Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Monumenti kushtuar NATO-së shpreh falënderimin e popullit të Kosovës për Aleancën Veriatlantike

12 Qershor, 2010

Prishtinë, 12 qershor 2010
 

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Jakcilar, sot mori pjesë  në përurimin e Monumentit të Paqes kushtuar Trupave të NATO-së në Prizren. 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës me këtë rast qytetarëve të Prizrenit u uroi Ditën e Çlirimit. “Sot po shënojmë ditët e lirisë së  shtetit tonë, ditët kur shënuam kthesën historike të vendit dhe shoqërisë sonë”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se Kosova tashmë ka fituar njohjen e fuqishme nga 69 shtete.

“Sot Kosova ka të ardhme të sigurt euro-atlantike. Është hapur kapitull i ri, ai i integrimit të Kosovës në NATO dhe në BE  dhe po ndërtohet një shtet sipas standardeve demokratike dhe multietnike dhe shembulli më i mirë për këtë është vet qyteti i Prizrenit”, theksoi kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi, Monumentin e NATO-s që u përurua sot e vlerësoi si monument që pasqyron shpirtin dhe zemrat e qytetarëve të Kosovës, sepse atëherë kur njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, popullata e Kosovës luftoi kundër aparatit të dhunshëm policor e ushtarak serb, në krah të tyre dolën forcat e Aleancës së NATO-s.

Kryeministri Thaçi me këtë rast shprehu falënderimin për të gjitha vendet e Aleancës dhe SHBA-në që u vunë në anën e humanizmit dhe paqes.

Ndërkaq, komandanti i KFOR-it në Prizren, gjenerali gjerman Manfred Hofmeyer, monumentin e vlerësoi si simbol të mirënjohës të popullit të Kosovës për paqeruajtësit ndërkombëtarë.

Ramadan Muja, kryetari i Komunës së Prizrenit, shprehu dëshirën që së shpejti krahas flamujve të vendeve të tjera anëtare të NATO-s, të valojë edhe flamuri i Kosovës.

Last modified: 12 Qershor, 2010

Comments are closed.