Prishtinë, 11 shkurt 2009
Drejtuar nga kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi sot është mbajtur mbledhja konstitutive e Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Merrnin pjesë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, zëvendësi i përfaqësuesit civil ndërkombëtar për Kosovë, z.Fletcher Burton, zëvendës i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, ambasadorë të shteteve të Kuintit, përfaqësues të EULEX-it,
Fjala e Kryeministrit në Këshillin e Sigurisë së Kosovës
I nderuari president Sejdiu,
I nderuari z. Fletcher,
Të nderuar ambasadorë të shteteve të Kuintit
Të nderuar përfaqësues të EULEX-it,
Të nderuar ministra,
Zonja dhe zotërinj,
Sot po fillojmë punën edhe të një institucioni të rëndësishëm të Republikës së Kosovës, të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Në kuadër të përgjegjësive shtetërore të Republikës së Kosovës, prioritet i lartë është formimi dhe forcimi i institucioneve dhe strukturave demokratike të sigurisë, të trajnuara mirë, të përgjegjshme dhe të gatshme për të parandaluar dhe përballur me çdo kërcënim të sigurisë që u kanoset qytetarëve të Kosovës, në bashkëpunim me strukturat ndërkombëtare të sigurisë.
Me funksionalizimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës sot, ne po përmbushim një obligim të rëndësishëm kushtetues për avancimin e sektorit të sigurisë në vendin tonë.
Me formimin e tij, kurorëzohen angazhimet e përbashkëta për kompletimin e strukturave bashkëkohore demokratike në fushën e sigurisë njerëzore, publike dhe shtetërore.
Qeveria e Republikës së Kosovës, së bashku me presidentin, Kuvendin e Republikës së Kosovës, do t’ju ofrojnë tërë mbështetjen e nevojshme strukturave të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në Kosovë, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agjencisë për Inteligjencë të Kosovës, Doganave të Kosovës.
Në bashkëpunim me këto struktura, Këshilli i Sigurisë do të ushtrojë rol të rëndësishëm koordinues dhe vlerësues gjatë hartimit të politikave të sigurisë në Kosovë.
Institucionet e Republikës së Kosovës, përmes Këshillit dhe strukturave të sigurisë publike dhe të inteligjencës do të kujdesen, mbikëqyrin dhe garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës do t’i rekomandojë Qeverisë së Kosovës politika dhe strategji; do t’i ofrojë raporte, vlerësime dhe komente për të gjitha çështjet që ndërlidhen me politikat e sigurisë në Republikën e Kosovës.
Derisa në situatë normale të përditshmërisë do të ushtrojë rol këshillëdhënës dhe hartues, në periudha të gjendjeve të jashtëzakonshme shoqërore, Këshilli i Sigurisë i Kosovës do të ketë autoritet dhe përgjegjësi ekzekutive.
Në këso raste, Këshilli do të ketë kompetenca të plota për koordinim të veprimeve dhe menaxhim efikas të situatave që mund ta kërcënojnë sigurinë e përgjithshme të vendit.
Krahas anëtarëve të tij me autoritet ekzekutiv dhe këshillëdhënës – përhershmëria e të cilëve është e kufizuar me mandatin politik – Këshilli përbëhet nga organet e veta mbështetëse:
- Sekretariatin
- Qendrën e Situatave, dhe
- Komisionin për Inteligjencë.
Të nderuar të pranishëm
Uroj që takimi i parë i Këshillit të Sigurisë së Kosovës të shënojë hapjen e një kapitulli të ri në përpjekjet vendore dhe ndërkombëtare – për ta bërë Kosovën shtet të sigurt, stabil dhe bashkëkohor.
Në këtë kuadër, Institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me ato të vendeve të rajonit dhe të bashkësisë ndërkombëtare për të luftuar krimin, kontrabandën dhe trafikimin ndërkufitar dhe ndërkombëtar.
Përfundimisht, uroj që ky forum i rëndësishëm t’i shërbejë parimit tonë të përbashkët dhe fundamental – se një Kosovë e sigurt nënkupton prosperitet për qytetarët e Kosovës dhe stabilitet për rajonin.
Last modified: 11 Shkurt, 2009