Prishtinë, 27 maj 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, sot ka vizituar punimet që janë duke u kryer në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, ka inspektuar punimet në ndërtimin e shtratit dhe urës së lumit Tërstena, si dhe shkollën e re në qendër të qytetit.
Në vazhdim po e japim të plotë deklarimin e kryeministrit Hashim Thaçi në Vushtrri:
Ky vizitë edhe vetë realiteti i punës që po ndodhë këtu në Vushtrri në gjitha segmentet e jetës, që po ndodhin këto ndryshime, është një konfirmim i punës shumë të mirë që po bëhet për ndryshim e jetës së qytetarëve edhe këtu në Vushtrri, si gjithandej Kosovës, me ndërtimin e shkollave të reja, të shumë kilometra të kanalizimit, të ujësjellësit, të rregullimit të shtratit të lumit, të rrugëve, të zgjerimit të ndërtimit të kopshteve të reja.
Prandaj, edhe këtu mbi 11 milionë euro që janë investuar, shihen drejtpërdrejtë se janë investime në punë, investime në ndryshimin e jetës për të mirë të qytetarëve të Vushtrrisë.
Këto investime do të vazhdojnë në të gjitha fushat e nevojshme për ndryshimin e jetës së qytetarëve, për modernizimin edhe të Vushtrrisë, të ndërtimi të një infrastrukture shumë të moderne.
Dëshiroj që të përgëzoj edhe kryetarin e Vushtrrisë edhe gjitha autoritetet për punën e mirë që e kanë bërë edhe këtu në qytetin e Vushtrrisë, edhe në të gjitha fshatrat e këtij lokaliteti të kësaj komune.
Qeveria do të vazhdojë përkrahjen e të gjitha komunave në mënyrë që të vazhdojë kjo punë, të vazhdojë zhvillimi ekonomik, të vazhdojë punësimi i njerëzve të rinj, të rritet mirëqenia sociale, të hapët perspektiva jonë e sigurt.
Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, theksoi
Për momentin jemi duke realizuar tre projekte të rëndësishme: ndërtimin e rrugës në hyrje të qytetit, ndërtimi i urës si dhe shtratit të rrekës. Gjithashtu është duke u ndërtuar edhe një shkollë fillore në qendrën e qytetit. Tërë këto projekte pritët që të përfundoj deri në muajin nëntor të këtij viti.
Kryeministri Hashim Thaçi i është përgjigjur interesimit të medias edhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme komunale.
Unë zgjedhjet e lira e shoh si vlerë jo vetëm si datë dhe numra. Pastaj duhet të theksoj se deklarimi për këtë datë ose atë datë mendoj se nuk është i qëlluar.
Me rëndësi është që të gjendet një zgjidhje konsensuale, e përbashkët e një vendimi unanim të gjithë spektrit politik dhe puna ma e parëndësishme mund të jetë data. Me rëndësi është që të kemi zgjedhje të lira, fer, demokratike, për çka kam besim të plotë.
Vullnetin e qytetarëve të Kosovës nuk e përcakton temperatura e nxehtë apo e ftohtë por vlera dhe vizioni i partisë politike dhe ne do ta prezantojmë vizionin.
Last modified: 27 Maj, 2009