Prishtinë, 28 janar 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën e tij, të mbajtur në Tryezën e rrumbullakët me liderët politikë, deputetët dhe përfaqësuesit e zgjedhur serbë të Kosovës, ku mori pjesë edhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, shprehu zotimin dhe angazhimin që Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë dhe po bën në fushën e çështjeve të komuniteteve, duke e vlerësuar atë serioz, të sinqertë dhe gjithëpërfshirës.
Në vazhdim, kryeministri Thaçi theksoi se qeveria ka marrë iniciativa të shumta për çështje të komuniteteve, nëpërmjet ligjeve, institucioneve, strategjive e planeve të veprimit.
“Ligjet bazike siç është ai për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, strategjitë gjithëpërfshirëse që trajtojnë çështjet e komuniteteve, nxjerrin në pah angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrimin dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve” ka thënë z.Thaçi.
Kryeministri Thaçi në tryezë ka potencuar rolin dhe rëndësinë që ka Zyra për Çështje të Komuniteteve, që funksionin që nga fillimi i mandatit në kuadër të kabinetit të tij.
Duke theksuar se kjo zyrë bashkë me Ministrinë për Kthim dhe Komunitete veprojnë si koordinatorë të programeve të Qeverisë dhe janë shtytës të zbatimit të të drejtave të komuniteteve, kryeministri Thaçi ka njoftuar të pranishmit se me qëllim të vlerësimit të zbatimit të ligjeve dhe politikave, Zyra për Çështje të Komuniteteve, sapo ka përfunduar një studim lidhur me përfaqësimin efektiv të të gjitha komuniteteve në institucionet dhe ndërmarrjet publike.
Në tryezën me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, kryeministri Thaçi ka ritheksuar faktin se Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur një numër të madh të projekteve të cilat përfshijnë banimin, infrastrukturën, arsimimin dhe promovimin kulturor të komuniteteve.
Kryeministri Thaçi është shprehur me tone shumë pozitive dhe inkurajuese edhe për pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, posaçërisht në komunitetit serb në zgjedhjet e fundit lokale në vend, duke thënë se procesi i krijimit të komunave të reja ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në çështjen e të drejtave, mbrojtjen dhe zhvillimin e komuniteteve, dhe për këtë arsye, mbështetja për komunat e reja dhe projekteve të tyre zhvillimore do të jenë ndër prioritetet e para të qeverisë.
Në takim, kryeministri Hashim Thaçi ka përmendur edhe rolin e Këshillit Konsultativ për Komunitete, si një kanal i drejtpërdrejtë i komunikimit ndërmjet institucioneve të pushtetit qendror dhe komuniteteve, duke garantuar përshtatshmërinë dhe efikasitetin e veprimeve qeveritare.
Po ashtu kryeministri Thaçi ka informuar pjesëmarrësit e tryezës se Qeveria e Republikës së Kosovës ka obliguar institucionet publike të krijojnë strategjitë e tyre për t’u angazhuar me komunitetet dhe të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve të tyre. Ato kanë zhvilluar edhe një numër të strategjive gjithëpërfshirëse, të cilat adresojnë çështjet e komuniteteve.
Në përfundim të tryezës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur vlerësimin e qeverisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e gjertanishëm të ICO-së dhe të përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë.
Last modified: 28 Janar, 2010