Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ky është një moment historik për shtetin tonë – po realizohet ëndrra e qytetarëve të Kosovës

12 Prill, 2010

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë solemne të nënshkrimit të kontratës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konzorciumit amerikano-turk “Bechtel&Enka” për projektin e Autostradës Morin-Merdarë
 

Prishtinë, 12 prill 2010
 
I nderuar ambasador Dell,
I nderuar ambasador i Turqisë,
I nderuar ambasador i Britanisë së Madhe,
Të nderuar ju, përfaqësues të konzorsiumit “Bechtel&Enka”,
I nderuar ministër Limaj,
Të nderuar të gjithë ju ministra,
I nderuar përfaqësues I Bankës Botërore
 
Është kënaqësi sot për mua që në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju falënderoj për gjithë këtë përkushtim të madh keni treguar në mbështetje të fillimit të realizimit të projektit të ëndrrave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pra, nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konzorsiumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdare.

Ky është një moment historik për shtetin tonë, pra, po realizohet ëndrra e qytetarëve të Kosovës. Është projekti më i madh në historinë e deritanishme të vendit tonë.

Ky projekt i ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdare, i ndihmon qytetarët duke iu krijuar mundësitë e reja të lëvizjes së lirë, e integron shtetin e Kosovës fuqishëm në rajon.

Ndërtimi i autostradës do të krijojë me mijëra vende të reja pune – autostrada me standarde më të larta ndërkombëtare që do të modernizojë shtetin tonë.

Realizimi i këtij projekti dëshmon se shteti i Kosovës ka krijuar një ambient për investime dhe për realizim të projekteve kapitale. Ky projekt do të mundësojë investimin e rreth 500 milionë eurove, që do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, donatorë special potencial, si dhe në rast nevoje nga kreditë e favorshme.

Të nderuar të pranishëm,
 

Është mrekulli që po fillojmë me këtë projekt madhor në kohën kur kriza globale financiare ende nuk ka përfunduar.
 

I falënderojmë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për këshillat e tyre të çmueshme për këtë projekt madhor, si, Bankën Botërore, USAID-in, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionin Evropian.
 

I gjithë procesi ka qenë I hapur, transparent dhe në përputhje me ligjet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, për çka përgëzoj kryesuesin e Komitetit Ndërministror, ministrin Limaj, ministrat, pjesë të këtij Komiteti Ndërministror – ministrin Zharku, ministrin Shala, ministrin Yagxhilar dhe të gjithë këshilltarë dhe ekipet e tyre që kanë punuar pa kursyer që të fillojmë me këtë projekt, pra që sot të nënshkruajmë edhe marrëveshjen mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konzorsiumit “Bechtel&Enka”.
 

Ky është vit i fillimit të ndërtimit të autostradës, por edhe vit I fillimit të  realizimit të projekteve tjera madhore, prioritete prej më kryesoreve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zotohemi se do t’i përmbyllim me sukses shumë shpejt edhe koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, pastaj edhe fillimin e realizimit të projektit energjetik “Kosova e Re”, por suksesshëm edhe privatizimit të PTK-së.
 

Prandaj, urime të gjithëve dhe faleminderit shumë për mbështetje prej të gjithëve!

Last modified: 12 Prill, 2010

Comments are closed.