Prishtinë, 21 nëntor 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot një delegacion të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës të Kosovës, të prirë nga kryetari Ali Shabanaj. Në takim, ku kanë marrë pjesë edhe ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj dhe zëvendësministri i kësaj ministrie, Agim Hyseni, është diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer mes Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK-ut, në funksion të krijimit të kushteve sa më të mira për të gjithë punonjësit arsimorë të Kosovës.
Në vazhdim, po i prezantojmë të plota deklaratat e kryeministrit Thaçi dhe kryetarit të SBASHK-ut, Shabanaj, pas takimit
Kryeministri Thaçi:
Për mua sot ishte kënaqësi të takohesha me përfaqësuesit e SBASHK-ut. Ne gjatë këtyre tri viteve, si Qeveri e Kosovës kemi pasur, një bashkëpunim të shkëlqyeshëm që i ka munguar më herët edhe SBASHK-ut, por edhe institucioneve të vendit. Një bashkëpunim që ka reflektuar me një koordinim të shkëlqyeshëm në mes të Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK-ut.
Tash jemi në një proces të ri në një proces që kërkon natyrisht vazhdimin e agjendës shtetërore. Ju e dini që në fillim të mandatit neve kemi marrë vendim për rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e arsimit të mesëm dhe fillor deri në 47 për qind, deri sa për punëtorët universitarë qind për qind. Ka qenë edhe premtim dhe zotim i imi edhe më herët që së bashku duke diskutuar me përfaqësuesit e arsimit të shikojmë mundësitë, solucionet më të mira për nxjerrjen vendimeve të reja për rritjen e pagave edhe në procesin e tanishëm për gjithë punëtorët e arsimit të mesëm edhe fillor.
Prandaj, ne sot erdhëm në konkludimin e përbashkët, që kemi diskutuar edhe më herët, se që nga 1 janari i vitit të ardhshëm për gjithë punëtorët e arsimit të mesëm edhe fillor do të ketë një rritje të pagave për 50 për qind. E bëjmë këtë për të investuar në edukim, duke qenë të bindur se investimi në edukim është investim në ekonomi, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të vendit.
Investimi në edukim, në fakt do të krijojë edhe mundësi për reforma edhe më të thella në të gjitha drejtimet e sektorit të edukimit. Dëshiroj ta falënderoj edhe publikisht ministrin Hoxhaj dhe zëvendësministrin Hyseni për një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me SBASHK-un. Ne
do jemi bashkërisht edhe në përkushtimet e tona të mëtutjeshme. Mendoj se ky është hapi tjetër shtesë i përgjegjësisë shtetërore të Qeverisë së Kosovës në raport me gjithë punëtorët e arsimit të mesëm dhe fillor.
Kryetari i SBASHK-ut, Shabanaj:
Ishte kënaqësi jona që edhe në një ditë pushimi të bisedojmë me kryeministrin dhe stafin e tij për përfunduar në mënyrë logjike negocimet që kemi bërë në vazhdimësi për rritjen e mirëqenies së punëtorëve të arsimit, për një arsim më ndryshe, për një arsim që ka prioritet Qeveria e Kosovës, Ministria e Arsimit dhe të gjitha ata që janë lidhur me të.
Ky partneritet është ndërtuar që në momentin kur kjo qeveri ka ardhur në pushtet edhe një partneritet real, ashtu siç e tha kryeministri duke filluar me lëvizje pozitive të pagave të punëtorëve parauniversitar në vitin 2008, në një lëvizje substanciale të pagave të punëtorëve të arsimit universitarë në vitin 2009. Tani, përsëri arsimi parauniversitar sipas zotimeve të ministrit të Arsimit dhe të kërkesave të SBASHK-ut po realizohet një kërkesë imediate e punëtorëve të arsimit, por një përpjekje e qartësimi të jetë strumbullar i zhvillimit të shtetit.
Dhe në këtë kuptim, kryeministri, Ministria e Arsimit dhe të gjithë ata që janë të lidhur me sistemin e arsimit po bëjnë përpjekje që në të vërtet të krijohen ndryshime pozitive, ndryshime substanciale pozitive edhe kërkesat e gjitha tyre, që janë në sistemin e arsimit të lidhur të arsimit parauniversitarë të realizohen sot.
Unë e falënderoj përzemërsisht kryeministrin, ministrin e arsimit dhe zëvendësministrin për kontributin e tyre dhe për mirëkuptimin e tyre për punëtorët e arsimit parauniversitarë.
Mbetet që kjo përqindje që e deklarojë kryeministri, për cilin nuk kam nevojë unë të deklaroj të bisedohet me ministrin e Arsimit dhe të gjendën modalitete që aty të përfshihen edhe punëtorët tjerë që nuk janë me ditarë në dorë por që kontribuojnë për punën, angazhimin, aktivitetin edhe realizimin e detyrave ditore, detyrave vjetore dhe detyrave në përgjithësi të punëtorëve të arsimit.
Prandaj, është një përfundim logjik dhe një mirëkuptim, është një partneritet që po ndërtohet dhe uroj që ky partneritet të vazhdojë. Prandaj, e falënderoj kryeministrin për kontributin, angazhimin dhe zotimet e tija të cilat deri më tani me SBASHK-un si partner social janë realizuar në mënyrë të shkëlqyera.
Last modified: 21 Nëntor, 2010