Prishtinë, 27 shkurt 2013
Nën drejtimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur mbledhja e radhës e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjeni më poshtë të plotë fjalën e kryeministrit në fillim të mbledhjes:
Të nderuar zëvendëskryeministra
Ministra
Kabinet qeveritar
Më lejoni që në fillim të mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të ndaj me ju në pika të shkurta rezultatet e takimit të pestë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Ashtu siç jeni në dijeni, javën e kaluar, me datë 19 shkurt në Bruksel, u mbajt raundi i pestë i negociatave ndërmjet delegacionit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen së baroneshës Ashton, si dhe mbështetjen e plotë e të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që u konfirmua mbrëmë edhe me telefonatën e zëvendës sekretarit Burns.
Si kryeministër i vendit, dje kam informuar presidenten Jahjaga, ndërsa nesër do t’i raportojë Kuvendit, ashtu siç e përcakton rezoluta e miratuar për këtë qëllim.
Raundi i pestë i bisedimeve ka qenë më dinamikë dhe ka zgjatur dy ditë. Temë kyçe e këtij takimi ka qenë shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave paralele ilegale të sigurisë në veri të vendit dhe ndalimi i financimit të tyre nga Serbia.
Unë mund t’iu them me përgjegjësi se Serbia në takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel, është pajtuar verbalist që të heq dorë nga përkrahja, organizimi dhe financimi i strukturave ilegale në veri të vendit dhe do të jetë e detyruar të punojë për shpërbërjen e plotë të tyre.
Gjithashtu, kryeministri i Serbisë, z.Daçiq, është zotuar se do të përmbushë një obligim të tillë, pavarësisht se a do të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse në fund të proceseve të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Prandaj, që të sigurohemi që një gjë e tillë do të ndodhë, ne në takimin e ardhshëm presim që të përcaktojmë afatet kohore për zhbërjen e plotë të të gjitha strukturave të sigurisë, pra, MUP-it dhe individëve të tjerë.
Ne, gjithashtu, në takimin e radhës, që do të mbahet më 4 mars, presim që të përcaktojmë detajet tjera për themelimin e mekanizmit implementues të marrëveshjeve të arritura, që do të kenë rolin kyç në zbatimin e marrëveshjeve në praktikë.
Një çështje tjetër e rëndësishme që është diskutuar, ka të bëjë me normalizimin politik të pjesës veriore të Kosovës.
Gjithashtu, kjo çështje ka në vete disa komponentë të rëndësishme, si ajo më thelbësorja – organizimi i zgjedhjeve të lira, regjistrimi civil i popullsisë edhe për atë pjesë.
Lidhur me organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komuna veriore të Kosovës, mund t’iu them se ka një pajtueshmëri ndërmjet palëve të përfshira në dialog dhe mbështetje të BE-së dhe SHBA-së.
Jemi treguar pragmatik në qasjen tonë, duke pranuar faktin se këto zgjedhje lokale mund të organizohen në aspektin teknik nga një organizatë ndërkombëtare, që në rastin tonë do të jetë OSBE-ja.
Pra, zgjedhjet e ardhshme lokale në ato komuna, do të organizohen dhe menaxhohen nga OSBE-ja, por kjo do të ndodh me ftesën që do t’i bëhet OSBE-së nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Ndërsa, s’ka dyshim, se zgjedhjet do të mbahen në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe ato do të certifikohen nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës.
Një element tjetër që është diskutuar, që ndërlidhet me propozimin për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Unë dua t’iu sqaroj sot, të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, kabinet qeveritar dhe gjithë opinionin publik kosovar, se themelimi i një asociacioni të tillë është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale të vendit tonë.
Asociacioni që do të themelohet nuk do të ketë rol ekzekutiv dhe as ligjvënës. Pra, nuk mund të jetë zëvendësim i kuvendeve komunale, dhe përgjegjësitë e komunave nuk mund të barten tek ky asociacion.
