Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ne jemi të përkushtuar që të përqafojmë vlerat evropiane dhe të garantojmë paqen dhe sigurinë në rajon

13 Korrik, 2012

Prishtinë, 13 korrik 2012

Në vazhdim po ju sjellim të plotë fjalimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në hapjen e takimit të Tretë të Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociimit.  

Të nderuar përfaqësues të Komisionit Evropian,

Të nderuar Zëvendëskryeministra

Të nderuar Ministra,

Të nderuar kolegë të institucioneve të Republikës së Kosovës,

Zonja dhe Zotërinj,

Fillimisht ju dëshiroj mirëseardhje të gjithë të pranishmëve në këtë takim.

Kam kënaqësinë të hap takimin e rregullt vjetor të Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociimit.

Takimi i tretë i Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociimit po mbahet në vitin kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian po shënojnë një kthesë të madhe përmes intensifikimit të agjendës Evropiane.

Pra, mund të themi që ky vit po shënon formalizimin e raporteve Kosovë-BE.

Për herë të parë në historinë e Kosovës kemi shënuar progres formal dhe konkret në avancimin e marrëdhënieve zyrtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Pra, përmes Pyetësorit dhe Studimit të Fizibilitetit ne po hapim rrugë drejt fillimit të negocimit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.  Poashtu këtë vit kemi pranuar  formalisht udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave si dhe formalisht kemi filluar dialogun strukturuar në fushën e sundimit të ligjit me Bashkimin Evropian.

Më lejoni të riafirmoj pozitën e Qeverisë duke theksuar që ne jemi tërësisht të përkushtuar për procesin e Integrimeve Euro-Atlantike të Kosovës si qëllimi ynë kryesor strategjik, dhe jemi plotësisht të vetëdijshëm që procesi i integrimit në Bashkim Evropian është proces shumë kompleks që kërkon angazhim maksimal nga Qeveria por dhe pjesë tjera të shoqërisë kosovare. Ne jemi të përkushtuar që të përqafojmë vlerat evropiane dhe të garantojmë paqen dhe sigurinë në rajon, si dhe të thellojmë bashkëpunimin me fqinjët tanë në rajon.

Në të kaluarën kam deklaruar se Qeveria ime është plotësisht e angazhuar në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit, dhe këtë e deklaroj edhe sot me plot përgjegjësi të plotë dhe përkushtim.

Prandaj, intensifikimi i dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian i cili po ndodh këto ditë kontribuon në mënyrë përmbajtjesore në avancimin e Kosovës drejtë integrimit në Bashkimin Evropian.

Unë dëshiroj para gjithë juve ta falënderoj z.Zhbogar për bashkëpunimin e ngushtë që jemi duke e zhvilluar në takime dhe punën tonë të përditshme në Kosovë.

Pra, hapja e derës për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nga ana e Komisionit Evropian është shumë ë rëndësishme jo vetëm për Kosovën por edhe vet rajonin dhe Bashkimin Evropian. Për këtë shfrytëzoj rastin të falënderoj në emrin tim, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit të Kosovës për punën e palodhshme që e bënë Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Desku i Kosovës në Drejtoratin e Zgjerimit në Bruksel dhe Komisionin Evropian në përgjithësi.

Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të vazhdoj me fuqizimin e strukturave institucionale për integrim në Bashkim Evropian.

Ne jemi të përkushtuar maksimalisht që agjendën evropiane ta bëjmë pjesë të pandashme të punës së përditshme të Qeverisë. Kemi punuar këtë vit, dhe do të punojmë edhe më shumë në muajt dhe vitet që vijnë në mënyrë që ju si Komision Evropian të keni argumentet e nevojshme për të lobuar në avancimin e Kosovës në procesin e integrimit.

Të nderuar të pranishëm

Në dhjetor të vitit 2011 Qeveria e Republikës së Kosoves ka aprovuar Planin e Veprimit për Partneritet Evropian 2012 , dokument i cili këtë vit aprovohet 6 muaj më herët se në vitin 2010 dhe është një dokument shumë më strategjik dhe konkret.

Kemi punuar bashkërisht në përfundimin fazës së parë të Studimit të Fizibilitetit për Kosovën, me dërgimin e përgjigjeve në pyetësorin e Komisionit Evropian. Gjithashtu, ka përfunduar edhe misioni fakt-mbledhës i Bashkimit Evropian. 

Ne kemi ndërmarr masa dhe veprime konkrete në lidhje me përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme dhe aprovimit të Ligjeve në fushën e sundimit të ligjit dhe që ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave. Duke marrë parasysh progresin e arritur dhe rendësin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës,  presim që përmbushja e kritereve nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës të vlerësohet në mënyrë transparente, meritore dhe në bazë të rregullave të përcaktuara sikurse për çdo shtet në Ballkanin Perëndimor.

Zonja dhe Zotërinj,

Në fund, dëshiroj të shfrytëzoj rastin që edhe një herë të falënderoj përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për institucionet e Kosovës për anëtarësim në familjen e madhe Evropiane. E përsëris që Kosova është e gatshme të intensifikoj bashkëpunimin tonë për të ballafaquar me sfidat që janë para nesh.

Pra, Kosova është unike, pozitë-opozitë, gjithë spektri kosovar, jgithë nacional për perspektivën evropiane të Kosovës.

Ju ftojë të gjithëve që të kemi një diskutim të hapur dhe të dalim në fund të takimit, me rekomandime që do të shërbejnë për ne si udhëzues i punës qe duhet bërë në kuadër to Agjendës Evropiane.

Ju faleminderit. 

Last modified: 13 Korrik, 2012

Comments are closed.