Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Me pavarësinë e Kosovës, një pjesë ëndrrave tona, e ëndrrave të atyre që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës u bë realitet

30 Prill, 2009

Prishtinë, 30 prill 2009

Të nderuara familje të dëshmorëve
E nderuara familje Kodra
Zonja dhe zotërinj

Një dekadë më parë në krye të Brigadës 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ra heroikisht komandanti  Ilaz Kodra.

Ishte komandanti i dytë i kësaj Brigade të UÇK-së.

Shtatë muaj më parë, në krye të betejës kishte rënë heroikisht Komandant Fehmi Lladrovci.

Ilaz Kodra, me dinjitet dhe përgjegjësi të lartë ushtarke kishte marrë drejtimin e kësaj Brigade, dhe njëjtë, si komandanti i parë, do të bie në krye të betejës.

Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi, Abedin Rexha, Fehmi Lladrovci, janë emra të mëdhenj të lirisë së Kosovës.

Ata e dëshmuan më së miri se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e dalë nga populli, ishte e vendosur deri në fund për realizimin e çlirimit të Kosovës.

Ilaz Kodra i përket plejadës së veprimtarëve të hershëm të UÇK-së.

Ai ishte njëri ndër bashkëluftëtarët e Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Përcaktimi i tij politik e jetësor e çonte gjithmonë aty ku duhej.

Edhe në organizime politike patriotike.

Edhe në radhën e ngushtë të formacioneve të para të armatosura.

Ilaz Kodra asnjëherë nuk iu shmang veprimit patriotik.

Edhe para fillimit të luftës së hapur kundër forcave serbe, ai merr pjesë në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve dhe në betejën e njohur të Rezallës së Re.

Ai do të jetë njëri ndër organizatorët dhe strukturuesit e brigadës 114, brenda së cilës ishin veprimtarët dhe bashkëluftëtarët e Komandantit Adem Jashari.

Ky angazhim vetëm sa e forcoi edhe më shumë komandantin Ilaz Kodra, i cili udhëhoqi dhe e bëri të lavdishëm emrin e   Brigadës 114, të pagëzuar me emrin e nderuar “Fehmi Lladrovci”.

Në të gjitha përballjet e UÇK-së me ofensivat e verës dhe vjeshtës së viti 1998, në betejat dhe vendluftimet gjatë vitit 1999, Ilaz Kodra luftoi krah për krah me ushtarët e Brigadës 114.

Brigada 114, përpos në beteja me forcat armike,  që u zhvilluan në shumicën e vendbanimeve që mbulonte, do të dëshmojë përkushtim të lartë  në mbrojtje të popullatës civile të fshatrave rrëzë Çiçavicës.

Popullata civile ishte e lidhur organikisht me luftën e drejtë të bijëve dhe bijave të saj.

Ajo mbështeste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për këtë ndëshkohej nga forcat paramilitare, ushtarake dhe policore serbe.

Krimet mbi popullatën civile, vrasjet dhe masakrimet nuk e luhatën besimin në drejtësinë e luftës së UÇK-së.

Në ditët më të rënda populli mbështeti UÇK-në.

Në ditët më të rënda UÇK-ja e mbrojti popullin.

Kjo brigadë lirisë së Kosovës i dha  167 dëshmorë.

Në mbrojtje të kësaj popullate ra heroikisht Komandanti Ilaz Kodra me 30 prill 1999.

Sot, në 10 vjetorin e rënies së Komandant Ilaz Kodrës shprehim homazh dhe nderim për të gjithë civilët e rënë në luftë, për martirët e lirisë së Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Asnjëherë nuk do ta harrojmë mundin, përkushtimin dhe sakrificat që sollën ditët e sotme.

Pas dhjetë vjetësh të rënies së Komandantit Ilaz Kodra Kosova ka hyrë në vitin e dytë të pavarësisë.

Ju familje Kodra, familjet tjera të dëshmorëve anembanë Kosovës jeni pjesë e krenarisë dhe lirisë së Kosovës.

Sot Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.
 
Shtet i njohur nga vendet më të fuqishme të botës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga shumica dërmuese e vendeve të bashkimit Evropian dhe nga shtete tjera me ndikim në botë.

Ky proces i njohjes së pavrësisë së Kosovës do të vazhdojë edhe më tej.

Me pavarësinë e Kosovës, një pjesë ëndrrave tona, e ëndrrave të atyre që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës u bë realitet.

Ne, do të jemi ballëhapur para të kaluarës sonë vetëm kur me vizion, përgjegjësi dhe përkushtim të lartë institucional punojmë çdo ditë për të ardhmen euratlantike të Kosovës.

Duke instaluar një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme, duke përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve tanë, duke e larguar emrin e Kosovës nga lista e dukurive negative,  ne hapim perspektivë europiane dhe euroatlantike për Kosovën.

Zonja dhe zotërinj,

Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Komandantit Ilaz Kodra!

Lavdi Dëshmorëve të lirisë!

Last modified: 30 Prill, 2009

Comments are closed.