Prishtinë, 5 tetor 2008
Kam nderin që në emër të Qeverisës së Republikës së Kosovës t’Ju përshëndes dhe t’jua uroj Ditën Ndërkombëtare të Mësimdhënësve, shënimi i së cilës daton që nga 5 tetori 1994.
Kjo ditë festohet për herë të parë në Kosovë. Prej këtij viti kjo datë e rëndësishme do të festohet tradicionalisht, në Kosovën e pavarur, sovrane, të lirë dhe demokratike.
Kosova do të hyjë në radhën e atyre shteteve që përqafuan Ditën e Mësimdhënësve, si shenjë e kontributit të mësuesve kudo në botë për edukim dhe zhvillim të shoqërisë.
Në shoqërinë tonë emri i mësuesit, arsimtarit, pedagogut, mësimdhënësit dhe i botës akademike ka gëzuar gjithmonë respekt.
Mësimdhënësit duke qenë pjesa jonë më e emancipuar dhe më e ndërgjegjësuar kanë luajtur rol iluminist, rol misionar.
Në të gjitha ngjarjet me karakter historik dhe kulturor roli i mësimdhënësve ka qenë i pamohueshëm. Ky rol është i vlerësuar edhe në ditët e sotme.
Qeveria e Republikës së Kosovës ndër prioritete kryesore ka vënë arsimin.
Investimi në arsim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Rritja e rrogave të arsimtarëve, njohja e stazhit, ndërtimi i shkollave, kompjuterizimi i tyre, janë hapa fillestarë që bëri qeveria në këtë drejtim.
Përkrahja e gjithanshme e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk do të mungojë asnjëherë.
Last modified: 5 Tetor, 2008