për një periudhë të shkurtër kohore mirëpo ne jemi të përkushtuar që të punojmë aq sa është e nevojshme që ti lëmë të gjitha problemet pas nesh, që mos të mos u lëmë gjeneratave që vijnë pas nesh. Ne jemi të gatshëm dhe presim gatishmërinë nga të tjerët po ashtu.
 
 
Së fundi, shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe njëherë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për përkrahje të vazhduar në përpjekjet e institucioneve të Kosovës për anëtarësim në familjen e madhe Evropiane. Përsëris gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të intensifikuar bashkëpunimin tonë në përballje të sfidave që kemi përpara.
 
Ju ftoj që të kemi diskutime të hapura dhe nga ky takim të dalim me konkluzione/ rekomandime që do të na shërbenin në adresimin e sfidave me të cilat po ballafaqohemi.
 
Ju falendëroj për vëmendje dhe ju uroj punë të mbarë

Last modified: 29 Maj, 2008

Comments are closed.

×