Prishtinë, 14 shkurt 2009
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 55-të, drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi ka diskutuar programin e organizimeve për shënimin e njëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në hapje kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë përgatitjet që janë bërë për shënimin dinjitoz të kësaj date historike për popullin e Kosovës.
“Ka mbetur edhe pak kohë për të shënuar edhe zyrtarisht përvjetorin e parë të Kosovës shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Tani më festimet kanë filluar anekënd Kosovës dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Kremte, ngrohtësi, solidaritet, gëzim vërehet dhe ka në çdo familje kosovare, siç ka përgjegjësi të reja shtetërore në institucionet tona”, ka thënë z. Thaçi, duke shtuar se është ky përvjetor për të festuar bashkërisht dhe me solidaritet edhe më të lartë, është përvjetor i parë i Kosovës shtet , i shtetit tonë të pavarur, të lirë, krenar.
Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast ka falënderuar të gjithë ministrat, të gjitha institucionet për punën që është bërë në vitin e parë të pavarësisë, për zotimet për të ardhmen e vendit tonë, për të ndërtuar rend demokratik dhe integrim në BE dhe NATO.
Më tutje kryeministri ka pohuar se viti që lamë pas ishte vit i të arriturave, i krenarisë, por edhe i sfidave të mëdha. Me të drejt mund të konkludojmë se ishte vit i suksesit historik, ku meritë ka çdo qytetar i Kosovës, dhe të ndihet krenar me këtë sakrificë, me këtë punë që ka bërë për lirinë dhe për shtetin e Kosovës.
“Sot Kosova është një shtet i ri, të gjithë të martën kemi ditëlindje, ditëlindje e cila do ti hapë perspektivë vendit dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Kemi hapur vende më të shumta pune, kemi ndërtuar shkolla, kemi bërë reforma në shëndetësi, kemi krijuar standard më të lartë për qytetarët, kemi ndërtuar stabilitetin, kemi rritur tolerancën, kemi fituar njohje nga bota, do të fitojmë njohje të reja, Kosova do të integrohet në të gjithë mekanizmat, edhe politikë, financiar e të sigurisë ndërkombëtare. Pra do të kemi një festim dinjitoz dhe krenar, një festim madhështor, një festim gjithë-popullor dhe me përgjegjësi edhe shtetërore që do të prezantojmë shpejti edhe skemën ku Qeveria e Kosovës merr përgjegjësitë e veta edhe në aspektin organizativ me të gjithë mekanizmat e vetë institucionalë”, pohoi z. Thaçi.
Kryeministri Thaçi ritheksoi se gjithë Kosova është në mobilizim për të kremtuar këtë festë gjithë-popullore dhe shtetërore. Të martën dhe këto ditë gjithë bota do të vështrojë kah Kosova, do t’i vlerësojë manifestimet tona dinjitoze, madhështore, të ecjes përpara.
Kryeministri Thaçi duke iu përgjigjur kërcimeve për destabilizim nga Beogradi ka pohuar se janë marrë të gjitha masat e duhura nga mekanizmat adekuat vendor dhe ndërkombëtarë, dhe në Kosovë do të ketë vetëm kremtim, krenari, dinjitet. “Pretendimi për shantazh nga Beogradi do të jetë njëherë e përgjithmonë i dështuar”, theksoi kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Në vazhdim Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi para kabinetit qeveritar prezantoi programin e festimit me 17 shkurt, bartëse të cilit janë Qeveria e Kosovës bashkërisht me Kuvendin dhe me Presidencën.
Sipas z. Kuçi këto aktivitete do të fillojnë më datën 17 shkurt në orën 11 me një mbledhje solemne të Kuvendit të Republikës, ku do ti adresohen Kuvendit dhe qytetarëve, presidenti, kryeministri, edhe kryeparlamentari. Po këtë ditë do të jetë një defilim për nxënësit dhe për të gjithë qytetarët, që është titulluar “Ecja në pavarësi”.
N orën 18 do të jetë koncerti i Filarmonisë së Republikës së Kosovës, që mbahet nën patronazhin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në orën 21 do të jetë një koncert madhështor në Prishtinë, por edhe në qytete tjera të Kosovës.
Në orën 22 është paraparë ndezja e fishek-zjarreve, edhe në Prishtinë, por edhe në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës.
Gjithë ky organizim do të bëhet nën protokollin e shtetit dhe një komisioni ndërministror të cilin e përbëjnë zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramë Manaj, ministrat Enver Hoxha, Valton Beqiri, Ahmet Shala.
Për mbulimin e këtyre aktiviteteve Qeveria e Kosovës sot ka ndarë një shumë prej 150 mijë euro.
Last modified: 14 Shkurt, 2009