Pra, në asnjë rrethanë nuk do të lejohet formimi i një niveli të tretë të pushtetit në Kosovës dhe këtu ne kemi vënë edhe vijat e kuqe edhe Serbisë dhe gjithë atyre që kanë kërkuar diçka të tillë, por, në të njëjtën kohë dua të sqaroj se, unë nuk mund të ndaloj ëndrrën e Serbisë, por diçka e tillë është e parealizueshme në Republikën e Kosovës dhe nuk mund t’ua ndaloj që ata të mos flasin, por në Kosovë nuk do të jetë e realizueshme.
Asociacioni nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejt. Anëtarët e këtij trupi do të mund të jenë kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të vendit, por edhe të komunave tjera me shumicë serbe në Kosovë, që të mos ketë karakter regjional, por integrues.
Komunat tjera me shumicë serbe të Republikës së Kosovës, mund të zgjedhin vetë, nëse duan t’i bashkohen një mekanizmi të tillë apo jo. Është krejt fakultative, është një shoqatë, një OJQ, që është e përcaktuar me dokumentin e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj.
Mirëpo, edhe komunat serbe në veri të vendit, mund t’i bashkëngjiten çdo asociacioni të komunave të Kosovës që mund të formohen.
Në këtë drejtim nuk ka asgjë të panjohur tek themelimi i këtij asociacioni dhe një gjë e tillë nuk bie, në asnjë rrethanë, me asnjë formulim, me asnjë parim, ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës .
Unë dua edhe njëherë t’i sigurojë qytetarët e Republikës së Kosovës, se në asnjë rrethanë nuk do të lejohet që të ndodh ndonjë kompromis, i cili në një mënyrë të drejtpërdrejt apo indirekte, do të binte ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Gjithë përkushtimi i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është drejt angazhimeve për funksionalizimin e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës në nivel qendror dhe lokal, në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, ne do të sillemi në mënyrë shumë të përgjegjshme me faktorin, me BE-në, SHBA-në, në mënyrë që të sigurohemi se fundi i këtij procesi të normalizimit do t’i japë një shtytje më të fuqishme avancimit të agjendës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në NATO dhe Bashkim Evropian.
Të nderuar të pranishëm,
Ne mund t’i bëjmë realitet synimet tona, vetëm duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe duke kultivuar marrëdhëniet e mira fqinjësore me të gjitha shtetet fqinje duke përfshirë edhe Serbinë.
Pra, pres një dinamikë të re në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë; funksionalizim të plotë të shtetit tonë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës; respektim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe respektimit të plotë të të gjitha standardeve më të avancuara evropiane.
Prandaj, dua të mbesim me shpresë dhe optimizëm në realizimin e plotë të objektivave tona, që lidhen edhe me respektimin e plotë të rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që i jep mbështetje Qeverisë për këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi, për krijimin e Kosovës së re; ndërtimin e Kosovës demokratike, të rendit dhe ligjit; të Kosovës evropiane, si atdhe të të gjithë qytetarëve të saj që jetojnë në Kosovë.
****************
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për themelimin e strukturave ndër-institucionale për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ministria e Integrimit Evropian do t’i ofroj udhëzimet e nevojshme Grupeve Punuese për procesin e negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, bazuar në kërkesat dhe marrëveshjet me BE-në të cilat duhet të përmbushen me qëllim të negocimit të suksesshëm të MSA-së.
Kabineti ka miratuar Projektligjin për Avokatinë, qëllimi i të cilit është harmonizimi me legjislacionin e fushës së drejtësisë me qëllim të rregullimit të një infrastrukture ligjore që siguron një sistem juridik të qëndrueshëm dhe funksional. Një harmonizim i tillë vjen si rezultat i reformës se sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Republikën e Kosovës.
Në mbledhje është miratuar edhe propozim vendimi për Themelimin e Këshillit Organizativ për manifestimin gjithë-popullor për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të mbahet më 5, 6 dhe 7 mars e cila do të organizohet nën patronazhin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Është miratuar edhe projekt-udhëzimi Administrativ për mënyrën e ofrimit të ndihmës nga Policia e Kosovës për Organet Qeveritare.
Treguesi i Drejtësisë për Fëmijë, që është miratuar në këtë mbledhje, shpjegon mënyrën se si matja e treguesve mund të kontribuojë në mbrojtjen e fëmijës në konflikt me ligjin.
Last modified: 14 Maj, 2022