Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Miratimi i këtyre objektivave do ta forcojë përkushtimin tonë ndaj partneritetit global

17 Tetor, 2008

Prishtinë, 17 tetor 2008
 
I nderuari President, z. Sejdiu,
I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Krasniqi,
Të nderuar ministra,
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj
 
Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik që nga 17 shkurti i këtij viti.

Si shtet i ri, Republika e Kosovës ka përgjegjësi jo vetëm brenda kufijve të saj por edhe ndaj familjes së shteteve sovrane dhe bashkësisë ndërkombëtare, me të cilat ndan obligimin për të bashkëpunuar dhe bashkërenduar në nivelin rajonal dhe atë global.
 
Deklarata e Mijëvjeçarit, e adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar më 8 shtator 2000, dhe e mbështetur nga 189 shtete të botës, është në përputhje me vizionin tonë në pikëpamje të parimeve dhe vlerave të dinjitetit njerëzor, barazisë dhe përbashkësisë së të gjithë qytetarëve të shtetit tonë.
 
Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit të OKB-së janë pjesë e rëndësishme të përmbushjes së obligimeve shtetërore të Republikës së Kosovës në rrafshin e brendshëm dhe atë global.
 
Kuvendi i Republikës së Kosovës sot po ndërmerr hapin historik të votimit të Rezolutës për miratimin e Objektivave të Mijëvjeçarit, tetëqëllimet zhvillimore të të cilit janë:
 
-Çrrënjosja e varfërisë ekstreme dhe urisë,
– Arsimi fillor për të gjithë,
– Promovimi i barazisë gjinore dhe fuqizimi i gruas,
-Zvogëlimi i vdekshmërisë së fëmijëve dhe përmirësimi i shëndetit të nënave,
-Luftimi HIV/AIDS, malarjes dhe sëmundjeve të tjera,
-Qëndrueshmëria e ambientit dhe
– Partneritetit global për zhvillim.
 
Këto zotime janë dëshmi e lidhjes së ngushtë dhe ndërvarësisë midis rritjes ekonomike, zbutjes së varfërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
 
Këto zotime kërkojnë që zhvillimi të bazohet në qeverisje të mirë, transparente dhe demokratike, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave të njeriut.
 
Në veçanti, institucionet e Republikës së Kosovës-qeveria e Kosovës do të angazhohen për:
 

  • Sigurimin e mundësisë për jetë me dinjitet, të lirë, pa uri, frikë dhe trysni të çfarëdo lloji.
  • Krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.
  • Sigurimi i atmosferës së tolerancës dhe diversitetit fetar, kulturor dhe gjuhësor, në të cilin do të sigurohet dialogu i mirëfilltë midis qytetarëve.
  • Shfrytëzimi i përgjegjshëm i burimeve natyrore për zhvillimin e qëndrueshëm për brezat që do të vijnë.
  • Marrja e përgjegjësive për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik.

 
Republika e Kosovës prej sot merr zyrtarisht obligimet e saj për përmbushjen e këtyre objektivave.
 
Kjo tregon se nuk dëshirojmë të gëzojmë vetëm të mirat që sjellin integrimet euroatlantike dhe integrimi global, por, edhe që jemi të gatshëm t’i kontribuojmë bashkësisë ndërkombëtare dhe botës.
Miratimi i këtyre objektivave do ta forcojë përkushtimin tonë ndaj këtij partneriteti global.
 
Pavarësia e Kosovës është faktor i paqes dhe stabilitetit.
 
Objektivat e Mijëvjeçarit i kontribuojnë zhvillimit dhe progresit në mbështetje të nismës globale për paqe dhe stabilitet në tërë botën.
 
Republika e Kosovës është e gatshme për të bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare në mbështetje të këtyre objektivave.
 
Republika e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar veprimin e ligjit, duke luftuar krimin e çfarëdo forme dhe duke kontribuar lëvizjes së lirë të njerëzve dhe kapitalit, në mënyrë që të bëhet faktor i stabilitetit, bashkëpunimit dhe zhvillimit rajonal, evropian dhe më gjerë.
 
Në veçanti, ne do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për luftimin e varfërisë së skajshme, të shkaktuar nga një periudhë e gjatë e ngecjes në zhvillim, trysnisë sistematike dhe keq menaxhimit.
 
Në nivel të vendit po ndërtojmë një qeverisje të përgjegjshme dhe efikase, që do të veprojë në gjetjen e burimeve të brendshme dhe në ngritjen e kapaciteteve institucionale që mundësojnë nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror dhe eliminimit të varfërisë.
            Duke ndërtuar lidhjet e bashkëpunimit ndërkombëtar, ne do të kontribuojmë në zhvillimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe vendet tjera.
 
Kosova me popullsinë më të re në Evropë, ka detyrë shtesë të përkujdesjes, që fëmijët tanë të kenë qasje në shkollim cilësor bashkëkohor.
 
            Qeveria e Republikës së Kosovës e ka kuptuar me seriozitetin më të madh, duke ndërmarrë hapa të guximshëm në ndërtimin e shkollave dhe sigurimit të cilësisë së mësimdhënies, nëpërmjet të licencimit të arsimtarëve dhe shkollave në të gjitha nivelet dhe akreditimit të institucionet të arsimit të lartë.
 
Arsimimi cilësor është kuptuar si detyrë strategjike që mundëson aftësimin e të rinjve për punë dhe punësim produktiv.
 
Ne do të jemi të përgjegjshëm për ruajtjen e mjedisit.
 
Do të bëjmë përpjekje sistematike që të krijojmë një ambient sa më të pastër, në mënyrë që brezat që vijnë të kenë burime të mjaftueshme dhe të pastra.
Si vend që ka vuajtur shumë nga shkelja e të drejtave njerëzore, ne respektojmë plotësisht Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, do të bashkëpunojmë me të gjitha vendet dhe organizatat e vullnetit të mirë për të promovuar të drejtat njerëzore, duke përfshirë këtu të drejtat për zhvillim.
 
Do të përkujdesemi për të drejtat e minoriteteve, grave, fëmijëve dhe të individëve me nevoja të veçanta.
 
Qeveria e Kosovës do të veprojë në drejtim të krijimit të mundësive më të mira për sektorin privat, organizatave joqeveritare dhe shoqërisë civile, që vlerat e përmendura të bëhen pjesë e vizionit, strategjisë dhe veprimit të tërë shoqërisë Kosovare.
 
Në këtë mënyrë, Republika e Kosovës do të kontribuojë në forcimin e rolit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën aspirojmë dhe do ta meritojmë të anëtarësohemi sa më parë.

Në emër të Qeverise së Republikës së Kosovës, ftoj parlamentarët që ta votojnë Rezolutën.

Last modified: 17 Tetor, 2008

Comments are closed.

×