I nderuar Piter Feith,
I nderuar ministër Ferati,
Të nderuar të gjithë ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Autoritete ndërkombëtare, diplomatike dhe mekanizma të tjerë,
Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni që t’ju uroj duke ju përshëndetur të gjithë juve të pranishëm në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Sot jemi duke zhvilluar takimin e tetë të Grupit për Decentralizim dhe të shpreh mirënjohjen time për punën që ka bërë ministri Ferati, ministrinë që ai e udhëheqë, gjithë stafin e tij, Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe z.Feith, partnerët tanë ndërkombëtar dhe ekipet përgatitore komunale.
Kjo është një mirënjohje për punën tonë të përbashkët, duke i përmbushur detyrat për këtë proces shumë të rëndësishëm.
Të nderuar të pranishëm,
Më 15 nëntor, ku do të zhvillojmë zgjedhjet e para, të lira në Kosovën e pavarur e demokratike, do të kemi zgjedhje në 36 komuna të Republikës së Kosovës.
Ne presim që këto zgjedhje të paraqesin pjesëmarrjen më të madhe të të gjithë qytetarëve, të shqiptarëve, serbëve, të tjerëve, duke dëshmuar qasjen e barabartë në të gjitha institucionet tona, një qasje integruese dhe natyrisht, një përfaqësim shumetnik.
Qëllimi dhe puna jonë, është që të ndërtojmë rend demokratik, të ndërtojmë demokraci të re dhe të ndërtojmë multietnicitet.
Është mjaft inkurajuese të theksoj se në këto zgjedhje, certifikimi i subjekteve politike joshqiptare, në veçanti atyre serbe, është rekord.
Kjo është dëshmi e suksesit tonë, për çka përfshihet edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, që i falënderoj për vlerësim.
Ne tashmë e kemi hapur edhe zyrtarisht fushatën zgjedhore. Dua të theksoj edhe njëherë që Republika e Kosovës, të gjitha institucionet e saj, synojnë që të ketë zgjedhje të lira, demokratike, të ndershme dhe të pranueshme në të gjitha lokalitete e Kosovës, sidomos në komunat e reja me shumicë serbe.
Është shumë inkurajuese që kemi numër të madh të subjekteve politike për zgjedhjet komunale.
Në të njëjtën kohë, dëshiroj të theksoj se çdo thirrje për bojkot, qoftë për komunitetin serb, qoftë për të tjerët, është një thirrje për regres, është një thirrje negative, është një thirrje që nuk e ndihmon demokracinë, që e pengon zhvillimin dhe progresin e shtetit të Kosovës.
Prandaj, ftesa ime për të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe për ata serbë, është që të jenë sa më prezent, sa më të përfaqësuar në institucionet lokale, që do të dalin pas zgjedhjeve të 15 nëntorit.
Tanimë, kemi zotimet e para shumë të përgjegjshme edhe me nënshkrimin e Kodit të Mirësjelljes. Ne ishim nënshkrues të asaj deklarate të përbashkët dhe dëshiroj të theksoj me bindje se të gjithë subjektet politike do t’ju përmbahen atij premtimi.
Përparimet tona në jetësimin e vlerave të demokracisë dhe të standardeve evropiane të decentralizimit, po arrijnë pikërisht kur Kosova ka arritur një vizion të qartë për integrime evropiane dhe euroatlantike.
Pikërisht suksesi ynë që kemi arritur në Kosovë, duke respektuar në përpikëri dokumentin e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet tona, nxjerrjen e legjislacionit bashkëkohor, ka bërë që të kemi perspektivën evropiane për Kosovën, perspektivën për liberalizimin e vizave, për marrëdhënie tregtare dhe dialogun për procesin e Stabilizim Asociimit.
Ky vizion është përmendur shumë qartë edhe në studimin për Kosovën dhe perspektivën evropiane.
Këto janë të arritura historike të të gjithë neve.
Falënderoj edhe partnerët ndërkombëtar, ICO, z.Feith, EULEX-in, gjithë partnerët e Bashkimit Evropian, vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe vendet që janë në proces të njohjes, por mbështetës të të arriturave në Kosovë, qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë partnerët tanë.
Ne, duke vazhduar me zbatimin e planit të presidentit Ahtisaari në procesin e decentralizimit, po ofrojmë vendimmarrjen dhe pushtetin tek qytetarët tanë, veçanërisht tek serbët, dhe t’i ofrojmë qytetarët tanë më afër Evropës dhe strukturave tjera euroatlantike.
Këto janë gjëra që unë si Kryeministër i Kosovës, Qeveria, të gjitha institucionet, janë zotuar për t’i implementuar, por në të njëjtën kohë këto të arritura do të vlerësohen në vazhdimësi edhe në raportet tjera ndërkombëtare, por para së gjithash do të reflektohen drejtpërdrejt në jetën më të mirë, më të sigurt, më të prosperuar të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Të gjithë e vlerësojnë progresin e arritur në Kosovë dhe të gjitha po punojmë që të ketë ecje të mëtutjeshme të sigurt.
Dëshiroj të theksoj edhe bashkëpunimi në mes institucioneve qendrore dhe atyre legjitime lokale, do të thellohet rrjedhimisht do të ketë bashkëpunim edhe mes qytetarëve, institucioneve, subjektit politik, një harmonizim edhe më efektiv mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore.
E kam theksuar shpesh dhe ripotencoj edhe sot, se, ne po punojmë që të ndërtojmë Kosovën demokratike, Kosovën atdhe të të gjithë qytetarëve të saj.
Ne e dimë se puna jonë nuk përfundon vetëm me formimin e komunave të reja. Tani e tutje, formimi, funksionimi sa më efektiv, efikas, do të jetë një përgjegjësi e re jona. Pra, zbatimi në jetë i procesit të decentralizmit.
Dëshiroj të theksoj se mund të ketë zëra hezitues ndaj këtij procesi, por vendimet që jemi duke i marrë ne, bashkërisht me partnerët ndërkombëtar, janë vendimet më të drejta, janë vendime që dalin nga dokumenti i presidentit Ahtisaari, nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj.
Prandaj, secili duhet të jetë i kujdesshëm në punë dhe veprimet e veta.
Mos të mendoj askush se duke ndërmarrë diçka kundër EULEX-it, ICO-së, e ndihmon shtetin e Kosovës, e dëmton përkundrazi.
Dëshiroj edhe njëherë të theksoj, duke i falënderuar të gjithë për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë këtij procesi, se zgjedhjet e 15 nëntorit, do të jenë një sprovë e re e jona, një mesazh i ri. Besoj fuqishëm në sukses, që të organizojmë zgjedhje të lira, fer, demokratike, sa më gjithëpërfshirëse, një participim edhe më të madh dhe një sukses të konsoliduar për demokracinë në Kosovë.
Ju faleminderit!
Last modified: 16 Tetor, 2009