Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Me planin e ri të shpenzimeve, ne e nisim Kosovën e Re – Shtetin e Ri, në një mision të rritjes dhe zhvillimit

3 Nëntor, 2008

Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi, në konferencën e sotme për media
 
Prishtinë, 3 nëntor 2008
 
Kam kënaqësinë t’ju informoj se para disa minutash ia dorëzova Kuvendit të Republikës së Kosovës, Buxhetin e Përgjithshëm të Kosovës për vitin 2009.
 
Ky është rasti dhe mundësia e parë në historinë e vendit tonë që një qeveri sovrane e Kosovës të hartojë buxhetin e vet kombëtar në pajtim me kushtetutën tonë.
 
Me këtë plan të ri shpenzimesh, ne e nisim Kosovën e Re – Shtetin e Ri  në një mision të rritjes dhe zhvillimit.
 
Kishim tri qëllime të ndërlidhura në krijimin e këtij buxheti:
 
1.      Përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët Republikës së Kosovës,
2.      Vënien e Kosovës në rrugë të rritjes së qëndrueshme dhe zhvillimit ekonomik,
3.      Përshpejtimin e hyrjes së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore
 
Qeveria ka bërë konsultime të ngushta brenda koalicionit dhe e kemi informuar dhe biseduar edhe me opozitën, gjithë spektrin politik. Informime dhe konsultime kemi zhvilluar dhe me botën e shoqërisë civile, për të siguruar se buxheti i qaset nevojave dhe mundësive të Kosovës sot, duke na vënë në rrugë të drejtë për t’u ballafaquar me sfidat e së nesërmes.
 
Kam besim se Kuvendi dhe populli i Kosovës do të shohin dhe kuptojnë se ky buxhet është ajo për të cilën Kosova ka nevojë dhe mundësi, gjersa përgatit veten për rritjen ekonomike, që e meritojmë dhe shpresojmë ta shohim gjatë viteve të ardhshme.
 
Po ashtu, kam kënaqësinë t’ju informoj se jemi zotuar, se ky është buxheti i fundit në të cilin do të kemi subvencione qeveritare për sektorin e energjisë.
 
Infrastruktura jonë e dërrmuar e energjisë, e shkatërruar nga vitet e keqmenaxhimit dhe lënies pas dore, kërkon që këtë vit t’i investojmë më shumë se 100 milionë euro për të garantuar rrymë të mjaftueshme për familjet dhe bizneset në Kosovë.
 
 Kjo duhet ndalur. Kjo nuk është e qëndrueshme, dhe parandalon vendin tonë të bëhet pjesëmarrës i plotë dhe vital në ekonominë e Evropës.  Vitin e ardhshëm do të privatizojmë prodhimin dhe distribuimin e rrymës, dhe do të zgjedhim një partner për të ndërtuar termocentralin Kosova e Re.
 
Këto veprime do të na mundësojnë të përqendrojmë resurset tona në vitet e ardhshme në projekte të reja për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës.
 
E ardhmja e Kosovës mbështetet në integrimin më të ngushtë me Evropën dhe pjesëmarrjen më të madhe në ekonominë botërore.
 
Po punojmë ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare për të treguar se jemi të gatshëm të bëjmë zotime për shpenzime të arsyeshme që do të sigurojnë rritjen tonë të vazhdueshme.
 
Po demonstrojmë se investimet e reja kapitale në arsim, shëndetësi dhe transport po na përgatisin për të ardhmen. Me këtë buxhet, po dëshmojmë se jemi kujdestarë të përgjegjshëm për resurseve tona dhe se po ndërtojmë marrëdhënie ndërkombëtare që do të garantojnë se kemi asistencën e duhur teknike dhe financiare për të forcuar ekonominë tonë dhe fshirë trashëgiminë e politikave fiskale socialiste të dështuara.
 
Jam i përkushtuar të siguroj se fëmijët dhe nipërit tanë të trashëgojnë një vend të fuqishëm dhe të aftë të qëndrojë krah përkrah me ekonomitë më të mëdha të Evropës dhe botës.
 
Kjo kërkon përkushtim, përqendrim, sakrificë dhe unitet nga të gjithë ne.
 
 Kjo na obligon të shqyrtojmë se si veprimet e të sotmes do të ndikojnë në rezultatet e së ardhmes.
 
Kemi shqyrtuar secilin element të shpenzimeve brenda këtij buxheti, dhe kam besim se plani ynë paraqet atë çka Kosova mund t’ia lejojë vetes të shpenzojë sot dhe kanalizon resurset tona drejt projekteve që ofrojnë ndikimin maksimal dhe më efikas në ekonominë tonë gjersa përgatitemi për vitet e rritjes së fuqishme dhe qëndrueshme.
 
Në ditët në vijim do t’i drejtohem Kuvendit dhe kombit kur do të përshkruaj qëllimet tona dhe diskutoj buxhetin  më detajisht.
 
Gjersa deputetët tanë në Kuvend shqyrtojnë buxhetin gjatë ditëve të ardhshme, i inkurajoj ata ta shikojnë këtë plan shpenzimesh me të njëjtin vështrim kah e ardhmja, ashtu siç bëmë ne kur e përgatitëm.
 
Qytetarët e Kosovës me te drejtë kërkojnë që udhëheqësit e tyre ta kenë prioritet më të lartë nevojën e vendit për rritje dhe zhvillim se sa politikën ditore, dhe kemi obligim të dëgjojmë thirrjet e tyre për qeverisje të përgjegjshme dhe kompetente. 

Last modified: 3 Nëntor, 2008

Comments are closed.