Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Me Portalin Elektronik Shtetëror, po e bëjmë qytetarin pjesëmarrës në shtetndërtim

13 Mars, 2009

Prishtinë, 13 mars 2009

Fjala e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e prezantimit të E-Portalit Qeveritar.

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Të nderuar përfaqësues të ambasadave të huaja të akredituara në Prishtinë,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të tjera vendore dhe ndërkombëtare, dhe të pranishëm të tjerë;

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju përshëndes dhe t’ju falenderoj për prezencën Tuaj sot në këtë ngjarje,

Qeverisja elektronike, e-qeverisja, është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë që udhëheqë unë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka hartuar dhe miratuar strategjinë për e-qeverisje 2009-2015, si një vend lider në rajon duke u përkushtuar kështu në krijimin e një administrate profesionale, efikase dhe efiçente të shpejtë dhe në shërbim të qytetarëve në çdo kohë dhe në çdo vend.

Me e-qeverisje jo vetëm qeveria, shoqëria kosovare, por edhe komuniteti i biznesit përfiton kështu përmes formave të ndryshme të mbështetjes në aspektin e një administrate të shpejtë, racionale në sfera të ndryshme të veprimit si në atë të shëndetësisë, arsimit, drejtësisë duke iu afruar gjithnjë e më shumë standardeve unike evropiane.

Qeveria e Kosovës i ofron mbështetjen e vazhdueshme dhe maksimale Ministrisë së Shërbimeve Publike, në kontekst të realizimit të këtij projekti me rëndësi unike për qytetarët,administratën shtetërore dhe gjitha shtresat e shoqërisë sonë.

Unë inkurajoj dhe vazhdoj të mbështesë në të gjitha format që ndihmojnë në përmirësimin e performancës së përgjithshme të shtetit tonë, si në aspektin politik po ashtu edhe në atë financiar për të gjithë kuadrot të cilët janë të kyçur në këtë drejtim.
 
Projekti i sotëm që po promovohet është platforma bazë e qeverisjes elektronike që do t’u shërbej të gjithë qytetarëve, të gjitha bizneseve dhe të gjitha institucioneve.

Me këtë Portal Elektronik shtetëror po bëjmë qasje të pakufizuar të qytetarëve në shërbimet qeveritare, po e bëjmë qytetarin pjesëmarrës në shtetndërtim, po e rrisim transparencën e institucioneve, po e rrisim efektshmërinë, largësinë për qytetarin po e zhdukim fare.

Me realizimin e projekteve të qeverisjes elektronike shteti i Kosovës po i qaset seriozisht integrimeve evropiane.

Faleminderit!

Last modified: 13 Mars, 2009

Comments are closed.