Prishtinë, 6 prill 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, me rastin viktimave të tërmetit.
Në telegram thuhet:
I nderuar kryeministër Berlusconi,
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta Ju dhe popullit italian, për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti i ditës së sotme.
Kjo tragjedi ka prekur thellë ndjenjat e gjithë njerëzve anembanë rruzullit, dhe ne solidarizohemi me familjet e viktimave që humbën të dashurit e tyre.
Zoti kryeministër,
Shpreh bindjen se Qeveria Juaj dhe populli italian do të gjeni forca për ta përballuar këtë tragjedi.
Qeveria e Kosovës është e gatshme që të jetë pranë jush.
Qytetarët tanë i janë mirënjohës Qeverisë dhe popullit italian për ndihmesën e dhënë në ndërtimin e vendit, forcimin e paqes dhe ardhmërinë e evropiane të Kosovës.
Edhe njëherë ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta,
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës
Last modified: 6 Prill, 2009