Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ligji për dëshmorët, invalidët, veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së – ligj model për të gjitha vendet e rajonit

6 Tetor, 2010

Prishtinë, 6 tetor 2010

Kryeministri Thaçi tha se ky ligj ndodhet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka kaluar leximin e parë dhe së shpejti do të kemi edhe aprovimin e tij me plotësimet e nevojshme.

“Ky ligj do të hyjë në fuqi me 1 janar të vitit të ardhshëm. Mjetet buxhetore janë të siguruara. Do të kemi edhe rritje të pagave prej 50 për qind nga 1 janari i vitit 2011 për të gjitha familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës dhe pastaj do të bëhet edhe kategorizimi i veteranëve të UÇK-së”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky është një ligj model për të gjitha vendet e rajonit dhe shumë i afirmuar në kuptimin e rregullimit njëherë e përgjithmonë të statusit të invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së, pastaj edhe viktimave civile dhe familjeve të tyre.

Më tutje, kryeministri tha se, një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe shumë pozitiv, e kanë luajtur shoqatat e dala nga lufta, prandaj shteti po kryen obligimin që ka, të pakryer më herët, por që po e institucionalizon këtë obligim dhe këtë çështje si përgjegjësi shtetërore nga 1 janari i vitit të ardhëm.

Ndërkaq, përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Muharrem Xhemajli, falënderoi Qeverinë dhe kryeministrin Thaçi për përkushtimin e treguar për implementimin dhe miratimin e këtij ligji sa më shpejt në Parlamentin e Kosovës.

“Kërkojmë që Parlamenti, deputetët të mos e politizojnë këtë ligj dhe, sa më shpejt ky ligj të merr vizën edhe nga Parlamenti i Kosovës”, theksoi Xhemajli.

Last modified: 6 Tetor, 2010

Comments are closed.