Prishtinë, 3 prill 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në vizitën zyrtare që po zhvillon në Bruksel, është takuar me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, me të cilët ka biseduar për aktualitetin politik në Kosovë dhe me çështje që kanë të bëjnë me procesin e Integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në takimin e gjatë dhe të përzemërt me përfaqësuesin e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e reformave të gjithanshme, në funksion të përshpejtimit të procesit të Integrimit të Kosovës në BE.
Kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar z.Solana për rolin e tij mbështetës për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane.
“Kosova do të jetë pjesë e pandashme e procesit të Integrimit Evropian. Vendi ynë do të vazhdojë të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, me politika të qarta për integrimin afirmativ të komuniteteve, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe fqinjësinë e mirë” ka theksuar kryeministri Thaçi.
Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana gjatë takimit me kryeministrin Thaçi ka përshëndetur angazhimet e Qeverisë së Kosovës, duke theksuar posaçërisht angazhimin e qeverisë për zhvillim ekonomik, integrimin e suksesshëm të komuniteteve, bashkëpunimin rajonal dhe me institucionet e Bashkimit Evropian.
Z.Solana gjatë takimit në Bruksel, ka dhënë vlerësimet më të larta për Qeverinë e Republikës së Kosovës për organizimin e takimit të Forumit të Nivelit të Lartë me Komunitetin e Donatorëve.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel është takuar edhe me Alexandr Vondra, zëvendëskryeministër i Çekisë, e cila është kryesuese e radhës e presidencës së Bashkimit Evropian.
Në takim është theksuar mbështetja e presidencës së Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për punën e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e kritereve demokratike për integrimin në institucionet e BE-së.
Kryeministri Hashim Thaçi, sot në selinë e BE-së është takuar edhe me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, Pierr Mirel.
Z.Mirel ka përshëndetur punën e Qeverisë së Kosovës për vazhdimësinë e reformave, për implementimin e ligjeve, për angazhimet e qeverisë për adoptimin e strategjive sektoriale, në funksion të përfundimit me sukses dhe vlerësimit pozitiv të procesit të studimit të fizibilitetit për Kosovën.
Në takimin me z.Mirel, kryeministri Thaçi ka marrë garanci që gjatë rishqyrtimit të politikave të BE-së për viza, edhe Kosova do të jetë pjesë e këtij procesi.
Last modified: 3 Prill, 2009