Prishtinë, 18 nëntor 2008
Misioni i EULEX-it në Kosovë është i pranueshëm vetëm në bazë të Planit të Presidentit Ahtisaarit, ka thënë kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për mediat serbe.
Problemi është në Beograd, pasi Beogradi definitivisht duhet ta kuptoj se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, ka thënë kryeministri Thaçi, për B92.
Beogradi nuk ka autoritet në Kosovë, tendenca të tilla të Beogradit duhet të harrohen njëherë e përgjithmonë”, ka shtuar kryeministri i Republikës së Kosovës.
Në Kosovë nuk do të ketë struktura jolegale dhe jolegjitime, nuk do të ekzistojnë struktura paralele në drejtësi, polici, dogana ose në sektorë të tjerë. Ne do të funksionojmë në mënyrë stabile, si shtet unik, me sistem funksional për të gjithë qytetarët e Kosovës, është shprehur z.Thaçi.
Sa i përket EULEX-it, kryeministri Thaçi ka thënë se ky mision ka mandat dhe mbështetje të plotë nga të gjithë mekanizmat e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe është i pranuar mirë nga Prishtina.
Kemi bashkëpunim të ngushtë, por nuk do të pranojmë kushte të reja për shtrirjen e EULEX-it. EULEX-i ka mandat të plotë dhe këtë e mbështesim në tërësi. Ne jemi partnerë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Last modified: 18 Nëntor, 2008