Prishtinë, 22 maj 2010
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pas vizitës zyrtare dy ditore në Republikën e Turqisë sot është kthyer në vend. Në një konferencë shtypi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës kryeministri Thaçi ka vlerësuar shumë të suksesshme këtë vizitë dhe ka falënderuar kryeministrin Recep Tayyip Erdoğan dhe popullin e Turqisë për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore që i është bërë delegacionit shtetëror nga Republika e Kosovës.
“Kthehem nga vizita zyrtare në Turqi, një ndër vizitat më të rëndësishme dhe me mesazhe historike për perspektivën e Republikës së Kosovës”, theksoi z. Thaçi duke shtuar se në takimet me kryeministrin Erdogan dhe kryetarin Gul kemi diskutuar për çështjet për zhvillimet në rajon për perspektivën e Kosovës dhe njohjet e reja për Kosovën. Në të gjitha takimet është vlerësuar lartë bashkëpunimi bilateral midis dy vendeve dhe është shprehur gatishmëria për ngritjen dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, sigurisë, arsimit, kulturës dhe ambientit.
Me këtë rast kryeministri Hashim Thaçi ka veçuar edhe takimin në Këshillin Ekonomik kosovaro- turk në të cilin është biseduar për mbështetjen e investitorëve turq për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Po ashtu z. Thaçi ka potencuar se gjatë vizitës në Turqi janë nënshkruar katër marrëveshje bashkëpunimi midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në fushën e transportit, të bujqësisë, arsimit dhe ambientit.
Kryeministri Thaçi në konferencë shtypi ka theksuar se Qeveria e Turqisë në mënyrë të veçantë është shprehur e gatshme të përkrah Universitetin Publik të Prizrenit.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe delegacioni i lartë shtetëror i Kosovës nga vizita në Republikën e Turqisë është kthyer në vend me aeroplanin special të kryeministrit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Kryeministrin Thaçi në vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë e shoqëruan ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ministri i Tregtisë, dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ministri Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yağcılar dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci.
Last modified: 22 Maj, 2010