Prishtinë, 19 maj 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, sot ka vizituar komunën e Vitisë për tu njohur me projektet që janë duke u zhvilluar në këtë komunë.
Fillimisht kreu i qeverisë, Hashim Thaçi ka inspektuar nga afër punimet në rrugën në asfaltim e sipër Viti- Beguncë, e cila është financuar nga buxheti i Kosovës.
Më pas kryeministri Thaçi ka inspektuar objektin e ri të shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” në qendër të Vitisë.
Kryeministri Thaçi ka thënë me këtë rast se është këtu në Viti, për t’i inspektuar të gjitha projektet, të cilat i kemi investuar dhe bashkërisht me autoritetet komunale po i finalizojmë edhe ndërtimin e katër objekteve shkollore dhe dy të tjera që do të fillojnë sivjet. Gjithashtu, shumë kilometra rrugë, kanalizim, dhe rrjetit të ujësjellësve.
“Edhe Vitia, si gjithë Kosova, po ndryshon, po ndryshon për të mirë, po modernizohet, po lehtësohet jeta e qytetarëve. Unë dua të besoj fuqishëm se do të kemi investime edhe më të mëdha, si dhe ndryshime të mëdha”, ka thënë z. Thaçi, duke shtuar se është mjaft inkurajues edhe në zgjerimin e rrugëve edhe në qytet, zgjerimin e hapësirave të gjelbërimit, kopshtet gjithashtu.
“Jam i inkurajuar me këtë progres, me ndryshmet të cilat po ndodhin këtu. Jam inkurajuar me qeverisjen e mirë dhe vetëm e vetëm në shërbim të qytetarëve të autoriteteve komunale në Viti. Prandaj, ju uroj sukses, por në të njëjtën kohë t’ju konfirmoj mbështetjen e re, të vazhdueshme në hapat tonë të mëtutjeshëm”, premtoi z. Thaçi.
Kryeministri Thaçi tha se këto ndryshime që po ndodhin nënkuptojnë shkëputje nga e kaluara, shkëputje nga prapambeturia , varfëria dhe fillimi i jetës së re, progresit, jetës në shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës, në jetën e re për zhvillim, në krijimin e vendeve të reja të punës, dhe të integrimit të sigurt të Kosovës në strukturat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Last modified: 19 Maj, 2009